Hoxha në Bukuresht, diskuton me ministrin rumun forcimin e kapaciteteve për anëtarësimin në BE
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar në Bukuresht me ministrin rumun të Investimeve dhe Projekteve Evropiane, Alexandru-Mihai Ghigiu, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Rumani.
Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në fokus të bisedës ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe nevoja për forcimin e kapaciteteve institucionale e administrative për të përballuar përgjegjësitë që do të sjellë anëtarësimi.
Dy ministrat diskutuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes autoriteteve vendore të Shqipërisë dhe Rumanisë. Në këtë drejtim, u vlerësua përvoja rumune në përafrimin e qeverisjes vendore me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Një tjetër temë e takimit ishte përdorimi i instrumenteve të politikës së kohezionit për të mbështetur zhvillimin rajonal dhe vendor.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.