Kosova

Seanca për Gjykatën Speciale më 29 maj

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që në seancën e ardhshme e cila do të mbahet më 29 maj, të procedohen amendamentet kushtetuese që i hapet rrugë Gjykatës Speciale. Po atë ditë pritet që edhe ligji për gjykatën të shqyrtohet dhe miratohet.

Kështu u tha pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ku shefi i grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se është shumë e dëmshme themelimi i kësaj gjykate sepse dihet se kush ka bërë krime në Kosovë.

“Ne do t’i bëjmë të gjitha veprimet për të mos u votuar gjykata. Ky është një dëm i pariparueshëm nëse ndodh”, ka thënë ai.

Kurse, Pal Lekaj i AAK-së, tha se grupi parlamentar i AAK-së, shpreh shqetësimin rreth krijimit të kësaj gjykate.

“Krijimi i Gjykatës Speciale është sui generis. Ne themi se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha shtyllat janë treguar të pa afta dhe kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje që t’i merret mëvetësia”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se deri më tani nuk është vendosur se si do ta kundërshtojnë themelimin e kësaj gjykate, por në ditët në vazhdim do të koordinohen.

Ndërsa, Adem Grabovci i PDK-së, deklaroi se ka të bëjë me një çështje tepër të rëndësishme dhe të ndjeshme. Ai shtoi se më 23 prill të vitit të kaluar kanë votuar pro themelimit të kësaj gjykate

“Kjo çështje nuk me lejon të bëjë politikë. Kam marr besimin e qytetarëve që t’i mbroj interesat e vendit dhe interesat kombëtare. Ne nuk kemi nevojë të frikësohemi por ta mbrojmë interesin luftës sonë çlirimtare”, ka thënë ai.

Lidhur me deklaratat e opozitës se nuk do ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale, Grabovci tha se nuk kanë nevojë ta bindin askënd se si të votojë.

Ismet Beqiri i LDK-së, tha se në mes Rusisë dhe SHBA-ve, ata zgjedhin ata që ishin dhe janë për krah Kosovës.

“Në këtë situatë asnjë parti nuk do duhej të mundohej të përfitonte politikisht. Më së paku duhet të shtrohet çështja në qoftë se i kemi votat, por duhet të votojmë dhe të mos lejojmë që të shkon kjo çështje atje ku kemi shumë armiq”, ka thënë ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button