741.446 turistë vizituan Maqedoninë e Veriut në shtatë muaj – Ministria e Kulturës dhe Turizmit për Ditën Botërore të Turizmit
Ministria e Kulturës dhe Turizmit njoftoi të dhënat me rastin e Ditës Botërore të Turizmit: netëqëndrimet e turistëve të huaj u rritën me 2% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar
Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, që shënohet më 27 shtator, Ministria e Kulturës dhe Turizmit njoftoi se Maqedoninë e Veriut e kanë vizituar 741.446 turistë në shtatë muajt e parë të vitit 2026. Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë, gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithsej 1,76 milionë netëqëndrime.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, të cituara nga ministria, tregojnë se numri i turistëve është 1,5 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa numri i turistëve të huaj është rritur me 1,3 për qind.
Siç njofton ministria, netëqëndrimet e turistëve të huaj janë 2 për qind më shumë se në shtatë muajt e parë të vitit të kaluar – një sinjal ky i rritjes së interesimit të vizitorëve të huaj për destinacionet e vendit.
Ndër turistët e huaj, më të shumtë në numër janë shtetasit nga Turqia, të ndjekur nga turistët nga Gjermania dhe Serbia, bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.
Dita Botërore e Turizmit shënohet çdo vit më 27 shtator për të nxitur ndërgjegjësimin për rëndësinë e turizmit në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.