82-vjetori i vrasjeve pa gjyq në Tiranë, homazhe për 39 viktimat dhe thirrje për zbardhjen e historisë
Me rastin e 82-vjetorit të vrasjeve pa gjyq në Tiranë dhe rrethinat e saj, Shoqata “Tirana” organizoi një aktivitet në nderim të 39 personave të vrarë nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944.
Në aktivitetin përkujtimor ishte e ftuar kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, e cila ftoi familjarët të bashkëpunojnë me AIDSSH-në për zbardhjen e ngjarjeve në kuadër të “Dialogut për Tiranën”.
Ajo kujtoi se ende, pas 82 vjetësh, ka familje që kërkojnë të dinë ku prehen njerëzit e tyre.
Në fjalën e saj, Sula iu referua edhe Historikut të Tiranës, një dokument i hartuar më vonë nga vetë Sigurimi i Shtetit. Sipas Historikut të Tiranës, që prej gushtit të vitit 1943, u ngrit një zyrë informative e cila krahas të dhënave për lëvizjet e pushtuesit, mblidhte informacion edhe për personat që Partia i cilësonte “armiq” dhe brenda rrethit të saj.
Para përfundimit të luftimeve për kryeqytetin, ishin ngritur tri qendra zbulimi, te Rrapi i Trishit, në Linzë dhe në Surrel.
Historiku citon edhe urdhrin e Enver Hoxhës të 17 nëntorit 1944, një ditë pas përfundimit të periudhës së vrasjeve që u përkujtuan në aktivitet. Urdhri kërkonte që Tirana të “spastrohej” nga personat e cilësuar “elementë të rrezikshëm” dhe “tradhtarë”. Sipas dokumentit, kontrollet që pasuan në lagje dhe banesa u kryen sipas listave të miratuara nga Komiteti Qarkor i Partisë. Deri më 26 nëntor ishin arrestuar rreth 300 veta.
Sula i ftoi familjarët të ndajnë me Autoritetin kujtimet, letrat dhe fotografitë që kanë ruajtur, si dhe të tregojnë çfarë ndodhi me familjet e tyre pas vrasjeve. Ajo tha se Autoriteti do t’i shqyrtojë dëshmitë krahas dokumenteve arkivore dhe do të bisedojë me familjarët se si dëshirojnë që këto histori të ruhen e t’u përcillen brezave të rinj.
“Dialogu për Tiranën” është një projekt i çelur në nëntor 2021 me ekspozitën dokumentare “Tirana në sytë e ish-Sigurimit të Shtetit”, për të cilën u deklasifikuan 8.200 fletë dokumente.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.