Opinion

Thirrja “Mos votoni non gratat!” Nuk është ndërhyrje

Duke ndjekur një transmetim  televiziv, ku moderatorja kishte të ftuar një gazetar, një deputet dhe një jurist, më la një shije të hidhur këmbëngulja e moderatores që gazetari të pohonte se thirrja e ambasadores Yuri Kim për të mos votuar NON GRATAT është ndërhyrje në procesin paraelektoral për zgjedhjet vendore që fillon në 14 prill. Nuk besoj se ajo gazetare ka aq mungesë intelekti sa të mos kuptojë që thirrja për të zgjedhur njerëz të ndershëm dhe jo të  korruptuarit jo vetëm nuk është ndërhyrje, po një ndihmë e madhe. Ndofta, këtë urdhër i kishin dhënë të shkretës, prandaj bënte kokëforten ose njeriun që nuk kupton të vërtetën. Është koha që nga organet e zgjedhura qofshin ato vendoret të mos zgjidhen elementë që rendin qorrthi pas të korruptuarve. Është e qartë se në këtë rast thirrja bëhet direkt për Berishën dhe njerëzit e Rithemelimit të tij, edhe pse nuk përmendet me emër. Përveç doktorit, asnjë tjetër nga ata që janë shpallur NON GRATA nuk është përfshirë në këtë fushatë. Si ka mundësi që kjo gazetare dhe tërë berishistët po ulërijnë për ndërhyrje, kur thirrja për të mos zgjedhur njerëzit e një të korruptuari madhor, është një ndihmë tjetër e madhe e Washingtonit për popullin tonë?! Nuk e kuptoj pse është kaluar edhe caku normal i akuzave për ambasadoren e  nderuar dhe SHBA-në, mbrojtësen konsekuente të vendit tonë?!  Këtyre pseudodemokratëve ose pseudopatriotëve po u kujtoj vetëm disa çaste që SHBA-ja ka qenë në krah të tyre, madje duke ”thyer” edhe rregullat strikte të diplomacisë.

         A ju kujtohet koha kur Ambasadori Rayerson  shkonte në mitingjet që organizonte Partia Demokratike dhe bënte fushatë elektorale për të përmbysur socialistët, gjoja të reformuar? Jo vetëm në Tiranë, po edhe në Kavajë e gjetkë? Prezenca e Ryersonit ishte një mbështetje e madhe. Edhe në sajë të asaj përkrahjeje krejt të hapur dhe direkte, erdhi fitorja. Kjo ndihmë atëhere ju vinte mirë. Socialistët, edhe pse për këtë përkrahje fantastike nuk e deshën kurrë atë ambasador, jo vetëm nuk e shanë, po asnjëherë nuk thanë se është ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.
        Me që ajo është një kohë e largët dhe mund ta keni fshirë nga kujtesa, po ju përmend që ishte kjo ambasadore me emrin Yuri Kim  ecila fare hapur kërkoi që si Tom Doshi dhe Vangjush Dako të socialistëve të mos figuronin në listat e kandidatëve për deputetë, sepse ishin shpallur NON GRATA. Socialistët jo vetëm nuk ndërmorrën ndonjë fushatë akuzash ireale, por zoti Tom Doshi me zgjuarsi heshti dhe u tërhoq nga lista. Për ju ishte më se situatë normale, madje e duartrokitët ma sa fuqi kishit.
        Populli dhe gazetarët si pjesë e tij që regjistrojnë ngjarjet e dinë mirë që përpara zgjedhjeve vendore ose atyre parlamentere gjithmonë Ambasa e SHBA-së në Tiranë dhe vetë ambasadorja Yuri Kim kanë bërë apel me shkrim si dhe në intervista të ndryshme që  të gjitha partitë t’i paraqesin popullit kandidatë të seleksionuar mirë.  Të jenë të pastër dhe të papërfshirë në aferat korruptive. Atëhere nuk thatë as edhe një herë se Washingtoni po ndërhyn , pa na cënon të qenurit shtet i pavarur. Pse nuk ndodhte kjo? Nga që nuk ju kishte djegur kësula juaj. Tani  që amerikanët na bëjnë të njëjtën thirrje që nuk duhet të zgjidhet  NON GRATA që quhet Sali Ram Berisha, na del se përfaqësuesja e nderuar e partnerit tonë SHBA ,qenka e korruptuar!? Ajo po mban hapur anën e Ramës, i cili dhe i ”paguan” haraç çdo muaj?!(Sipas thënieve të NON GRATËS Berisha).
          Është miopi politike të pretendosh akoma që Sali Berisha është  kryetar i PD-së e aq më keq i tërë opozitës, kur grupimi i Rithemelimit, sado i madh të jetë,nuk njihet nga ligji si parti. Hapësira që u ka lënë të djathtëve ambasadorja Yuri Kim është shumë e madhe. Nga 47 parti që u regjistruan për këto zgjedhje, vetëm 4 bëjnë pjesë që aleancën ku ka mundur të fusi të vetët dhe NON GRATA . Edhe Meta, si kreu i kësaj aleance, për vetë faktin se ka strehuar në çadrën e tij NON GRATËN, doemos nuk përkrahet nga SHBA-ja. Janë kandidatët e mbi 40 partive të tjera që SHBA-ja i përkrah. Kur mund të votojmë për këto parti, pse të mbetemi në vend numëro te prijësi i korruptuar dhe të përzgjedhurit e tij?!
           Ky qendrim i qartë dhe i vendosur i SHBA-së për të mos zgjedhur të korruptuarit, është një tjetër ndihmë e madhe që na vjen nga Washingtoni. Përpara se amerikanët të mbanin qendrimin e tyre ndaj Berishës, përqindja e shqiptarëve pro amerikanë e kalonnte 90 përqindshin. Ishim vendi më pro- amerikan i Botës. Me të filluar Berisha akuzat e hapura ndaj njerëzve të Washingtonit,  pasuesit e verbër të tij nuk janë më pro amerikanë. Se sa ka për të qenë përqindja e tyre në Shqipëri, këtë do ta shikojmë vetëm pas 15 prillit. Kapiteni i anijes së tyre, tani fare haptas e hoqi xhaketën e demokratit. Ka dalë me pulovrin e kuq të komunistit të vendosur . Nuk është i vetëm. Është bashkë me Metën që përflitet se e ka grurë me rusët. Po i drejtojnë velat e anijes së tyre vetëm drejt Moskës së Putinit dhe Pekinit të Kinës. SHBA-ja për ta si komunistë të zellshëm ka qenë dhe është armiku më i madh i Shqipërisë. Kjo dyshe e korruptuar që ka drejtuar vendin jo për pak kohë, është një e keqe e madhe që po i kanoset vendit. Mendoni se si mund të rrjedhin ngjarjet po qe se një ditë ata mund të vijë në pushtet. Duhet të falenderojmë si Ambasadën Amerikane dhe qeverinë e SHBA-së, të cilat që në këto hapa të para të një regresi antishqiptar, po na bëjnë thirrje të sinqerta që të mos votojmë si ata vetë dhe njerëzit e tyre. Çuditërisht ka edhe gazetarë që këtë përpjekje për të na shpëtuar nga një e keqe e madhe e quajnë ndërhyrje në punët tona të brëndëshme?! Këta pseudo intelektualë harrojnë që jo Moska, po Washingtoni vuri veton për të mos u coptuar më Shqipëria. Jo Moska, që nuk është në NATO, po Washingtoni na inkuadroi në këtë pakt edhe pse kishim mangësi të dukshme. Harrojnë edhe inkurajimin dhe ndihmën e gjithanëshme të  SHBA-së për procesin e integrimit në Europën e Bashkuar. Harrojnë dhe kryesoren e kryesoreve: ishte SHBA që sulmoi Jugosllavinë, kur Milosheviçi ndërmorri pastrimin etnik të Kosovës. Pse ka qenë dhe është Washingtoni me ne sot kemi në Ballkan dy shtete shqiptare. Kur ky aleat i madh dhe mbrojtës me vepra jo me fjalë na bën thirrje  të mos votojmë të korruptuarit dhe njerëzit e tyre, pse u dashka quajtur ndërhyrje dhe jo ndihmë në kohën e duhur?! Pse në vend të sharjeve të mos shprehim falenderimin tonë më të sinqertë që po na ndihmoni të kemi një Shqipëri të krehur nga cilido që  është pasuruar  duke na mashtruar e vjedhur haptas e fshehtas?!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button