Opinion

Me SHBA, Anglinë dhe Evropën apo me Putinin dhe Kinën komuniste?

Petro Dhimitri

Zgjedhjet për pushtetin vendor sivjet po marrin një rëndësi gadi gadi si zgjedhjet për Parlamentin për vetë situatën e çakorduar  politike që po kalojmë. Në qiellin tonë deri dy vjet tejet i kaltërt, kanë filluar të duken re të zeza, që shtyjnë njëra tjetrën. Së bashku janë re ndjellakeqe kundër Shteteve të Bashkuara. I përkasin grupit (se nuk është parti që e njeh ligji) të personit NON GRATA me emrin Sali Ram Berisha. Në krah të tij është edhe personi që aq shumë flitet në popull për korrupsion Ilir Meta. Zyrtarisht ky nuk ka dalë akoma haptas kundër Washingtonit. Ai vetëm sa u ka kujtuar amerikanëve që raketa kanë dhe rusët. Duke strehuar në ombrellën e tij partiake të gjithë kandidatët e Rithemelimit të NONGRATËS, që fare haptas ka dalë sheshit se është anti amerikan, doemos edhe ky heret ose vonë për atë rrugë duket se është nisur.

       Kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore me fitoren e Fuqive Aleate: SHBA-ANGLI-BASHKIMI SOVJETIK, Bota u nda në dy grupime të mëdha. Në një anë amerikanët me Europën Perëndimore, në krahun tjetër u rreshtuan Moska e Stalinit dhe të gjitha demokracitë popullore: Gjermania Lindorre, Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Rumania, Bullgaria si edhe Shqipëria. Si kryetar i partisë komuniste që në  Shqipëri ishte vet zot dhe vet shkop, Enver Hoxha nuk kishte si të bashkohej me grupimin Perëndimor. U duk si më fanatik nga komunisti Stalin, kur i prishi marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në dhe Anglinë. Veprim ky si i çuditshëm kur si sovjetikët dhe të gjitha demokracitë i ruajtën marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në dhe Anglinë. Amerikanët ambasadën, pronë e tyre, ua lanë italianëve, ndërsa anglezët nuk e kishin të veten godinën e përfaqësisë së tyre. Këtë masë ekstreme ndaj dy supershteteve fituese të koalicionit diktatori i ri Enver Hoxha nuk e ndërmorri vetëm për të fituar mbështetjen e Moskës. Prezencën e tyre ai e shikonte si një vatër armiqësore për t’i dobësuar ose siluruar pushtetin e tij. Ata pak njerëz që ngritën zërin kundër partisë shtet u pushkatuan ose u burgosën. Populli heshti, ashtu si di vetë ai ta qepë gojën.
        Për një gjysmë shekulli tërë propaganda komuniste lëshonte helm e zjarr kundër imperializmit anglo-amerikan. Shkohej deri në makabritet, kur në tabelat e qitjeve të poligoneve të ushtrisë viheshin portretet e presidentëve dhe gjeneralëve ” famëkëqinj” të SHBA-së, që ne t’i asgjesonim?! Kur mendohej se akuzat gjysmëshekullore do të kishin zënë vend në zemrën e popullit, ndodhi e papritura e madhe. Që me ardhjen e sekretarit Bejker masivisht shqiptarët brohoritën për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas 50 vjet robërie komuniste donin të thithnin ajrin e lirisë. E pamë ndihmën e madhe të SHBA-së ndaj  lëvizjes masive të studentëve fillimisht dhe pastaj të të gjithë popullit për të rrëzuar monizmin e kuq. Vetëm pse u duk që komunisti i thekur, doktor Sali Berisha  e kishte seriozisht që u ngrit kundër të tijve, ata e mbështetën pa rezerva. Ka 30 vjet që na ndihmojnë. Na inkuadruan në strukturat e NATO-s. Po na qëndrojnë hapur për çdo gjë, deri ndërmorrën dhe Reformën  në Drejtësi kundër korrupsionit galopant, sepse ne nuk ishim në gjëndje ta bënim vetë. Ata çliruan edhe Kosovën. SHBA po na ndihmon për t’iu bashkuar Europës. Është po ajo SHBA që pas Luftës së Parë Botërore, ua prishi planet kancelerive të Europës që kishin përgatitur dhe hartat që kishin hartuar për të gllabëruar të tjera troje shqiptare . Do t’ua jepnin  Greqisë, Italisë dhe Serbisë. Shqipëria kishte për të mbetur një bërthamë e vogël poshtë Lezhës e deri në Elbasan. Në qoftë se do të mund të mbijetonte?!
          Për të gjitha këto ndihma të paçmuara dhe pa interes të SHBA-së, ne shqiptarët, në masën mbi 90 përqind, deri para dy vjetësh ishim populli më amerikandashës i Globit. Po tani pas dy vitesh, që nuk është ndonjë periudhë kaq e gjatë, ç’ndodhi?
          Washingtoni shpalli NON GRATA Sali Berishën dhe familjen e tij për korrupsion madhor domethënës, për minimin e demokracisë dhe të drejtësisë.Të njëjtin vendim mori dhe Mbretëria e Bashkuar e Anglisë. Me këtë vendim doktori dhe familja e tij nuk kanë të drejtë të shkelin në tokën amerikane dhe në Britani. SHBA nuk na detyron  dot ta hetojmë NON GRATËN. Kjo mbetet vetëm në dorën e drejtësisë sonë, e cila, për majën e Olimpit, ende po i mban sytë e mbyllura.Është e blerë, e frikësuar ose partiake. Prokuroria arreston një nënë lehonë dhe as i shkon në mend të pyesë Berishën si është e mundur nga benjamin i Washingtonit u ktheve në një njeri kaq i korruptuar dhe i urryer sa nuk duan të të përmendin as emrin ? Vetë NON GRATA në vend të tërhiqej në heshtje, u hodh në kundërsulm. Trilloi dhe sajoi lloj lloj gënjeshtrash dhe shpifjesh kundër ambasadorëve të SHBA-se dhe ambasadorit të Britanisë.  Me akuzat dhe shpifjet kundër ambasadores së përkushtuar dhe shumë të nderuar Juri Kim, ky njeri na ka turpëruar të gjithëve. Ajo gjuhë nuk u lejohet as rrugaçëve. Tani  si në ethe ka shpërthyer sulmin frontal anti amerikan. I është prishur ekuilibri se nuk është më kryetar partie. Si Rithemelim as edhe mund të votojë veçmas. U strehua  muhaxhir te komunisti tjetër, Ilir Meta. Me logon e Partisë së Lirisë dhe koalicionit të tyre Bashkë Fitojmë, ku bëjnë pjesë dhe konservatorët me minoritarët, ka regjistruar kandidatët e tij. Ata edhe mund të jenë njerëz të mirë ose demokratë të vërtetë, po deri sa pranojnë të drejtohen nga një komunist anti amerikan, doemos kanë për të zbatuar urdhërat e porositë e tij. Si grup ata po bëjnë një gabim të madh historik.
               Ç’të mira ka për t’i sjellë Shqipërisë vota pro njerëzve të NON GRATËS dhe ILIR METËS ,sidomos po qe se ajo ka për të qenë një votë masive popullore, siç ka patur antarësinë dhe simpatizantët PD-ja? E para dhe më kryesorja ka për të qenë ndërprerja e marrëdhënieve me SHBA-në dhe Anglinë. Edhe po t’i mbajnë ambasadat në Tiranë, personeli i tyre ka për të qenë si krushqit e ngrirë. Nuk do të ketë as dhe një komunikim me Berishën, njerëzit dhe qeverinë e tij. Nuk ka për të mbetur më mbrapa as Europa e Bashkuar që ka për të ndërprerë procesin e antarësimit të Shqipërisë në BE. Doemos marrëdhëniet tregëtare, bizneset Perëndimore e deri lëvizja e lirë e njerëzve për shqiptarët mund edhe të kufizohen. NATO nuk mund të na mbajë më në gjirin e saj se do të jemi njerëz anti SHBA, kur këtë organizatë e ka krijuar Amerika si kundërpeshë e bllokut komunist të Stalinit me shokë. Një studjues i vëmendshëm mund të rendisë edhe shumë gjëra të tjera, po edhe kaq mjaftojnë. Secili lexues mundet të krijojë një mendim të qartë.
               I ndodhur në këtë bllokim Amerikano-Europian nga ka për t’ja mbajtur Shqipëria komuniste e Sali Berishës? E vetme dihet se nuk mund të ekzistojë. Kur kemi qenë pa mbrojtje, Roma e pushtoi Ilirinë. Po ashtu na pushtoi Perandoria Osmane. Pas Luftës së Dytë Botërore na u gjend Bashkimi Sovjetik. Nga vitet 70 patëm Kinën e Mao Ce Dunit që na shpëtoi. Kur u prishëm me të, mbetëm si peshku pa ujë. Ramiz Alia u detyrua të lidhej me ish armiqtë e tij amerikanë për të marr një borxh të madh … Kjo është arsyeja që doktori ka për ta mbajtur frymën te Moska e Putinit. Prej kohësh rusët i kanë lëvizur urat në Ballkanin Perëndimor. Ato 500000 dollarë që pagoi Putini për logimin e  Bashës në Washington nuk mund të mbeten pa domethënie. Edhe lidhjet e Monika Kryemadhit si dividente në një kompani ruse ose transfertat e saj bankare në Svicërr (po qenë të vërteta) nuk janë pak për të treguar se te ky grupim një ”celular android” po lëviz nën rrogoz. Jo duke folur aq shqip, sa rusisht?!
Atëhere përsëri do të kemi vizita dhe delegacione nga njerëzit e Putinit. Edhe pak para mund të investojnë. Adriatiku për ta është një ëndërr… Nuk kanë për të munguar as kinezët që janë gadi ta shtrijnë influencën e tyre kudo që munden. Mbase edhe gazetarët e emisioneve televizive kanë për të na mësuar disa fjalë nga rusishtja. Pse jo dhe nga kinezçja deri sa nuk po lëmë gjë pa marrë edhe nga anglishtja: meme, podkast, sfilatë, news, koncert gala, breaking news…
Tërë kjo mbrothësi Perëndimore që është shpalosur në këto 30 vjet ka për t’u zëvendësuar gradualisht me shartimin aktual demokratiko-komunist që ka Rusia dhe me sistemin e veçantë puro kinez që ka Pekini.
          Nuk duhet harruar që populli ia fali Berishës se kishte qenë komunist. E deshi dhe e idealizoi sepse besoi që ai u kthye në demokrat. Ai ishte idhulli ynë. Dolëm të gjithë të gabuar. Doktori kishte bërë vetëm një pseudokthesë. Muajt dhe sidomos vitet bënë që shkëlqimi i tij sa vinte dhe venitej. Dolën në skenë PIRAMIDAT, viti i prapshtë 1997, furnizimi me naftë kontrabandë i Milosheviçit, grushti i shtetit dhe pushtimi i Radiotelevizionit publik, vrasjet e 21 janarit, Gërdeci me 26 viktima dhe 260 të plagosur, privatizimi i bllokut Partizani, vila pallat në Lalëz… Të gjitha këto bënë që pas 8 vjetësh në pushtet, populli të mos e votonte më. Edhe mosha, edhe goditja nga Washingtoni, së bashku kanë bërë që tani kur flet ai të mos jetë doktori i viteve 1990.E keni dëgjuar të paraqesë ndonjë program zhvillimi, të hedhë ndonjë ide për të ardhmen? E mbani mënd se për çfarë projekti konkret për të ardhmen hap duiskutimin? Jo dhe vetëm jo. I janë errur sytë. Një njeriu normal i duket se ai po flet përçart duke sharë si t’i vijë për mbarë kundërshtarët e vet. Disa prej atyre deri dy vjet më parë i ka patur njerëzit më të dashur, më të besimit, se ata ishin të mrekullueshëm. Po, deri sa qenë nën urdhërat e tij. Tani që ata preferuan Shqipërinë, para prishjes me SHBA-në për qejf të një njeriu dhe familjes së tij, na dolën hajdutë, maskarenj, vegla të Ramës ose të blerë nga ai.I tillë është Basha. Jo më i mirë ka dalë dhe Alibeaj. Rama po se po, sipas tij, ai do ta shikojë veten në burg. Flet si i bindur që populli akoma ka për të votuar për anti amerikanizmin e tij që Shqipëria sërish të izolohet. I gënjen mëndja se po fitoi në këto zgjedhje, Amerika do t’ia heqë njollën NON GRATA?! Atëhere ai ka për të ardhur përsëri në pushtet! MOS, O I MADHI ZOT, JEPU MEND SHQIPTARËVE QË ME RASTIN E KËTYRE ZGJEDHJEVE TË NDAHEN NJË HERË E PËREGJITHMONË NGA KY NJERI! Kur do të hidhni votën për kandidatët e tij, medoni se po votoni kundër SHBA-së dhe Shqipërisë bashkë, kundër të ardhmes sonë në Europën e Bashkuar. Këtë, mos e harro as dhe një moment e dashur motër ose vëlla shqiptar!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button