Opinion

Propozimet e zotit Basha si kofini pas të vjelash

Petro Dhimitri

Pas një heshtjeje shumë të gjatë zoti Lulzim Basha në takimin me një grup të rinjsh doli me këto tri propozime shpresëdhënëse: 1.Deputetët të zgjidhen 100 përqind nga populli,2. Të fillojë vetingu i politikanëve,3. Të kufizohet mandati i Kryeministrit.

   Kur zoti Basha ishte kryetar i PD-së jo vetëm që nuk i vinte zëri që të gjithë deputetët të zgjidheshin nga populli, po ai i caktonte vetë deputetët, duke mbajtur listën e tyre në xhep. Anashkaloi pa pikë pishmanllëku statutin e partisë që e shprehte saktë që deputetët i propozonte forumi përkatës. U desh që ai të binte nga fiku, të heshtëte kaq gjatë që të bëhej esëll për të korrigjuar një gabim të madh të bosit të tij me emrin Sali Berisha. Më 1908 bashkë me Edi Ramën ata vendosën që t’ia hiqnin popullit të drejtën për të zgjedhur direkt deputetët. I morën vetë frenat e karrocës së Dylit në dorë për të qenë superzotër të partive që drejtonin. Pas një gurguleje të madhe, vite më vonë, puna arriti në një kompromis që edhe populli të kishte të drejtë të zgjidhte direkt përgfaqësuesit e vet, po edhe partitë do të kishin të drejtë të mos mbeteshin pa bërë lista për deputetë partiakë, të cilët,edhe pse nuk i ka zgjedhur populli, cicërojnë në Parlament sikur të ishin përfaqësuesit e tyre. Shëmbulli më tipik është rasti i Sali Berishës. Kavaja atë nuk e votoi. Mori vetëm 174 vota. Lulzim Basha nga lista partiake e bëri deputet. Tani ai çirret e përbetohet se( me korrupsionin dhe anti amerikanizmin e tij) po u shërben interesave të popullit shqiptar?! Ec e besoje atë demon të ligësisë?!
        Edhe pse i vonuar, edhe pse Basha ra nga fiku, ky zgjim i tij kaq i vonuar nuk ka pse të anashkalohet. Do të jetë në të mirë të demokracisë për të vënë në vënd një të drejtë që iu mohua popullit për të zgjedhur ai të gjithë deputetët e tij. Dikush mund të thotë se edhe në disa shtete evropiane ka deputetë që zgjidhen nga listat partiake. Kjo është e vërtetë, po nuk duhet harruar se në çdo aspekt ne jemi shumë larg demokracisë së vëndeve europiane. Tek ne deputetët nga listat partiake janë si një çiban që u bashkangjitet përfaqësuesve që ka zgjedhur populli.Listat partiake veçse ua rrisin kompetencat kryetarëve të partive që edhe pa ato lista ata janë të plotfuqishëm, për të mos thënë se janë si shkopi i dirigjentëve.
       Kërkesa e dytë e zotit Basha që të fillojë vetingu i politikanëve, ndonëse shumë e drejtë, bie në vesh të shurdhër. As Berisha si i korruptuar me damkë ndërkombëtare dhe as Rama ende pa një damkë të tillë, nuk e pranojnë këtë lloj vetingu. Zorr të gjenden njerëz në botë që duan t’i bëjnë varrin vetes. Kur Basha ishte kryetar asnjëherë nuk tha të fillonte  vetingu, duke nisur nga vetë ai. Pse? Ai nuk ka prona. Duan të thonë se ato i ka kaluar në emër të bashkëshortes. Po ai nuk ishte i sigurtë që vetingu kishte për ta kapërdirë këtë artific. Kishte frikë se do t’i bënte puçin vetes. Tani e bën këtë propozim vetëm për politikë, për të fituar pikë me shpresë se mund të rivihet sërish në postin e kryetarit që ka mbetur bosh.
        Për Berishën dihet që vetingu e dërgon drejt e në qeli. Edhe Rama i trëmbët atij procesi.Po të kishte qenë poilitikan i duarve të pastra menjëherë do ta kishte pasë filluar atë lloj vetingu. Ai e di misë se edhe disa, në mos shumë nga të tijët, nuk mund ta kapërcejnë vetingun. Kanë para, prona, investime, tendera, mbase dhe  veprime bankare që i fundosin përgjithmonë.Ndoshta më keq nga prokurorët dhe gjygjtarët, politikanët do të bëheshin gazi i botës. Populli kishte për t’u zhgënjyer edhe më shumë kur të shikojë mashtrimet financiare të njerëzve që u besoi duke i votuar me gjithë zemër. Kohë më parë edhe Alibeaj e ngriti zërin për vetingun e politikanëve. Askush nuk ia vari të gjorit,megjithëse kishte 100 përqind të drejtë.Natyrshëm, partia në pushtet kurrsesi nuk dëshiron të diskreditojë veten për të bërë skopinë e elitës së saj të tejmajmur nga zhvatjet e pandërprera të periudhës dymbëdhjetëvjeçare.
        Kjo skopi mund të bëhet vetëm po qe se Europa e Bashkuar ka për ta kërkuar si kusht për të na pranuar në gjirin e saj. Megjithatë Basha duhet përgëzuar që, edhe pse kaq i vonuar, e ngriti këtë problem shqetësues kaq urgjent. Ai më duket si i pazgjidhshëm nga që barriera e çeliktë e politikanëve tanë, është e aftë të sprapsi çdo sulm të kujtdo individi ose partie shqiptare.
        Të dalim te kërkesa e tretë më se e domosdoshme: kufizimi i mandatit të Kryeministrit.
        Në të gjitha vendet demokratike partia që fiton zgjedhjet parlamentare ka të drejtë të caktojë kryeministrin e qeverisë. Në shumë vende kryetarët e partive fituese automatikisht marrin këtë post.Në ato vende shumë të rrallë kanë qenë kryeministrat që kanë ndejtur më shumë se 8 apo 10 vjet. Përjashtim ka qenë Kryeministri i Gjermanisë zoti Kohl. Po ashtu Miterani me Merkelin. Me që kohëzgjatja kryeministrave nuk ka qenë problem, prandaj nuk është përcaktuar afati dy herë nga 4 ose 5 vjet si për presidentët. Kjo gjithmonë për Europën e demokracive brilante. Për Shqipërinë ndryshon puna. Tek ne thuajse nuk ekziston si rrotacioni brënda partive ashtu dhe ai për postin kryeministror. Te ne partitë janë prona të kryetarëve të tyre qofshin parti të mëdha si PD dhe PS apo edhe nga më të voglat.Fitoi tre palë zgjedhje PS-ja, për 12 vjet kryeministër kryetari i saj Edi Rama.Po fitoi edhe për herë të katërt, i bie që sërish po ai të jetë kryeministër. Nuk mund ta quajmë shkelje se është konformë Kushtetutës. Megjithatë, zoti Basha i cili ,si shumë shqiptarë, madje edhe si mjaft socialistë, që nuk duan përjetësisht që i njëjti njeri të jetë Kryeministër, propozon kufizimin e mandatit të tij. Është një anashkalim nga rregullat e demokracisë europiane, po ama për vendin tonë më se i domosdoshëm.Me këtë rast, ai mendon se në këtë mënyrë kanë për të shpëtuar nga Rama.Ky propozim kërkon patjetër ndryshimin e Kushtetutës. A do t’u intereresonte ky propozim socialistëve dhe vetë zotit Edi Rama? Nuk e di ç’të them. Po qe se Rama ka vendosur që pas dy vjetëve të mos jetë më kryeministër kjo ide edhe mund të pëlqehet. Nuk ka asgjë të keqe. Do të jetë vetëm në të mirën e Shqipërisë.
        Nuk e kuptoj pse zoti Basha do kufizim vetëm për Kryeministrin dhe harron që ky kufizim kohor duhet të jetë edhe për kryetarët e partive?! 32 vjet në PD zyrtarisht dhe formalisht i njëjti kryetar?! Apo shpreson sërish të vihet në krye të partisë që edhe ai ta mbajë atë post pambarimisht?!Kësaj i thonë:” Bëj si them unë dhe mos bëj si bëj unë?!”. Jo, zoti Basha, nuk duhet ta kishit harruar këtë problem kanceroz të partive tona!
        Po e mbyll këtë shkrim duke thënë: Politikanët tanë kur janë në karrike kërkojnë të jetë të gjithëpushtetshëm . Përpiqen që ligjet t’i bëjnë në atë mënyrë që të kenë sa më shumë përfitime si individë dhe si parti. Vetëm kur nuk janë më në karrike guxojnë të bëjnë propozime shumë të vlefshme si këto të zotit Lulzim Basha. Është zgjim i vonë apo dyftyrësi?! Është më shumë kjo e dyta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button