A e shëron apo e përhap amnistia fiskale informalitetin?!!
Prof. Dr. Arben Malaj
“Kur integriteti i qeverisë është i dobët, ekonomia informale dhe kriminale përhapet duke u bërë vrastare për ekonominë dhe demokracinë. Vendet me demokraci të brishtë kërcënohen edhe nga kapja e shtetit”
Debati publik për (mos) miratimin e amnistisë fiskale duhet t’i shërbejë qeverisë që të mos e miratojë atë në mënyrë të njëanshme. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë një moment kritik dhe njëkohësisht shpresëdhënës për përshpejtimin e integrimit në BE. Prandaj qeveria/qeveritë nuk duhet të miratojnë asnjë ligj, për të cilin ka shqetësime serioze dhe të argumentuara nga BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë.
Për politikëbërësit, administratën publike në nivel vendor dhe qendror, stafet akademike dhe organizatat e biznesit duhet të jenë të qartë se avancimi në procesin e anëtarësimit në BE, NATO, OBT dhe çdo organizatë tjetër ndërkombëtare është një proces dinamik i “dorëzimit vullnetar” të sovranitetit.
Populist është “këshillimi popullor” për ta bërë apo jo amnistinë fiskale. Përplasjet midis sovranitetit dhe nacionalizmit me integrimin euro-atlantik ushqehen nga përfitimet abuzive elektorale ose interesa gjeopolike kundër BE-së. Këtë vërtetojnë rastet e shqetësimeve të BE-së me Hungarinë, Poloninë dhe Portugalinë.
Është e vërtetë që shumë vende evropiane kanë aplikuar amnisti fiskale dhe “pasaporta të arta”, por nuk duhet të mohojmë argumentin themelor të qëndrimit kundër rastit tonë nga BE, SHBA dhe UK.
Edhe studimet e eksperiencave të amnistisë fiskale apo “pasaportave të arta” në vende të tjera qartësojnë dhe paralajmërojnë se në vendet me institucione të dobëta, efekti i amnistisë fiskale dhe i “pasaportave të arta” nuk është pozitiv, pasi lehtësojnë pastrimin e parave kriminale dhe rritin ndikimin e tyre negativ për ekonominë dhe demokracinë.
Në këtë mënyrë, disa grupe kriminele mund të përfitojnë nga amnistia fiskale, duke rritur fuqinë e tyre ekonomike. Në të njëjtën kohë, është vërtetuar se në vendet ku krimi nuk është më vendor apo thjesht kombëtar, por ndërkombëtar, ai e ka rritur fuqinë e tij ekonomike dhe rrezikon të rrisë edhe fuqinë e tij politike. Vendet me demokraci të brishtë janë në rrezik të kapjes së shtetit.
Kapja e shtetit nënkupton rritjen e pushtetit politik nga oligarkët, të cilët ndikojnë në politikat ekonomike, rrisin aksesin përfitues në fondet publike, partneritetet preferenciale publike private dhe koncesionet. Proporcionalisht me rritjen e fuqisë ekonomike, ato rritin ndikimin e tyre negativ tek të zgjedhurit dhe në drejtoritë kryesore të mbledhjes së të hyrave buxhetore dhe në dikasteret apo drejtoritë ku shpenzohen pjesa më e madhe e shpenzimeve dhe e investimeve publike.
Ashtu si çdo fenomen tjetër, edhe amnistia fiskale ka avantazhet dhe kostot e saj. Një studim konciz ka sqaruar tetë avantazhe dhe tetë kosto. Avantazhet e amnistisë fiskale përfshijnë: (i) të ardhura buxhetore më të larta në një kohë të shkurtër; (ii) zgjerim të bazës së tatimpaguesve; (iii) kthen disa shmangës taksash në rrugën e pagesës së ndershme të taksave; (iv) ofron një mundësi të butë për ata që kanë gabuar duke i kaluar nga statusi informal në formal; (v) siguron në afatshkurtër disa të ardhura që mund të lehtësojnë humbjet nga strukturimi i të ardhurave buxhetore; (vi) dërgon mesazhe të qarta se pas amnistisë qeveria do të ketë një fokus të qartë në luftën kundër evazionit; (vii) Redukton koston administrative të mbledhjes së të ardhurave pasi bizneset që do të zyrtarizojnë aktivitetin e tyre i paguajnë ato në formën e vullnetarëve dhe (vii) përmirëson mbajtjen e pajtueshmërisë dhe monitoron individët që më parë nuk i kanë respektuar rolet tatimore.
Kostot e një amnistie fiskale janë: (i) inkurajon mosrespektimin e ligjeve. Pas një amnistie, çdo parti politike në maxhorance, por sidomos në opozitë, do të premtojë një amnisti të re. Kjo periudhë jo e shkurtër do të nxisë mospagimin e taksave duke pritur “faljen” e amnistive të ardhshme; (ii) tregon dobësinë e qeverisë në mbledhjen e të ardhurave, e cila ushqen dhe nuk redukton informalitetin; (iii) amnistia është një goditje e rëndë morale, por edhe ekonomike për taksapaguesit e ndershëm. Bizneset e tyre rrezikohen nga konkurrenca nga bizneset informale dhe më shumë nga ato me burime kriminale; (iv) dërgon mesazhin se evazioni fiskal është një “peccadillo” (faj apo mëkat i vogël/ i justifikueshëm); (v) përvoja të tjera tregojnë se amnistitë arkëtojnë më pak të ardhura në krahasim me shifrat e mëdha justifikuese për domosdoshmërinë dhe dobishmërinë e amnistive fiskale; (vi) individët marrin një mesazh se mund të vazhdojnë në mënyrë joformale; (vii) Kostoja morale e pandershmërisë zvogëlohet/justifikohet, kështu që pandershmëria konsiderohet një e keqe e pranueshme ose diçka e natyrshme dhe (viii) Amnistitë gjenerojnë të ardhura që mund të mblidhen edhe pa aplikimin e amnistisë.
Duke marrë parasysh se kostot afatgjata të amnistive fiskale janë shumë më të mëdha dhe të dëmshme për një sistem tatimor të ndershëm dhe për një ekonomi të qëndrueshme me rritje të larta dhe gjithëpërfshirëse se përfitimet afatshkurtër të amnistive fiskale; duke marrë parasysh paralajmërimet/imponimet e BE-së, duke pasur parasysh se BE është kritike dhe me vendet e saj anëtare kur ato aplikojnë amnisti fiskale apo “pasaporta të arta”; duke marrë parasysh koston e rasteve kritike kur BE ka penalizuar vendet anëtare si Hungaria, Polonia dhe Portugalia – bëhet gjithnjë e më e qartë se miratimi i njëanshëm i amnistisë fiskale nën “krenarinë” e sovranitetit kombëtar do të jetë një hap pas në proceset integruese që do t’u kushtojë shqiptarëve.
Nuk mund të krenohesh që shqiptarët janë 100% pro amerikanë dhe 90% pro europianë dhe të mos respektosh kërkesën e tyre 100% të qarta dhe këmbëngulëse për të mos miratuar amnistinë fiskale dhe “pasaporta të arta” në mënyrë të njëanshme.
Shpresoj dhe apeloj që qeveria/qeveritë sot dhe në të ardhmen të mos krijojnë pengesa apo vonesa për vendin e tyre në proceset integruese. Domosdoshmëria dhe dobia e eliminimit të çdo vonese dhe pengese.
Kjo bëhet akoma më e qartë pas luftës në Ukrainë dhe shtimit të rrezikut për përhapje të konflikt-it/eve gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.
Një veprim i njëanshëm do të sjellë rezultate të rënda deri në ngrirjen e negociatave ku hapi i parë është pikërisht screening-pra përputhshmëria e legjislacionit shqiptar me atë evropian edhe në raport me kriteret e Kopenhagën 1993.