A mund të ndjekim Hungarinë në hetimin e pasurive të zyrtarëve?

Në Parlamentin e Hungarisë janë depozituar për shqyrtim dy iniciativa ligjore interesante që ia vlen të njihen edhe nga audienca shqiptare. Këto dy iniciativa legjislative burojnë nga i njëjti mandat qeverisës i partisë Tisza nën kryeministrin Péter Magyar dhe kanë të bëjnë me integritetin e zyrtarëve publikë hungarezë, por trajtojnë probleme thelbësisht të ndryshme dhe përdorin arkitektura institucionale të ndara.
Është me interes të theksohet se, nga ky këndvështrim, situata në vendin tonë paraqet njëfarë ngjashmërie me atë në Hungari. Nuk e kam fjalën vetëm për qeverisjen arrogante të z. Rama, e cila ngjason dukshëm me atë të Viktor Orbanit që u largua nga pushteti pas një votimi plebishitar (pjesëmarrja 79%) para disa muajsh. Fjala është për vjedhjen e fondeve të BE-së (fondeve të IPARD-it) nga zyrtarët, si dhe për pasurimin e paligjshëm të politikanëve dhe të zyrtarëve publikë në kushtet kur institucioni shtetëror përgjegjës, ILDKPI, është thjesht një ndër institucionet fasadë që vendi ynë ka prej gati një çerek shekulli. Madje, edhe krijimi i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK, mund dhe duhet të shihet si një premisë e dobishme, nëse klasa politike do të ketë vullnetin për të ndryshuar kuadrin ligjor përkatës dhe, mbi të gjitha, për të punuar për zbatimin me korrektësi të këtyre akteve ligjore, pavarësisht se kush është në pushtet në një kohë të caktuar. Drejtimet e këtyre ndryshimeve ligjore do t’i shtjellojmë në vijim.
Propozimi T/174 është dorëzuar në Parlamentin hungarez më 9 qershor 2026 nga ministrja e Drejtësisë, Márta Görög dhe është miratuar më 23 qershor 2026 si Ligji XVIII i vitit 2026 (“Për ndryshimin e disa ligjeve të nevojshme për aksesin në fondet e Bashkimit Evropian”). Kjo paketë ligjore prej 110 faqesh me 162 paragrafë modifikoi rreth 30 ligje ekzistuese dhe kishte si qëllim kryesor plotësimin e “supermilingurave” të nevojshme për zhbllokimin e rreth 16,4 miliardë eurove nga fondet e BE-së.
Projektligji i shpallur më 17 shtator 2026 është një iniciativë plotësuese e qeverisë hungareze – nisma për verifikimin e pasurimit të politikanëve – jo modifikim i mëtejshëm i sistemit të deklarimit të pasurisë, por një regjim i ri i pavarur i “vagyonosodási vizsgálat” (hetim i akumulimit të pasurisë) që i beson NAV-it (Agjencisë Kombëtare Tatimore dhe Doganore) detyrën për të verifikuar përputhshmërinë midis pasurisë, mënyrës së jetesës dhe të ardhurave të deklaruara.
Ndryshimi themelor institucional është si vijon: T/174 mbështet “Integritás Hatóság”, pra Autoritetin e Integritetit të Hungarisë – organ administrativ autonom i specializuar i krijuar për parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit, mashtrimit, konfliktit të interesit dhe parregullsive në përdorimin e fondeve të BE-së – një institucion me kompetenca të kufizuara, por të fokusuara në integritetin publik, ndërsa projektligji i shtatorit shfrytëzon aparatin operativ shumë më të fuqishëm të NAV-it me instrumentet klasike të hetimit fiskal.
Ky dallim shpjegon edhe pse periudha prapavepruese është kaq e gjatë te projektligji i dytë: NAV ka autoritetin ligjor dhe teknik për të hetuar akumulimin e pasurisë përgjatë dekadave, ndërkohë që IH-ja fokusohet mbi deklarime specifike me detyrim ruajtjeje 3-vjeçare. Përmes këtij ligji synohet që të vendosen bazat ligjore për kontrollin e pasurimit të politikanëve, deri njëzet vjet pas në kohë, d.m.th. deri përpara njëzet vjetësh.
Mbi bazën e këtyre dy dokumenteve dhe të krahasimit me kuadrin ligjor në fuqi në Shqipëri, në vijim jepet një analizë krahasuese, e cila duhet të shihet jo si transplantim i drejtpërdrejtë i modelit hungarez, por si paketë amendimesh që forcon zbatueshmërinë e ligjit shqiptar nr. 9049/2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe kapacitetin e ILDKPI-së për verifikim real të pasurisë. Kjo sepse ligji shqiptar ka tashmë një bazë të gjerë deklarimi, kontrolli, aksesi në të dhëna dhe sanksionesh; boshllëku kryesor është automatizimi, verifikimi i bazuar në rrezik dhe ndjekja efektive e pasurisë së pajustifikuar.
Çfarë funksionon tashmë
Ligji shqiptar nr. 9049/2003 kërkon deklarim fillestar, vjetor dhe pas largimit nga funksioni; përfshin pasuri, të ardhura, detyrime, dhurata, interesa private dhe shpenzime të deklarueshme. Ai mbulon zyrtarë të lartë, drejtësinë, administratën, organet e pavarura, strukturat tatimore e doganore, si edhe bashkëshortin/en, bashkëjetuesin/en dhe fëmijët madhorë.
Ai parashikon gjithashtu kompetenca të rëndësishme: ILDKPI mund të zhvillojë hetim administrativ, të marrë të dhëna nga bankat dhe institucionet publike/private, të kërkojë shpjegime nga deklaruesi dhe të referojë rastet për masa disiplinore, administrative ose penale. Dokumentacioni ruhet për 10 vjet, ndërsa deklaratat janë dokumente zyrtare dhe publikohen me kufizimet e nevojshme të privatësisë.
Kjo do të thotë se reforma nuk duhet të ndërtojë një sistem paralel nga e para. Prioriteti duhet të jetë kthimi i kompetencave ekzistuese në një proces të integruar, të digjitalizuar, të matshëm dhe të mbrojtur nga trajtimi selektiv i subjekteve.
Dallimet kryesore
Kontrolli i plotë në Shqipëri kryhet sipas cikleve të ndryshme – çdo 2, 3, 4 ose 5 vjet, në varësi të kategorisë së zyrtarit – ndërsa kontrolli i jashtëzakonshëm lidhet me të dhëna që vënë në dyshim deklarimin. Ky model mund të lërë periudha të gjata pa verifikim substancial për subjektet me rrezik të lartë.
Në modelin hungarez, verifikimi i integritetit mbështetet te analiza e rrezikut, të dhënat e regjistrave dhe raportimet; projekti i hetimit të pasurisë shkon më tej, duke e nisur vlerësimin nga pasuria faktike dhe jo vetëm nga ajo që është deklaruar.
Garanci kushtetuese
Modeli i hetimit hungarez me shtrirje deri në 20 vjet ngre çështje mbi sigurinë juridike, proporcionalitetin dhe perceptimin e përdorimit politik të kontrollit. Për këtë arsye, Shqipëria nuk duhet të importojë një afat të tillë prapaveprues pa analizë kushtetuese dhe pa lidhje të qartë me afatet e parashkrimit tatimor, administrativ dhe penal.
Reforma shqiptare duhet të mbështetet në parimet e ligjshmërisë, proporcionalitetit, së drejtës për t’u dëgjuar, aksesit në dosje, arsyetimit të vendimit, mbrojtjes së të dhënave personale, kontrollit gjyqësor efektiv dhe trajtimit të njëjtë të të gjitha kategorive të zyrtarëve. Këto garanci janë thelbësore që kontrolli i pasurisë të jetë mjet integriteti publik, jo instrument selektiv politik apo për hakmarrje.
Paketa shqiptare duhet të garantojë:
- Barrë fillestare institucionale: autoriteti paraqet mospërputhjen dhe provat, përpara se t’i kërkojë subjektit shpjegim të dokumentuar.
- Mbrojtje efektive: akses në dosje, kohë e arsyeshme, përfaqësim, prova alternative dhe kundërshtim të metodologjisë.
- Vendim të arsyetuar dhe ankim: asnjë masë përfundimtare vetëm mbi dyshime të pakonkretizuara.
- Ndarje procedurash: mosbarazim të përfundimit administrativ me fajësi penale ose me konfiskim automatik.
- Mbrojtje të të tretëve: respektim të pronarëve dhe përfituesve në mirëbesim.
- Zbatim të barabartë: kritere të njëjta për shumicën, opozitën dhe ish-zyrtarët.
Për një kontroll administrativ, amendimi i ligjit nr. 9049/2003 është pika kryesore e ndërhyrjes. Nëse synohen edhe kompetenca të reja tatimore, rrugë të reja konfiskimi ose zgjerimi i mandatit të ZRA-së, rekomandohet paketë e koordinuar ndryshimesh në legjislacionin përkatës, jo një klauzolë e vetme që i jep ILDKPKI-së të gjitha funksionet.
Përparësia duhet të jetë zbatimi i detyrimeve ekzistuese për kontroll e publikim, ruajtja e provave dhe amendimi i boshllëqeve të identifikuara. Formula e rekomanduar është: verifikim historik i arsyetuar + kontroll automatik pas largimit + pronësi reale + prova të ruajtura + referime të ndjekura + kontroll gjyqësor, jo thjesht “hetim 20-vjeçar”.
Këto ndryshime do ta zhvendosnin ligjin shqiptar nga një model kryesisht deklarativ dhe ciklik drejt një modeli modern: deklarim digjital + ndërveprim i regjistrave + analizë rreziku + kontroll substancial + referim i detyrueshëm + transparencë e balancuar.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.