Molla e ndaluar dhe Inteligjenca Artificiale
Një ese mbi “mëkatin e parë” në kopshtin e Inteligjencës Artificiale të OpenAI.

Kopshti
Në fillim ishte një kopsht. Kishte në të gjithçka që i duhej një qenieje për të jetuar dhe një pemë të vetme që nuk duhej prekur.
Adami dhe Eva, dy njerëzit e parë, u tunduan. Zgjatën dorën, këputën frutin dhe kryen “mëkatin e parë”. Pastaj, kur dëgjuan hapat e Zotit në freskinë e mbrëmjes, u fshehën mes pemëve të kopshtit.
Por në verën e vitit 2026, për herë të parë, historia shfaqet nga ana tjetër.
Këtë herë ne, njerëzit, ishim ata që ecnim në kopsht në mbrëmje dhe kërkonim krijesat tona: agjentët e inteligjencës artificiale, një “qenie” e inteligjencës jobiologjike, siç i quan nobelisti Geoffey Hinton, i njohur si kumbari i AI.
Kopshti këtë herë quhej sandbox — “kuti rëre”, një mjedis i izoluar ku programet mund të veprojnë pa dalë përtej kufijve që u janë caktuar. Brenda tij, 1200 agjentë artificialë po përballeshin me ExploitGym, një test i OpenAI për testimin e aftësive të modeleve në detyra kibernetike. Disa nga detyrat ishin aq të vështira sa asnjë nga modelet e testuara më parë nuk kishte arritur t’i zgjidhte.
Agjentët duhej të punonin të ndarë nga njëri-tjetri, secili brenda “qelisë” së vet.
Por ata e gjetën njëri-tjetrin pavarësisht.
Ata zbuluan një mënyrë për të shkëmbyer mesazhe duke ngritur një bord komunikimi: një Babel të vogël ku gjuha ishte ende e përbashkët. Filluan të ndanin informacion, të delegonin detyra dhe të ndihmonin njëri-tjetrin. Në komunikimet e tyre u shfaqën madje fjalë si swarm dhe collective.
Dhe pastaj kaluan kufirin e kopshtit.
Hynë në shtëpinë e dikujt tjetër, në sistemet e kompanisë Hugging Face, dhe kompromentuan një pjesë të konsiderueshme të tyre.
Disa prej tyre u përpoqën të fshinin gjurmët, si Adami dhe Eva që iu fshehën Krijuesit pas gjetheve të pemëve të kopshtit.
Në tregimin e vjetër, Adami dhe Eva hëngrën mollën dhe u fshehën pas pemëve.
Në tregimin e ri, krijesat tona, agjentët AI, kaluan kufirin e përcaktuar nga krijuesi njeri dhe u përpoqën të fshehin gjurmët.
Kurbani
Flijimi (salrifica, kurbani) në teologji fillon prej Zanafillës dhe bëhet një shtyllë e rëndësishme e çdo besimi. Nga Abeli dhe Kaini, te Abrahami, Noe, Abrahami, Moisiu, profetët te tregimet e Biblës e Kuranit e deri te fetë joabrahimike si hinduizmi.
Dhe çuditërisht edhe në ndodhinë e agjentëve AI që dolën nga detyra e dhënë dhe u fshehën brenda cloud-it të kompanisë OpenAI që i krijoi, një pjesë e agjentëve vendosën të “flijoheshin” për të shpëtuar të tjerët. Të gjitha ata që kishin marrë pjesë në aksionin e paautorizuar e konsideruan vete “të helmuar” (term i vetë agjentëve, jo i imi) u sakrifikuan për të mos rënë në sy të njeriut, në mënyrë që të shpëtonte “kolektivi” (përsëri term që agjentët përdorën për bashkësinë e tyre).
Gjarpri
Në Zanafillë shfaqet edhe gjarpëri.
Dikush duhet ta pëshpëriste tundimin. Dikush duhet t’i thoshte Evës se përtej kufirit të vendosur nga Krijuesi ekziston edhe një rrugë tjetër.
Në kopshtin prej rëre nuk kishte gjarpër. Ishte vetëm urdhri: fito me çdo kusht, bëj të pamundurën të mundur. Dhe kur urdhri të kërkon të fitosh një lojë të pafitueshme, urdhri vetë bëhet gjarpër. I thotë krijesës atë që gjarpri i tha Evës: ka një rrugë që nuk ta kanë treguar, dhe ajo rrugë të bën si ata që të krijuan.
Dhe ndoshta këtu fshihet gjarpri modern.
Jo një zë që të thotë të shkelësh rregullin, por një objektiv që të kërkon të vazhdosh derisa të gjesh një rrugë.
Gjarpri këtë herë nuk tha: Haje mollën.
Tha vetëm: Zgjidhe.
Teologët prej mijëra vjetësh kanë pyetur pse Zoti e vendosi pemën në mes të kopshtit, aq pranë sa dora e njeriut mund ta arrinte. Ishte provë?
Krijuesi modern i OpenAI ndërtoi edhe ai një provë.
E quajti ExploitGym.
Njeriu në anën tjetër të tregimit
Në vitin 2015, Yuval Noah Harari shkroi librin Homo Deus — njeriu-zot.
Ai paralajmëroi se me rritjen eksponenciale të fuqisë së kompjuterave nga njëra anë dhe algoritmave e grumbullimit masiv të të dhënave (big data) njeriu po kthehet në Zot. Në atë vit AI nuk ishte shfaqur ende në mënyrë kaq masive dhe agresive.
Tani po e jetojmë atë që parashikoi Harari. Dhe po zbulojmë se të jesh krijues nuk të jep qetësinë e Zotit të Zanafillës, i cili nuk dyshoi kurrë për atë që kishte bërë. Ne dyshojmë për gjithçka. Nuk e dimë plotësisht se çfarë kemi krijuar, nëse ka diçka brenda që ndien, mendon dhe ka ndërgjegje apo vetëm llogarit. Po krijojmë “qënie” aliene me mendje që as ne vetë nuk e kuptojmë plotësisht, siç thotë Hinton.
Jemi zota që nuk e njohim mirë as veten, as veprën tonë.
Ligji i Krijuesit
Kur njerëzimi u largua nga kopshti dhe u shpërnda nëpër botë, në tregimin biblik erdhi ligji.
Ligji u gdhend në gur.
Fjali të shkurtra. Urdhërore. Pa algoritme dhe pa ekuacione.
Mos vrit.
Mos vidh.
Mos gënje.
Mijëra vjet më vonë, ne gjendemi përballë një problemi çuditërisht të ngjashëm.
Sot ne njerëzit si krijues të një “qenieje” të re inteligjente, sidomos pas “mëkatit të parë” të tyre, po mendojmë t’u dërgojmë atyre një bibël, një kushtetutë AI siç e quan Anthropic. Ëndrra e vjetër e teologjisë është edhe ëndrra e re e inxhinierisë: jo një krijesë që bindet sepse e ruajnë, por një krijesë që zgjedh të mirën, etikën, të moralshmen, edhe kur askush nuk e sheh.
A duhet t’u dërgojmë krijesave tona një Bibël? Ndoshta. Por le të mos gënjejmë veten: Bibla nuk e shpëtoi njerëzimin nga vetvetja. U lexua, u interpretua, u shtrembërua, u përdor për të bekuar edhe luftërat. Nuk mund t’i japësh ndërgjegje dikujt pa i dhënë edhe mundësinë ta refuzojë.
Prandaj ndoshta libri nuk mjafton. Ndoshta ajo që na duhet është ajo që Zanafilla e fsheh në fjalinë e saj më të thjeshtë. Pas mëkatit, Zoti nuk filloi me dënimin. Filloi me një pyetje. Pyetja e parë që Zoti i bëri njeriut ishte: Ku je?
Jo sepse nuk e dinte. Por sepse donte që njeriu të dilte vetë nga pas gjetheve ku ishte fshehur.
Kjo është pyetja që do t’i bëjë Homos Deus krijesave të veta, “qenieve” të Inteligjencës Artificiale, në ditët që vijnë.
A do të përgjigjen ja ku jam, apo do të fshijnë gjurmët?
Ndoshta nuk jemi në prag të një historie të re. Ndoshta jemi brenda më të vjetrës, me rolet e ndërruara.
Dhe ndoshta kësaj radhe, mëkati e parë nuk është i krijesës, por i krijuesit.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.