Opinion

A njeve, kish vdekë Vokrri?

Nga: Berat BUXHALA

E gjithë Prishtina dje, me vaj në buzë, e ka bërë këtë pyetje. Të gjithë ishim të frikësuar. Çka do të ndodhë tash me ne? Çka do të ndodhë tash me futbollin tonë? A do të dimë ta godasim topin?

Ky shkrim është një histori personale e imja me Fadil legjendën.

Ishte pothuajse mesnatë. Cyrih. Të gjithë e kishim gojën vesh-më-vesh nga gëzimi që djemtë e ekipit të Kosovës në futboll e fituan edhe një ndeshje miqësore, duke i treguar botës se ajo çfarë kishin parë prej nesh në edicionin e kaluar të garave për kualifikime nuk kishte qenë fytyra jonë e vërtetë. Viktimë, fatkeqësisht, ishte Shqipëria. Tash do të gënjeja nëse do të thosha, që unë, apo dikush tjetër, po ndienim pikëllim pse ia treguam vendin edhe Shqipërisë. Në fakt jo Shqipërisë, por kreut të Federatës së Shqipërisë.

“Llegendë, po shkoj unë me flejt se nesër kam m’u nis herët për Londër”, unë.

“Qysh shkova me flejt? E birra e ftoftë që t’erdh”, ai.

“O nuk kam pi birrë qе 10 vjet “, unë.

“Kape – kape pije, nuk shkove me flejt pa e pi”, ai.

“A po, a?” unë.

Kur po e bënim këtë bisedë dikush e luti Fadilin për një foto, kurse unë, meqë ashtu u urdhërova nga legjenda, e çova eks birrën. Ishte e para në 10 vitet e fundit. Kur u kthyе kah unë filloi të qeshte me gjithë zemër kur e shikoi gotën e zbrazët, sikur të kisha bërë ndonjë truk.

“Po shihet që nuk paske pi që 10 vjet”, e tha me plot ironi, duke qeshur e duke e mbajtur dorën në bark, siç e kishte shprehi.

After – party i fitores po ndodhte para hotelit Hilton, afër aeroportit të Cyrihut. Fadili ishte një bonvivant i vërtetë. Pinte birrë dhe tymoste puro. Kur ne po qëndronim aty, atij dikush ia solli një pako me cigare të ndryshme. Kishte prej të gjitha llojeve. Ai e more një Cohiba.

Fadilin e kisha dashur shumë si futbollist, kurse viteve të fundit fillova ta admiroja shumë si njeri. Doja të besoja se edhe ai më donte. Unë, kur u patëm njoftuar, isha gëzuar shumë që ai ma dinte emrin. Është pak a shumë sikur kur e di që Ismail Kadare të njeh me emër. Një gjë e tillë është vazhdimisht një ndjenjë e veçantë.

Fadili kënaqej kur dikush ia tregonte postimet e mia në FB.

Një kohë të gjatë u pata shndërruar në zëdhënës të paautorizuar të ekipit të Kosovës në futboll dhe sportit të Kosovës në përgjithësi. I mbrojta djemtë e ekipit të Kosovës, kur ata u sulmuan në mënyrë dashakeqe nga gazetarët në Shqipëri. U përplasa në studion e Opinionit disa herë për ekipin e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i cili me gjuhën e tij po e helmonte ambientin për të krijuar Kosova një ekip të futbollit. Dëshironte një hegjemoni mbi ne. Këto paraqitje të mia, shkrimet e mia, posacërisht kur e mora në mbrojtje djaloshin simpatik nga Vushtrria  Milot Rashica, nuk kishin kaluar pa u vërejtur nga Vokrri.

“E lexova”, thoshte duke qeshur, dhe i bënte ca lëvizje interesante të krahëve. “Qashtu osht qysh e ki shkru.”

Kur fillova ta kritikoja lojën e dobët të Kosovës, posaçërisht trajnerin Albert Bunjaku, filloi të më quante trajner. Këtë bisedë e bëmë edhe atë mbrëmje pas fitores kundër Shqipërisë.

“Nuk desha me i harxhu gjys milioni euro, me e marrë një trajner të ri, ato kualifikime ishin të humbura. Badihava….”.

Vokrri e kishte një personalitet të paparë. Më shumë fliste me gjuhë trupore sesa me gojë. Ndoshta sepse gjatë jetës së tij ka folur më trup me shumë sesa me gojë. Ka folur me këmbë. Ka folur me kokë. Ka folur me gjoks. Me thembër. Ka folur me të majtën dhe me të djathtën. Ka folur me çdo pjesë të trupit.

Si orator ishte i ngathtë. Madje, ishte i papërshtatshëm edhe për t’u intervistuar. Rrëfimet i kishte copa – copa dhe në fjali të shkurtra. Fjalët i dilnin me qykë të zorit. Ishte një lloj Ibrahim Rugove i sportit. Kurrë nuk mburrej. Asnjëherë nuk ka qenë popullist. Nuk ka qenë demagog.

Fadili e bëri historinë, duke e bërë Kosovën anëtare të UEFA’së dhe FIFA’së, mirëpo kurrë asnjëherë nuk e foli asnjë fjalë të keqe për askënd. Kurrë nuk doli në intervista për ta sharë Pllatinin, kur të gjithë shqiptarët po e shanin pas ndeshjes Serbi – Shqipëri, kurrë nuk e ofendoi Federatën Serbe të Futbollit, madje kishte raporte korrekte me ta. Ishte i kujdesshëm me gjuhën që e përdorte me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Sa herë që udhëtoja me të për të parë Kosovën më tregonte disa mesazhe telefonike që ia dërgonin politikanët serbë që e kishin pasur idol kur ky kishte luajtur në Partizan, ose më tregonte se si homologu i tij nga Federata Serbe e Futbollit njëherë ia kishte shtruar një drekë në Novi Sad, kur ky po kthehej nga një udhëtim jashtë Kosovës. Të gjithë këto i trajtonte me sportivitet.

“Kroacia na përkrah, se Davor Shukerin e kam shok”, ose “Fola me Safet Sushiqin”, ose “Pllatini më ka premtu që do t’ju pranojmë”, ose “Dejan Saviçeviqi më tha kështu…”.

Vazhdimisht kishte referenca të tilla, të bazuara në miqësi dhe në historinë e tij të lavdishme, posaçërisht për përmasat e rajonit tonë. Vokrrin askush nuk mund ta urrente, madje as serbët, madje as atëherë kur ky e ndaloi Cërvena Zvezdën që të vinte të luante në Graçanicë.

“Legjendë, pse e ndale Zvezdën”, e pyeta unë, duke e ditur paraprakisht se këtë akt nuk e kishte bërë për t’u dukur patriot.

“Herën e fundit kur kanë lujtë në Graçanicë me patën premtu që nuk do të brohorasin slogane nacionaliste. Nuk e mbajtën fjalën”, më tregonte.

“A t’u idhnun”, e pyesja unë me një kureshtje të jashtëzakonshme, duke e ditur se Vokrri nuk refuzonte askënd për të përfituar poena politikë.

“Po, janë idhnu pak”, thoshte duke qeshur, e duke u shtrydhur, por duke qenë i bindur që pas disa ditësh, pas disa bisedash dhe telefonatash, do të tejkalohej edhe kjo situatë. Për të ishte e rëndësishme që Kosova në arenën ndërkombëtare në fushën e sportit të mos kishte asnjë armik. As Serbinë. Nga paraqitjet e tij në Beograd, në ekipin e Partizanit, në pjesën e dytë të viteve të 80’ta, duket që ka pasur kujtime të mira. Edhe në Beograd Vokrrin e trajtonin si një legjendë. Ai, madje, në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë i vitit në Jugosllavi.

A të njohin në Serbi? A të dojnë?

“Qysh jo more. Branko Ruzhiq tranohet mas meje. Këqyre çka m’ka shkru”, edhe shkrihej se qeshuri, e edhe unë bashkë me të. Përndryshe, Ruzhiq është ministër i qeverisë serbe nga partia e Ivica Dacicit. Këtë të fundit e kishte takuar në finalen e Ligës së Kampioneve në Ukrainë dhe ishte tallur me të.

“I thashë që në Ukrainë më lanë me hy me pasaportë të Kosovës. Ia tregova vulën”.

Unë isha e bindur që Kosova e ka një të ardhme të ndritshme në futboll. Fillova të shkoja, pothuajse, në çdo ndeshje. Sa për ta parë ndeshjen, aq edhe për të biseduar me Vokrrin. E pyesja për çdo gjë që më kishte bërë përshtypje si fëmijë, si, bie fjala, për fitorën e Prishtinës kundër ekipit më të mirë serb, Cërvena Zvezdës, në vitin 1983, në Beograd, me rezultat 3 me 1. E gjithë Kosova kishte kaluar në trans prej kësaj fitoreje. Ishte një fitore politike. Shqiptarët u bindën që mund t’i mundin serbët çdo kund. Mirëpo, edhe përkundër euforisë time Vokrri nuk shfrenohej. E konsideronte një ndeshje sportive. Pastaj e kam pyetur për ndeshjen historike në mes të Flamurtarit të Vlorës dhe Partizanit të Beogradit. Ne në Kosovë, atëbotë, donim të besonim që Vokrri nuk po e jepte maksimumin kundër skuadrës shqiptare.

“Jam angazhuar si kundër çdo ekipi tjetër”.

Muhabetet e fundit me Vokrrin i kemi bërë për Zhegrovën. Gëzohej si fëmijë, sa herë fliste për të.

“Veç ishalla e ruan Zoti. Si Mesia osht”. Këtë ma ka thënë dhjetëra herë. Kur po e shikonim ndeshjen me Shqipërinë që po luhej në Cyrih, kur u fut në lojë Zhegrova, e kishte tepër më rëndësi të më shikonte nëse po e shikoja magjinë e beniaminit të tij. Kur Zhegrova po vallëzonte nëpër terren, Fadilit po fluturonte nga emocionet.

“Legjendë çfarë ekipi të mirë kemi bo bre… “, i thosha unë. Qeshte si babaxhan. E donte dhe e çmonte tej mase trajnerin e ri. Kishte besim në të. Ishte i bindur që edhe më tutje nëpër Evropë ka shumë talente që do ta zgjidhnin Kosovën përpara secilit shtet tjetër në botë.

“E qysh e binde Zhegrovën, se edhe Shqipëria deshën me e marrë…”, i thosha unë. Në këtë moment mrrolej dhe bëhej autoritar. I dilte në pah lavdia. Prapë fliste me trup. Donte të më thoshte “o debill, a e din ti me kënd po flet?”

“E thirra edhe i thashë”, ose “E thirra babën e tij edhe i thashë”, ose “E thirra mixhën e tij edhe i thashë”.

“Vokrri jam”.

Nomen est omen.

Fadil Vokrri kurrë nuk thoshte e luta dikë. Kurrë nuk thoshte e mashtrova dikë. Çdo gjë te ai përfundonte me “shkova edhe i thashë”. Kaq. Legjenda nuk bje në dy gjunjët. Institucioni nuk përgjërohet. Thjesht ta jep fjalën dhe nuk ta ndërron. Dridhesha prej gëzimit kur e dëgjoja tek fliste në kësi forme. Kjo nuk është një mënyrë tipike shqiptare. Kur tregonte dromca të tilla, shtrëngohej, kurse vetullat e trasha i bëheshin bashkë me qerpikët.

E paramendoja reagimin tim, nëse Vokrri do ta kishte pranuar një telefonatë për djalin tim futbollist. Bisedë imagjinare.

“Fadili jam, Vokrri. Gega duhet me ardhë me lujtë për Kosovën.” Për mua nuk do të kishte pasur asnjë nder më të madh se ky. E më gjasë as për dhjetëra prindër të tjerë që ia besuan Fadilit djemtë e tyre për të luajtur për Kosovën nuk kishte pasur nder më të madh.

 

Herën e fundit me Vokrrin u takova në Dragodan, para disa ditëve. I pata thënë nëse do të mund të m’i gjente dy bileta për ndeshjen Zvicër – Serbi, që do të zhvillohet në kuadër të Kampionatit Botëror në Rusi. E mbajti edhe këtë premtim, si secilin premtim tjetër. E pimë nga një espresso, kurse ai e ndezi edhe një puro. Nuk i thashë, por po më brengoste fakti që ai po tymoste shumë. Brengosesha, sikur kur njeriu brengoset për një anëtar të familjes që pi më shumë sesa duhet, tymos më shumë sesa duhet.

Gjatë takimit tonë të fundit folëm edhe për ndeshjen me Iranin, e cila nuk u zhvillua, sepse këta të fundit dëshironin që ajo të bëhej pa shikues në Stamboll.

“E disha që ti nuk guxon me ardhë në Turqi, e ju thashë jo”. Qeshëm të dytë.

Fare në fund të bisedës tonë më tregoi edhe për disa plane të ulëta që po përgatiteshin nga grupe të caktuara të interesit për ta rrëzuar Vokrrin nga pozita e Presidentit të Federatës, në zgjedhjet e ardhshme që do të mbaheshin. Pjesë e kësaj skeme janë individë të caktuar, ish-futbollistë, që kanë qenë kategorikë kundër idesë që Kosova të kishte një ekip të futbollit. Unë qesha me zë kur po më tregonte.

“Fadil, kena me të mbrojtë me trupat tanë. Kurrkush nuk është aq budalla sa me bo publike këtë ide. Krejt çka duhet është që Kosova me vazhdu me fitu në futboll”, ishte reagimi im. Ai qeshte.

Ne u përshëndetëm, ai vazhdoi të qëndronte në kafe, në shoqërinë e puros së tij, kurse unë dola për të pritur një taksi. Fadili po e priste një mik tjetër. Unë po qëndroja nën strehë, duke e pritur një taksi sepse po binte shumë shi. Më thirri edhe një herë.

“He, legjendë?”, u ktheva unë.

“Ta kam dhënë fjalën që religjionin kam me mbajtë jashtë futbollit, edhe po ta mbaj fjalën”, më tha.

Fjalën ma kishte dhënë në stadiumin Loro Boriçi në Shkodër, pas ndeshjes së Kosovës me Kroacinë. Isha frustruar tej mase kur djemtë e ekipit të Kosovës kishin rënë pre e propagandës fetare.

“Këqyre Berat çka po të them: kurrë ma nuk ka me ndodhë, sa t’jam unë qaty. Na jemi ekip i krejtve. Nuk ka çka me lyp feja në futboll”.

Tash kur po e mbylli këtë shkrim për ty legjendë, po e shoh arkivolin, me trupin tënd brenda, të mbështjellë me flamurin e Kosovës. Flamurin që ti e çove më lart se çdokush tjetër. Flamurin tënd. Flamurin tonë.

Lamtumirë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button