A po i afrohet ndërtimi sërish ciklit rënës
Që nga fillimi i viteve ’90, ndërtimi ka kaluar në disa faza ciklike. Rritja më e madhe e sektorit ishte deri në vitin 2000, kur zhvendosja e popullsisë, e kombinuar me ndryshimin e stilit të jetesës dhe përmirësimin e të ardhurave çoi në një kërkesë të madhe për projekte rezidenciale.
Në atë vit, sektori i ndërtimit u zgjerua me 40%, sipas të dhënave të INSTAT-it. Sektori më pas u ngadalësua gradualisht, duke pësuar rënie në vitin 2010 dhe pasi e mori pak veten shënoi rritje negative në 2013-2014.
Pas vitit 2016 nisi dhe cikli i ri i rritjes, që ka qenë dhe më i debatueshmi deri tani, për disa arsye kryesore: së pari, për mundësinë që dha për kanalizimin e parave informale dhe së dyti, për modelin e ndërtimeve masive, të pashoqëruara me infrastrukturën e nevojshme dhe duke shfrytëzuar burimet natyrore e hapësirën, pa mësuar nga gabimet që u bënë me valën e parë.
Së treti, debatet kanë qenë të shumta nëse kërkesa është e lartë, në një popullsi në tkurrje, sidomos në kryeqytet, teksa në bregdet, një faktor kanë qenë dhe blerësit e huaj.
Së katërti, çmimet sa vijnë e po bëhen më të shtrenjta në raport me fuqinë blerëse, duke e bërë Tiranën kryeqytetin e katërt më të shtrenjtë në Europë, pas Moskës, Lisbonës dhe Pragës, sipas “Numbeo”, një njësi informacioni globale.
Në 2021-2023, sektori u rrit me 7-10% në vit. Ndonëse ritmet e rritjes janë më të ngadalta se në vitet 2000, në vlerë ato janë shumë më të larta për shkak të çmimeve më të shtrenjta. Dy vitet e fundit, po shfaqen shenja ngadalësimi. Në vitin 2025, rritja zbriti në 4% dhe u shënua dhe zgjerimi më i ulët që nga periudha e pandemisë.
Vështirë që në vitet e ardhshme, sektori të shohë ritme kaq të larta zgjerimi, në mos të vijë dhe në rënie. Ndërhyrjet e SPAK-ut, që goditi në mes të vitit 2026 disa grupe kriminale, që u provua se po pastronin paratë në ndërtim, të kombinuara me maturimin ciklik të sektorit janë faktorë që pritet t’i vënë shkopinj në rrota sektorit.
Në kahun tjetër, parashikimi bëhet i vështirë, për shkak të mungesës së informacionit për sipërfaqet e lejeve te ndërtimet e larta që jepen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit, që nuk raportohen nga INSTAT-i, që nga fillimi i vitit 2025.
Të dhëna indirekte, nga rritja e fortë e të ardhurave nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë, në pjesën e parë të 2026-s, tregojnë se lejet po vazhdojnë të jepen, por se sa do të materializohen, koha do ta tregojë.
Burimi: INSTAT
Në vitin 2025, ndërtimi qarkulloi rreth 646 miliardë lekë, apo rreth 6.6 miliardë euro, sipas të dhënave të INSTAT-it, duke arritur nivel rekord. Kjo shifër mat volumin dhe vlerën e përgjithshme të aktivitetit të kryer nga sektori, duke përfshirë ndërtimin e banesave dhe objekteve të tjera, veprat infrastrukturore dhe punime të tjera.
Ky është volumi më i lartë i punimeve i regjistruar ndonjëherë. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale dhe ato operative të mirëmbajtjes në vitin 2025 ishin rreth 210 miliardë lekë, duke kontribuar në rreth një të tretën e volumit të ndërtimit në vend.
Burimi: INSTAT
Kontributi i aktivitetit të ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme në rritjen ekonomike të vendit ka rënë në dy vitet e fundit, duke sinjalizuar për tkurrje të rolit të tij.
Në vitin 2021, ndërtimi kontribuoi me 1.29 pikë përqindje në rritjen ekonomike, ndërsa në vitin 2025, sektori dha efektin më të ulët në 5 vitet e fundit, me 0.5 pikë përqindje. Teksa sektorët e tjerë të ekonomisë reale, sidomos bujqësia e ndërtimi, janë në terren negativ, sërish kontributi i ndërtimit mbetet i konsiderueshëm.
Ngritja e projekteve rezidenciale, investimet publike, kryesisht në ndërtimin e rrugëve, turizmi, që po nxit si ndërtimin e hoteleve, komplekseve për banim, ashtu dhe me blerjen e pasurive të paluajtshme, kryesisht nga të huaj, janë faktorët kryesorë që ndikojnë në tendencën e ndërtimit e pasurive të paluajtshme.
Lexoni edhe: Nga po financohet ndërtimi, borxhi bankar zë vetëm 5% të aktiveve, furnitorët dhe klientët 20-30%
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërtimi zë rreth 12.6% të ekonomisë, larg viteve të arta në 2001-2009, kur kjo peshë arriti deri në 19%, për shkak të rritjes me ritme më të shpejta të sektorëve të tjerë.
Numri i kompanive të ndërtimit dhe atyre të industrisë mbështetëse në listën e “Monitor 200” për vitin 2025, ishte 37, nga 39 në vitin 2024, dhe 43 në vitin 2023. Këto kompani qarkulluan rreth 174 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie prej 4% në krahasim me vitin e mëparshëm, duke përbërë rreth 27% të prodhimit të ndërtimit, nëse krahasohet me të dhënat e tjera të totalit të sektorit nga INSTAT-i.
Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve inxhinierike ku janë të përfshira, apo të ciklit të shitjes së apartamenteve.
“Gener 2”, me aktivitet në ndërtimet inxhinierike, rezidenciale dhe menaxhimin e qendrave tregtare, pas rritjes së fortë të të ardhurave me 73% në vitin 2024, ka shënuar rënie një vit më vonë.
Qarkullimi vjetor i kompanisë në vitin 2025 ishte 9.8 miliardë lekë, me tkurrje prej 40%, gjithsesi duke ruajtur pozicionin e vendit të parë si shoqëria ndërtuese më e madhe në vend si për punimet inxhinierike, ashtu dhe ato rezidenciale. Në ecurinë e vitit 2025, ndikimin kryesor e dha performanca nga ndërtimi, që është e varur nga cikli i shitjeve.
Ky zë u tkurr nga 14.8 miliardë në vitin 2024, në 8.2 miliardë lekë në vitin 2025, kryesisht nga ulja e “shitjeve të ndërtimit për të tretë”.
Kompania ishte zgjeruar në ndërtimet rezidenciale vitet e fundit, nëpërmjet ngritjes së disa komplekseve pranë zonës së Liqenit Artificial në kryeqytet. Edhe në vitin 2025, sipas raportit vjetor, rreth 84% e të ardhurave ka ardhur nga aktiviteti i ndërtimit dhe shitja e objekteve të banimit, ndërsa pjesa tjetër, nga qiratë e shërbimet në qendrat e biznesit (“Toptani” dhe “Coin”).
Të ardhurat nga qendrat e biznesit, qira veshjesh e komisione ishin rreth 1.6 miliardë lekë në vitin 2025, me rritje prej 7%, krahasuar me një vit më parë. Shoqëria deklaroi një numër mesatar të punësuarish prej 751 në vitin 2025, nga 869 një vit më parë.
“Shijaku” ishte edhe në vitin 2025 një ndër sipërmarrjet më të mëdha të ndërtimeve në vend. Të ardhurat e saj ishin rreth 8.7 miliardë lekë, me rritje 5.5%, duke u ngjitur në vend të dytë. Kompania është zgjeruar vitet e fundit në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe HEC-eve, si dhe përpunimit të materialeve të ndërtimit. Një pjesë të aktivitetit, kompania e ka në shitjen e skrapit.
Sipas raportit të aktivitetit, “gjatë vitit 2025, të ardhurat nga shitjet e mallrave për eksport u rritën ndjeshëm krahasuar me vitin e mëparshëm. Kjo ecuri lidhet me zgjerimin e aktivitetit, rritjen e mundësive tregtare dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve. Aktiviteti tregtar përfshiu eksportin e mbetjeve industriale, kryesisht skrap hekuri, ndërsa në të njëjtën periudhë u importua hekur për ndërtim.
Eksportet arritën në rreth 1.39 miliardë lekë në vitin 2025, nga 526.9 milionë lekë në vitin 2024, duke shënuar rritje prej 164.6%. Edhe importet u rritën, duke arritur në rreth 5.04 miliardë lekë në vitin 2025, nga 3.19 miliardë lekë një vit më parë, ose 58.2% më shumë”. Numri i të punësuarve ishte 215.
“Salillari” raportoi qarkullim vjetor prej rreth 7.6 miliardë lekësh në vitin 2025, me tkurrje prej 2.7% me bazë vjetore, duke u ngjitur në vendin e tretë nga ndërtuesit e punimeve inxhinierike.
Aktiviteti kryesor i shoqërisë është i orientuar drejt ndërtimit të veprave të infrastrukturës rrugore, të fituara nga prokurime publike apo nga operatorë të tjerë të tregut, si dhe në prodhimin e materialeve të ndërtimit dhe kryerjen e shërbimeve të tjera si aktivitete dytësore.
Në vitin 2025, të ardhurat nga aktiviteti në Shqipëri ranë me 12.5% (-852 milionë lekë), por kjo tkurrje u kompensua pothuajse tërësisht nga shitja e punimeve dhe shërbimeve në degën Kosovë (+675 milionë lekë). Kompania kishte 1072 punonjës në vitin 2025.
“Gjoka Konstruksion”, që vepron dhe si nënkontraktor i “Gjoka 87” në koncesionin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, zbriti në të katërtën më të madhe në segmentin e ndërtimeve civile, industriale e rezidenciale në vitin 2025, nga e dyta në vitin 2024. Kompania raportoi të ardhura prej 7.5 miliardë lekësh në vitin 2025, me tkurrje gati 30% me bazë vjetore, pas përfundimit të punimeve në tunelin e Llogorasë.
Sipas raportit të aktivitetit, për vitin 2025 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka punuar për zbatimin e kontratës për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit. Projektet e tjera kryesore ku është punuar në vitin 2025 përfshijnë: Zgjerimin e rrugës Elbasan–Qafëthanë; Rehabilitimin e rrugës Fier-Kthesa e Patosit–Frataj; Ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 6; Qendrën e monitorimit të trafikut, Faza 2, etj.
“Gjatë vitit 2025, shoqëria ka vijuar realizimin e projekteve kryesore në fushën e infrastrukturës dhe ndërtimit, duke u fokusuar në përmbushjen e angazhimeve kontraktuale dhe arritjen e objektivave operative. Ecuria e aktivitetit dhe e të ardhurave është ndikuar nga shtyrja e nisjes së disa projekteve të planifikuara, për arsye që nuk vareshin nga shoqëria.
Këto projekte pritet të fillojnë gjatë vitit të ardhshëm dhe të japin ndikim pozitiv në zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e të ardhurave”, thuhet në raportin vjetor. Shoqëria kishte 583 të punësuar në vitin 2025.
“2T”, që ushtron aktivitetin në ndërtimin e veprave infrastrukturore si rrugë, kanalizime, rikonstruksione, rriti lehtë të ardhurat me 2.6%, në gati 5 miliardë lekë, pas dyfishimit vitin e mëparshëm. Sipas raportit vjetor, “kjo rritje është rezultat i kontratave të reja të fituara dhe intensifikimit të punimeve në kantiere të ndryshme”.
Për vitin 2026, shoqëria synon të ruajë qëndrueshmëri të fitimeve dhe të të ardhurave, duke zgjeruar gamën e shërbimeve dhe duke investuar në teknologji dhe burime njerëzore, theksohet në raport. Shoqëria raportoi 344 të punësuar.
“Alb Building” deklaroi të ardhura 4.2 miliardë lekë, me zgjerim prej 4.5%. Kompania është përfshirë në disa projekte si segmenti rrugor Qukës–Qafë-Plloçë, zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, faza III – Vorë, si dhe projekte të tjera për ndërtime urash, rehabilitime të rrugëve, mbrojtje nga rrëshqitjet etj.
Gjatë vitit, shoqëria ka zhvilluar aktivitet intensiv për pjesën e ndërtimit, sipas tabelave të publikuara të punimeve që po kryen. Pasqyrat financiare janë të konsoliduara, duke përfshirë dhe aktivitetin e shoqërive të zotëruara, “Hydro Seta” (74.5%), “Alb-Energy” (61.2%), që prodhojnë energji në bazë të kontratave koncesionare dhe “Alb-BM” (50%).
Aktiviteti i ndërtimit solli 75% të të ardhurave, shitja e energjisë 24% dhe pjesa tjetër prej 1%, nga të ardhura të tjera nga veprimtaria e zakonshme.
“Gjikuria” raportoi të ardhura 3.7 miliardë lekë, me tkurrje vjetore prej 13.7%. Sipas raportit të aktivitetit, në vitin 2025 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjikuria” sh.p.k. ka realizuar projekte të ndryshme të financuara nga Buxheti i Shtetit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe sipërmarrje në fushën e hoteleri-turizmit, hotele dhe apartamente. Gjithashtu, ka edhe projekte të tjera në vazhdim. Shoqëria kishte 176 të punësuar në vitin 2025.
“Alb-Star” deklaroi qarkullim vjetor prej 3.7 miliardë lekësh, me rënie 25.3%. Nga dhjetori i vitit 2016, “Alb-Star” është pjesë e grupit holding FINMAN.
Sipas raportit, aktiviteti kryesor i shoqërisë është në fushën e ndërtimit, import-eksportin e produkteve industriale, shitjen me shumicë të ujit të pijshëm dhe industrial dhe shërbimet e transportit. Kompania raporton se numri i punonjësve ka zbritur në 279, nga 291 në vitin 2024 dhe 432 në vitin 2023.
“Elmazaj Konstruksion” është një tjetër kompani që ka hyrë në listën e “Monitor 200”, pasi në vitin 2024 u pozicionua në vendin e 201. Shoqëria raportoi të ardhura 3.7 miliardë lekë, me zgjerim prej 55%, pas rritjes me 82% vitin e mëparshëm. Sipas faqes së internetit, kompania ka kontrata të shumta për punime inxhinierike në fushën e punëve publike.
“Bami Holding”, një hyrje e re nga sektori i ndërtimit në listën e “Monitor” 200, në vitin 2024, ka vijuar rritjen e shpejtë dhe në vitin 2025. Kompania raportoi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh, me zgjerim vjetor 34%. E themeluar në vitin 1999, “Bami Holding” sh.p.k. është e specializuar në fushën e ndërtimeve të rrugëve dhe autostradave, civile dhe industriale, sipas raportit të aktivitetit.
“Rafealo 2002” deklaroi të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh, me tkurrje 19.5% me bazë vjetore. Shoqëria, sipas faqes së internetit, ka aktivitet në ndërtim, me projekte në Shëngjin, Kashar, Golem, Tiranë, Mal të Zi, në fusha si transport, hidrocentrale, hoteleri e turizëm etj.
“Fusha” sh.p.k. raportoi qarkullim vjetor prej gati 3.5 miliardë lekësh, me rritje gati 20% në raport me vitin e mëparshëm. Sipas raportit vjetor, “shoqëria ka ushtruar aktivitetin në fushën e ndërtimit, pastrimit, shitjes së pasurive të paluajtshme dhe dhënies me qira të tyre. Aktiviteti është shtrirë kryesisht në Tiranë, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Durrës etj., i cili lidhet me ndërtimin e objekteve civile dhe të infrastrukturës rrugore. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat janë rritur për shkak të fillimit të kontratave të reja. Numri i të punësuarve ishte 331.
“G.P.G Company”, që merret kryesisht me punë të lidhura me fonde publike, në ndërtimin e rrugëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, ra me 2.7% në 3.36 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit, gjatë vitit 2025 ka pasur performancë më të ulët krahasuar me vitin 2024, në drejtim të realizimit të të ardhurave, por ka mbajtur nën kontroll shpenzimet. Shoqëria kishte mesatarisht 241 punonjës në vitin 2025.
“Geci” ka deklaruar 3 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rritje të fortë prej 47% në vitin 2025, duke rihyrë sërish në listën e “Monitor 200”. Një pjesë të aktivitetit, kompania e ka të lidhur me aktivitetin e “Hotel Tirana”. Në vitin 2024, hoteleria solli 37% të të ardhurave, ndërsa nuk ka informacion për peshën në vitin 2025. Shoqëria raportoi 243 të punësuar.
“Vlora International Airport”, që zbaton koncesionin për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), është një hyrje e re në listën e “Monitor 200”. Kompania që po ndërton Aeroportin e Vlorës, raportoi të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh, me rritje 135% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Shoqëria raporton si të ardhura shërbimet e ndërtimit të infrastrukturës së koncesionit, sipas të dhënave në pasqyrat financiare, ndërsa thekson se nuk përfiton asnjë fitim mbi shërbimet e ndërtimit dhe përmirësimit të infrastrukturës, por i raporton ato në përputhje të standardeve të kontabilitetit.
Ndonëse aeroporti duhet të kishte përfunduar dhe të kishte filluar aktivitetin që në qershor të 2026-s, konfliktet e aksionerëve i zvarritën punimet. “Mabco Constructions SA” zotëron 98% të aksioneve, sipas QKB-së dhe “2A Group” pjesën e mbetur prej 2%. “Mabco” pretendon se është mbajtur jashtë kantierit dhe kontrollit të shoqërisë për gati një vit.
Në fillim të gushtit 2026, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit. “Mabco Constructions SA” zyrtarizoi qëndrimin se do të përdorë mekanizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e investimit të saj në Aeroportin e Vlorës, duke iu drejtuar arbitrazhit.
“2A Group” është një tjetër shoqëri e lidhur me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, që i është afruar listës së “Monitor 200”. Kompania deklaroi të ardhura prej gati 2.6 miliardë lekësh, me dyfishim nga viti i mëparshëm.
Kompania audituese ka dhënë opinion me rezervë, pasi “2A Group”, që ka një llogari të arkëtueshme në shumën prej 2.57 miliardë lekësh, në dhjetor 2025, nga 864 milionë lekë në dhjetor 2024, të cilat përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të totalit të aktiveve dhe lidhen kryesisht me një klient të vetëm, “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k.
Këto balanca kanë mbetur të pashlyera për disa periudha raportuese, sipas raportit të audituesve.
Për të gjashtin vit radhazi, në listën e më të mëdhave është “Alesio-2014”, me aktivitet në ndërtimin dhe tregtimin e betonit, që vijon të performojë, ndonëse aktiviteti i saj është sekuestruar në gusht 2022 nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila vijon të ketë administratorin e saj në këtë kompani.
Kompania, e cila furnizon me beton shoqëritë e ndërtimit, ka pësuar rënie të të ardhurave me 30.6%, në 2.6 miliardë lekë, pas rritjes së fortë prej 42% vitin e mëparshëm.
Sipas përshkrimit në raportet e dorëzuara në QKB, kompania është zotëruese e fabrikës Asfalto-Betoni, dy impianteve të betonit, gurore inertesh e gurore gipsi dhe operon në fushën e ndërtimit, si ndërtim-rikonstruktim dhe mirëmbajtje të objekteve civile, infrastrukturore, industriale dhe energjetike. Shoqëria deklaroi 275 të punësuar.
“INC S.P.A.”, kompania italiane e angazhuar në ndërtimin e hekurudhës Tiranë–Rinas-Durrës, raportoi rënie të të ardhurave me 25%, duke zbritur në 1.8 miliardë lekë dhe duke dalë nga lista e 200 më të mëdhave sipas të ardhurave.
“Shoqëri e Thjeshtë INTEKAR–ASL”, që kishte fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, ka dalë nga lista në vitin 2025, pas përfundimit të ndërtimeve. Shoqëria raportoi të ardhura prej 500 milionë lekësh, nga 3.4 miliardë lekë vitin e mëparshëm.
Sektori rezidencial, ngadalësohet (përkohësisht) bregdeti
Vitet e fundit, sektori i ndërtimeve rezidenciale njohu rritje të vazhdueshme, i nxitur nga shtimi i ndjeshëm i lejeve të ndërtimit, kanalizimi i parave informale në blerjen e pasurive të paluajtshme, si dhe blerjet nga të huajt, sidomos në zonat turistike.
Shtrenjtimi i vazhdueshëm i çmimeve të apartamenteve është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e qarkullimit vjetor të këtij segmenti.
Shtimi i blerjeve të pasurive të paluajtshme nga të huajt po vazhdon të nxisë sektorin. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2025, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën rekord të 571 milionë eurove, në rritje me 48% me bazë vjetore.
Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 34% të vlerës së përgjithshme të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar, nga 3-5% që ishte kjo peshë një dekadë më parë. Të huajt po tërhiqen veçanërisht nga pasuritë e paluajtshme në bregdet, ku çmimet janë ende më të lira sesa në vendet e tjera të rajonit (Mali i Zi, apo Kroaci).
Burimi: Banka e Shqipërisë
Interesi i lartë i të huajve për Shqipërinë po nxit dhe zgjerimin e investimeve dhe shitjeve në hoteleri e turizëm, që nga viti 2018. Investitorët janë kryesisht të interesuar në projektet e vilave, të cilat kanë kthim shumë më të lartë dhe të shpejtë sesa hoteleria.
Ndryshe nga viti 2024, kur një sërë projektesh rezidenciale raportuan rritje, në vitin 2025 është shënuar rënia e të mëdhenjve, sidomos në projektet e bregdetit, që është e lidhur kryesisht me fazat në të cilat ndodhen projektet që po zhvillohen.
Sektori pritet të rigjallërohet, nisur nga projektet e muajve të fundit të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, që ka dhënë leje për fshatra turistikë në Jug e ndërtime rezidenciale shumëkatëshe në zonën e Golemit.
Sipas https://whoownsthealbaniancoast.com/, që përpunon të dhënat e lejeve të Këshillit Kombëtar të Territorit, në vitin 2024, KKT dha leje për 66 projekte në bregdet, me tokë për zhvillim gati 3 milionë metra katror dhe për ndërtim, 2 milionë metra katror.
Në vitin 2025 u dhanë leje për 22 projekte, me tokë për zhvillim 385 mijë metra katror dhe për ndërtim, 403 mijë metra katror. Këto leje do të duhet së paku dy vite që të fillojnë të materializohen dhe pritet ta japin efektin shpejt, nëse do të arrijnë të zhvillohen.
“BALFIN Construction” (pjesë e grupit BALFIN), e fokusuar në ndërtim, raportoi të ardhura prej rreth 6.4 miliardë lekësh, me rritje 40% me bazë vjetore. Sipas raportit vjetor, “e themeluar në vitin 2001, ‘BALFIN Construction’ është e specializuar në fushën e ndërtimeve civile dhe industriale, si: qendra tregtare, godina rezidenciale, qendra sociale e kulturore dhe ndërtime infrastrukturore”.
Ajo ka ndërtuar tre projektet e godinave “Ambasador” në Tiranë, “Park Gate”, “Rolling Hills Luxury Residences”, “Green Coast Resort and Residencies”, “Vala Mar Residences” etj.
Kompania thotë në raportin vjetor se faktorët kryesorë që ndikojnë këtë industri janë: Mungesa e fuqisë punëtore dhe produktiviteti i tyre; rreziqet e shëndetit dhe sigurisë në punë; mospërmbushja e kushteve nga nënkontraktorët; ndryshimet e kërkesave të klientëve; rritja e kostos së materialeve të ndërtimit; ekspozimi ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit në monedhën funksionale. Shoqëria vlerëson në raportin vjetor 2025 se projektet e saj janë në fazë të rifiniturave dhe përmbyllëse.
“Nova Construction Group” (ish-“Nova Construction 2012”) është një nga subjektet ndërtuese rezidenciale me rritjen më të fortë në katër vitet e fundit. Në vitin 2025, të ardhurat e saj arritën në 5 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 4.7%, duke u renditur e dyta më e madhja në vend në segmentin rezidencial.
Vitet e fundit, kjo shoqëri është përfshirë në disa projekte të mëdha rezidenciale në vend dhe pritej të fillonte ndërtimin e “Malit të Tiranës”, kullës shumëkatëshe pas Teatrit të Operës dhe Baletit në kryeqytet.
Në qershor 2026, aksionerët e shoqërisë u përfshinë në hetimin e SPAK-ut (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), që goditi një nga organizatat më të mëdha kriminale në Shqipëri, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe në pastrimin e parave.
SPAK-u raportoi se përmes biznesmenëve dhe eksponentëve të përfshirë, organizata kishte arritur të siguronte tendera me vlera të larta dhe leje për ndërtimin e kullave dhe resorteve luksoze, kryesisht në bregdetin e Jugut të vendit. Autoritetet kanë vënë sekuestro mbi pasuri të rendit të miliona eurove, të bazuara mbi këto investime në ndërtim dhe resorte të reja.
“Kontakt” sh.p.k. deklaroi qarkullim vjetor prej 4.4 miliardë lekësh, me rritje prej 34% në raport me vitin e kaluar, duke u renditur në shoqërinë e tretë më të madhe në vend për ndërtimet rezidenciale. (Të ardhurat nga shitjet ishin rreth 1.97 miliardë lekë dhe 2 miliardë lekë nga ndryshim gjendje produkt i gatshëm, që janë objekte në zhvillim).
Sipas faqes së internetit, kompania ka disa projekte banesash me markën “Mangalem”, po ndërton kompleksin e vilave “Abi”, në periferi të Tiranës, si dhe ka nisur rezervimet për projektin “Pyjet e Drilonit”, që është shumë pranë Parkut të Drilonit, në Pogradec. Shoqëria kishte 159 të punësuar.
“Agi Kons” raportoi të ardhura prej 3.8 miliardë lekësh, me rënie vjetore prej 11%. Shoqëria shpjegon se rënia e të ardhurave nuk lidhet me uljen e aktivitetit operacional, por me fazat e realizimit të projekteve dhe momentin e njohjes së të ardhurave, sipas standardit të kontabilitetit.
“Viti 2025 u karakterizua nga vazhdimi i presioneve inflacioniste në sektorin e ndërtimit, të shoqëruara me luhatje të çmimeve të materialeve, kostove të transportit dhe kostove të fuqisë punëtore.
Megjithatë, kërkesa për zhvillime rezidenciale dhe investime në pasuri të paluajtshme mbeti në nivele të kënaqshme, duke krijuar mundësi për vazhdimin e investimeve. Shoqëria arriti të përshtatë politikat e saj operative me kushtet e tregut, duke kontrolluar kostot dhe duke ruajtur cilësinë e projekteve”.
“Green Coast”, pjesë e grupit BALFIN, që ishte financuese e kompleksit turistik të vilave me të njëjtin emër në Jug, raportoi të ardhura prej 3.1 miliardë lekësh, me rënie 63% me bazë vjetore, ecuri e lidhur kjo me ciklin e projektit. Tkurrja ka ardhur si rrjedhojë e zërit “Të ardhura nga kontratat me klientët” për shitjen e pronave.
Shoqëria zhvillon projekte elitare në zonën e Jugut, me ndërtimin e fshatrave turistikë dhe hotelerisë. Kompania është investitore dhe ndërtimin e kryen përmes nënkontraktorëve.
Sipas raportit të aktivitetit, projektet kryesore janë “Green Coast Resort and Residences”, që po ndërtohet në brigjet e detit Jon; “Green Coast Resort 2” që do të shtrihet në afro 500,000 m² tokë me më shumë se 290,000 m² ndërtim dhe “Hotel MGallery”, brand me 5 yje nën markën “MGallery”, me 118 dhoma, mbi 16,000 m² ndërtim, në një truall prej mbi 8,000 m².
Kompania thotë në raportin vjetor se ecuria e të ardhurave pritet të mbështetet nga progresi i mëtejshëm i projekteve ekzistuese dhe atyre në zhvillim.
“Kastrati Construction” raportoi një qarkullim vjetor prej rreth 4.8 miliardë lekë në 2025-n, sipas të dhënave paraprake nga tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc). Një ndër projektet më të mëdha të shoqërisë është investimi dhe ndërtimi në një godinë shumëfunksionale “Down Town One”, me 37 kate mbi tokë dhe 5 kate nën tokë, në bulevardin “Zhan Dárk”.
“Concord Investment” raportoi qarkullim vjetor prej 2.4 miliardë lekësh, me tkurrje prej gati 28%. Sipas raportit të aktivitetit, “shoqëria ‘Concord Investment’ sh.p.k. është investitore në një sërë projektesh të rëndësishme në lëmin e pasurive të paluajtshme, dhe çka është më e rëndësishme është novatore në fushën e investimit në shërbimet e hoteleri-turizëm duke qenë ndër të parat që kanë marrë statusin e veçantë të investitorit në hotelet me 5 yje.
Ky ka qenë ndër objektivat kryesorë të shoqërisë për vitin 2025 dhe është arritur falë investimeve të shoqërisë dhe partnerëve të saj në ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje ‘San Pietro’ në Gjirin e Lalëzit. Investimi për këtë projekt është mbyllur në vitin 2025.
Kompania po investon në ndërtimin e një kompleksi ambientesh magazinimi në Kashar, i pari i llojit të tij në Tiranë. Faza e parë është përmbyllur dhe ndërkohë kanë filluar dhe vijuar punimet për fazën e dytë të strukturave magazinore”.
“BE–IS” sh.p.k. është një hyrje e re në listën e më të mëdhenjve të ndërtimeve rezidenciale. Shoqëria deklaroi rritje të fortë të të ardhurave, me 210%, në gati 3 miliardë lekë. Sipas faqes së internetit, e themeluar në vitin 2006, “BE-IS” sh.p.k. është e specializuar në fushën e ndërtimeve civile dhe industriale, si: Godina civile, qendra sociale e kulturore dhe ndërtime infrastrukturore.
“Progeen” është një tjetër hyrje e re në listën e “Monitor 200”. Shoqëria raportoi të ardhura prej 2.9 miliardë lekësh, me rritje gati 29% në vitin 2025.
Sipas faqes së internetit, shoqëria ushtron aktivitetin e saj në Shqipëri që prej vitit 2013 në rolin e investitorit dhe ndërtuesit dhe është e specializuar në ndërtime rezidenciale, industriale, vepra publike dhe infrastrukturore. Ajo ka realizuar projekte si Rezidenca Progeen 1, Progeen 2, Rezidenca Rainbow dhe Rezidenca IRIS, ku shoqëria ka qenë në rolin e investitorit.
“Anakonda Plus”, një tjetër shoqëri, e regjistruar me aktivitetin “ndërtimi i ndërtesave rezidenciale e jo rezidenciale”, ka deklaruar të ardhura prej 2.4 miliardë lekësh në vitin 2025, nga 90 milionë lekë në 2024-n. Shoqëria e regjistruar në Vlorë, ka gjithsesi shpenzime minimale personeli (3 milionë lekë) në vitin 2025 dhe vepron më shumë si agjenci e pasurive të paluajtshme, sipas një kërkimi në internet.
“Bonita Konstruksion” është një shoqëri që po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e projekteve që po zhvillon në bregdetin e Durrësit. Shoqëria raportoi të ardhura prej gati 2.3 miliardë lekësh në vitin 2025, me dyfishim në raport me vitin e mëparshëm.
“Shoqëria ka lidhur kontrata të reja me klientë, të cilat do të realizohen në vitin pasardhës. Për të realizuar këto kontrata, por edhe investime të tjera në segmente të reja dhe historike të tregut, shoqëria jonë planifikon për të ardhmen rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të saj”, thuhet në raportin vjetor.
“Durrës Marina” sh.a., shoqëria që po menaxhon projektin strategjik të Marinës së Jahteve në Durrës, prej dy vitesh ka filluar shitjen e apartamenteve, të cilat në bilanc i deklaron në zërin “Detyrime nga kontratat me klientë”.
Megjithëse kompania ka raportuar të ardhura zero, sepse “të ardhurat do të njihen në momentin e dorëzimit të njësive të banimit, fillimisht në vitin 2025”, Tatimet e rendisin atë në listën e shoqërive më të mëdha për të dytin vit radhazi. Kompania nuk e ka dorëzuar bilancin e 2025-s dhe xhiro e saj vjetore sipas tatimeve është rreth 3 miliardë lekë.
Shoqëria është pajisur me Status të “Investim/Investitor Strategjik” për projektin e investimit “Durrës Yachts & Marina”, për një periudhë 20-vjeçare.
Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
Pala shqiptare ka kontribuar me tokën ku do të ndërtohet kompleksi rezidencial “Durrës Marina”. Përveç ofrimit të truallit, qeveria shqiptare do të çlirojë kompaninë nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit të infrastrukturës dhe fondit të strehimit social, që vlerësohen në rreth 7% të vlerës së parashikuar të shitjeve.
“Park Construction Albania” ka dalë nga renditja e “Monitor 200”, pas rënies me 63% të të ardhurave, në 2.2 miliardë lekë. Kjo tkurrje erdhi pas tre viteve radhazi me zgjerim të fortë. Sipas raportit vjetor, për vitin 2026, shoqëria ka planifikuar të përfundojë një proces mbi nxjerrjen e privatizimit të një trualli me sipërfaqe rreth 28,000 m², si dhe të fillojë ndërtimin e një objekti të ri.
“Arlis Ndërtim” është një tjetër dalje nga lista. Kompania raportoi në vitin 2025 të ardhura prej 1.1 miliardë lekësh, me përgjysmim nga viti i mëparshëm. Kompania po zhvillon projekte të shumta në Bashkinë e Tiranës, sipas faqes së saj të internetit, por që ende nuk kanë filluar të japin efekt në të ardhurat e saj.
“Orion”, me aktivitet në ndërtime civile e turistike, raportoi të ardhura prej 600 milionë lekësh në vitin 2025, me rënie gati 60%, duke mbetur jashtë listës së “Monitor 200”. Sipas burimeve zyrtare, kompania është e përfshirë në një sërë projektesh rezidenciale e komplekse banimi e vila, por së fundi po diversifikohet dhe në turizëm me plane për zhvillimin e resorteve të vilave të kombinuara me hoteleri në bregun e Jonit.
Rritja e çmimeve po ngadalësohet, sidomos në kryeqytet
Pas një rritjeje të shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme dekadën e fundit, ritmet u ngadalësuan në kryeqytet, ndërsa vijuan të qëndronin të larta në bregdet, të nxitura nga kërkesa e lartë për blerje nga të huajt.
Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura në gjashtëmujorin e dytë 2025 u rrit me 11.7% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 28% në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, rritja vjetore e çmimeve u ngadalësua nga niveli prej 41.7% i raportuar në gjashtëmujorin e parë 2025.
Në veçanti për kryeqytetin, tregu shfaqet në ngadalësim të ndjeshëm.
Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u raportua i pandryshuar ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm dhe u rrit me 4.4% ndaj nivelit të një viti më parë.
Rritja e çmimeve me bazë vjetore pësoi rënie drastike nga niveli prej 32.6% i gjashtëmujorit të parë 2025.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kontributin kryesor në rritjen e vlerës së indeksit të përgjithshëm të çmimeve e ka dhënë rritja në vlerën e indeksit të llogaritur për zonat e bregdetit.

Çimento ndjek ndërtimin
Bizneset që operojnë në industrinë e çimentos kanë raportuar ecuri më pozitive në raport me vitin 2024, me disa prej tyre që kanë shënuar dhe rritje dyshifrore, e ndikuar nga përmirësimi i konsumit.
Sipas të dhënave nga “Colacem Albania”, në vitin 2025, sektori i çimentos regjistroi nivele konsumi rreth 3 milionë tonë, një rritje prej 12.4% krahasuar me vitin 2024.
Rritja lidhet me ecurinë e mirë të sektorit të ndërtimit për shkak të rindërtimit pas tërmetit, shitjet e pasurive të paluajtshme për banesa private, rimëkëmbjen e fortë të punëve publike dhe në fund, investimet e huaja në sektorin e turizmit.
Sektori po kalon një transformim të thellë, i shtyrë njëkohësisht nga presioni për uljen e emetimeve, përshpejtimi i digjitalizimit dhe rritja e kostove e pasigurive në zinxhirët e furnizimit.
Sipas “World Cement Association”, industria e çimentos është përgjegjëse për rreth 7% të emetimeve globale të CO2, duke e bërë dekarbonizimin një nga sfidat kryesore të sektorit. Në të njëjtën kohë, teknologjitë digjitale po ndryshojnë mënyrën se si projektohen, ndërtohen dhe menaxhohen projektet.
Sipas “World Economic Forum”, përdorimi i teknologjive si BIM, Inteligjenca Artificiale dhe analiza e të dhënave po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për rritjen e eficiencës dhe produktivitetit në ndërtim. Këtyre zhvillimeve u shtohen edhe luhatjet e çmimeve të energjisë dhe pasiguritë gjeopolitike, që e bëjnë më të vështirë parashikimin e kostove dhe furnizimin me lëndë të para.
Për kompanitë e sektorit, konkurrueshmëria po lidhet gjithnjë e më shumë me investimet në teknologji, eficiencë energjetike dhe materiale me gjurmë më të ulët karboni.
“Antea Cement”, pjesë e grupit “Titan”, raportoi qarkullim vjetor prej 9.1 miliardë lekësh në vitin 2025, me rënie 4.2%, pas tkurrjes prej 18% vitin e mëparshëm.
Sipas raportit të aktivitetit, kjo tendencë lidhet kryesisht me rënien e çmimeve të shitjes. Aktivitetet e eksportit të shoqërisë mbeten të qëndrueshme, duke përbërë rreth 31.9% të shitjeve totale, që është rritur pak krahasuar me një vit më parë. Tregjet kryesore të eksportit mbeten vendet fqinje të Shqipërisë, përfshirë Italinë, Malin e Zi dhe Kosovën.
“Antea Cement” ka kapacitet prodhimi prej 1.4 milionë tonësh çimento në vit dhe 3.300 tonë klinker në ditë, sipas raportit të vitit 2025.
“Fushë-Krujë Cement Factory” raportoi të ardhura rreth 7.5 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga renditja e Tatimeve (kompania nuk ka dorëzuar bilancin e 2023-2025).
“Colacem Albania” raportoi të ardhura prej 3 miliardë lekësh, me rënie 6.4% në vitin 2025. Kjo fabrikë aktualisht ka kapacitet prodhues prej rreth 350,000 tonësh çimento në vit dhe e ka filluar prodhimin në vitin 2013. Sipas raportit të aktivitetit, “‘Colacem Albania’ sh.p.k. e mbylli vitin financiar me të ardhura prej 30,5 milionë eurosh, në rënie prej 4,8% me kurs këmbimi konstant krahasuar me vitin 2024.
Të ardhurat vazhdojnë të ndikohen nga presionet e forta konkurruese në tregun vendas, të cilat filluan në gjysmën e dytë të vitit 2024 dhe vazhduan gjatë gjithë vitit 2025.
Si pasojë, ‘Colacem Albania’ nuk arriti të përputhë performancën e vitit 2024, si në terma volumesh – shitjet vendase arritën në 183 mijë tonë krahasuar me 194 mijë tonë në vitin 2024 – ashtu edhe në terma çmimi, ku çmimi mesatar ra me 3% krahasuar me vitin 2024.
Importet e çimentos janë ulur, duke arritur në 196 mijë tonë, ndërkohë eksportet janë rritur me 11,61%, e përkthyer në 125 mijë tonë në vitin 2025 krahasuar me 112 mijë tonë në 2024. Në këtë kontekst ‘Colacem Albania’ e mbylli vitin me një rritje të xhiros me rreth 10,3% në terma realë, me të ardhura totale rreth 49,3 milionë euro”.
“Berdica Cement” është për të katërtin vit radhazi në listën e “Monitor 200”, por nuk është prodhuese direkte. Në vitin 2025, të ardhurat u rritën me 16%, në 5.8 miliardë lekë, pas zgjerimit me 61%, në vitin 2024. Kompania ka aktivitet në distribucionin e ingredientëve dhe aditivëve për industrinë e materialeve të ndërtimit në Shqipëri dhe Kosovë.
Të ardhurat, sipas raportit të aktivitetit, gjenerohen nga shitja e mallrave të ndryshëm industrialë të përdorur në ndërtim si çimento, gëlqere, gur kuarci, rezinë dhe nga shërbimet e transportit.
“Një nga synimet e shoqërisë është edhe rritja dhe zgjerimi i aktivitetit të saj në të ardhmen, nëpërmjet zgjerimit të gamës së produkteve në tregun e brendshëm dhe zgjerimit të eksporteve”, thuhet në raportin e aktivitetit.

Industria hidrosanitare përmirësohet nga turizmi
Pas ngadalësimit në 2023-2024, si rrjedhojë e rënies së kërkesës së familjeve për produkte hidrosanitare, turizmi i ka kthyer sërish ritmin sektorit. Sipas operatorëve të tregut, pronarët e apartamenteve të dhëna me qira ditore për turistët e huaj po kthehen një ndër burimet kryesore të kërkesës për pajisje hidrosanitare, duke zëvendësuar familjarët dhe emigrantët.
Të dhënat e AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies “Airbnb”, të bëra të disponueshme për “Monitor”, bëjnë të ditur se në të gjithë vendin, në vitin 2025 jepeshin mesatarisht rreth 27 mijë apartamente përmes platformës së qiradhënies, kryesisht “Airbnb”, nga rreth 6.2 mijë apartamente në vitin 2021.
I gjithë ky stok i shtuar në tregun e qiradhënies ditore ka bërë rinovime të shumta për të ofruar apartamente me cilësi më të mirë, që mundësonin dhe qira më të larta.
Operatori më i madh në treg është “Brunes”, me aktivitet në tregtimin e materialeve të ndërtimit, qeramikë, hidrosanitare dhe mobilie, i cili ka parë zgjerim të të ardhurave me 13.7%, në rreth 6.6 miliardë lekë në vitin 2025.
“Aktualisht ‘Brunes’ ka një aparat shpërndarje që mbulon të gjithë Shqipërinë me 7 pika shitje në qytetet më të mëdha të vendit. Tregu ku ne operojmë ka mundësi edhe më shumë për rritje dhe për këtë arsye, ne po punojmë në zgjerimin e gamës së produkteve, si dhe në trajtimin sa më cilësor te klienti”, thuhet në raportin e aktivitetit.
Raporti thekson se Shqipëria është një vend i sigurt për operimin e biznesit, por karakterizohet shpeshherë nga tensione politike, të cilat sjellin paqartësi dhe pasiguri për operatorët e biznesit, si dhe vetë konsumatorët.
Tensionet politike shpeshherë shoqërohen me ndryshime në legjislacionin tatimor, duke e bërë të vështirë për operatorët e biznesit të përditësohen dhe të implementojnë me përpikëri të gjitha ndryshimet.
“Brunes” pohon se ka arritur të pozicionohet shumë mirë në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar ku çdo vit ka rritur dhe numrin e eksporteve.
“Billa & Co” raportoi të ardhura prej 3.4 miliardë lekësh, sipas të dhënave paraprake nga tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc). Që nga viti 2007, “Billa Albania” është distributori më i madh i pllakave në Ballkan.
Kompania ka ekskluzivitetin e prodhuesve më të mëdhenj të pllakave në Spanjë, Itali, Turqi etj. Në vazhdim të veprimtarisë së saj, shoqëria synon të ruajë aktivitetin ekzistues dhe të zgjerojë më tej praninë në tregjet ndërkombëtare përmes rritjes së eksporteve dhe përthithjes së klientëve të rinj në filialet jashtë vendit.
“Haki Sinani” kishte të ardhura prej 4.2 miliardë lekësh, me rritje 5.5% me bazë vjetore, që sipas kompanisë ishte më i ulët se objektivi i vendosur prej saj prej 10-15%.
“Rritja do të vijojë me ritme të larta për vitin 2026 e në vazhdim. Kompania ka planifikuar investime në aktivet e saj afatgjata materiale për të shfrytëzuar sa më mirë burimet e krijuara nga rezervat dhe fitimi i këtij viti. Në këtë mënyrë do të krijojmë bazën e duhur për mbështetjen e zgjerimit të vazhdueshëm të aktivitetit tonë për vitet e ardhshme”, vlerësohet në raportin e aktivitetit.
DAST (Delta Adhesive Structural Tech) kishte të ardhura prej rreth 3.4 miliardë lekësh, me tkurrje 8.8% me bazë vjetore. Në vitin 2025 shoqëria është angazhuar kryesisht në realizimin e disa kontratave për tregtim me shumicë e me pakicë të produkteve prodhime llaçi, përgatitje tullash, pajisje hidrosanitare me klientët kryesorë, sipas raportit të aktivitetit.
“Delta” (tregti pllakash dhe pajisjesh hidrosanitare) kishte ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, me tkurrje rreth 12.5% me bazë vjetore.
Bien prodhuesit e aluminit
Segmenti i prodhimit të profileve të aluminit, pas rritjes së vitit 2024, i është rikthyer rënies në vitin 2025.
“Everest”, me aktivitet në prodhimin e profileve të aluminit, raportoi të ardhura prej 4.8 miliardë lekësh, me tkurrje 30%, pas zgjerimit të fortë prej 70% në vitin 2024. “Për vitin 2025, kemi rënie të xhiros dhe, nga ecuria e deritanishme dhe nga kontratat që kemi në proces dhe të lidhura rishtaz, ne parashikojmë që volumi i të ardhurave të jetë në nivelin e vitit 2025 dhe treguesit ekonomikë e financiarë do të përmirësohen”, thuhet në raportin e aktivitetit.
Gjatë vitit 2025, shoqëria është angazhuar kryesisht në realizimin e disa kontratave për tregtim me shumicë e me pakicë të produkteve të aluminit me klientët kryesorë: “MIDA Aluminio srl”, Itali; “Everest Automotive” sh.p.k., Shqipëri; “Eurotim d.o.o.”, Kroaci etj.
Për vitin 2025, shoqëria ka pasur mesatarisht rreth 417 të punësuar, shumica punonjës të kualifikuar në fushën e inxhinierisë, arkitektë, ekonomistë, teknikë etj.
Prodhuesi i profileve të aluminit, “Alumil”, raportoi të ardhura prej rreth 2.5 miliardë lekësh, bazuar në të dhënat paraprake të tatimeve (shoqëria nuk ka dorëzuar ende bilanc). Kompania është e angazhuar në shitjen e profileve të aluminit të prodhuara apo dhe rishitjen e profileve të blera te klientët e saj.
Kompania është e angazhuar dhe në shitjen e skrapit industrial të krijuar nga procesi i prodhimit te shoqëria e saj mëmë, “Alumil” S.A.
Prodhuesit e paneleve
“Emante Panel” është një hyrje e re në listën e “Monitor 200”, pas rritjes së vazhdueshme të vitit të fundit. “Në vitin 2025, shoqëria raportoi të ardhura 3.3 miliardë lekë, me rritje të fortë prej 42% me bazë vjetore. Pavarësisht sfidave të vitit 2025, veçanërisht atyre që lidhen me transportin dhe furnizimin me lëndë të parë, ‘Emante’ arriti të shënojë rritje të ndjeshme të eksporteve.
Kjo rritje është rezultat i fokusit të vazhdueshëm te cilësia, i besimit të partnerëve tanë dhe vlerësimit gjithnjë e më të madh që produktet ‘Emante’ po marrin në tregjet ndërkombëtare. Për ne, ky është konfirmimi më i mirë se cilësia dhe serioziteti mbeten baza e një rritjeje të qëndrueshme”, thanë burime zyrtare nga kompania.
Materialet elektrike, me rritje
Segmenti i materialeve elektrike ndoqi ciklin e ndërtimit duke shënuar rritje të ndjeshme për disa vite radhazi. Edhe në vitin 2025, pjesa më e madhe e operatorëve në këtë segment kanë shënuar rritje të aktivitetit.
“4 A-M”, më e madhja në këtë segment, me fokus punime elektrike, tregtim me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, rezultoi me qarkullim vjetor 7.2 miliardë lekë, me rritje të fortë vjetore prej 41.7%.
“ITE Group”, me aktivitet në import-eksport, materiale elektrike, është rritur me shpejtësi vitet e fundit, duke u renditur në operatorin e dytë më të madh në këtë segment. Të ardhurat e shoqërisë ishin 3.8 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 2.3%.
“Albaelettrica” raportoi të ardhura 3.1 miliardë lekë në 2025-n, sipas të dhënave nga kompania. Sipas faqes zyrtare, “Albaelettrica” është specializuar në tregtimin me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, civile, industriale, si dhe projektimin dhe instalimin e tyre që prej vitit 1993.
“Sali Elektrik” deklaroi një xhiro prej 2.8 miliardë lekësh, me rritje 15%. Sipas faqes së saj të internetit, “kompania ‘Sali Elektrik’ u themelua në vitin 1996 dhe ka përvojë mbi 25-vjeçare në sektorin e tregtisë dhe shpërndarjes së materialeve elektrike dhe të ndriçimit”.
“Sali Elektrik” ka në total katër magazina në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, si dhe një rrjet të gjerë përfaqësuesish në të gjithë Shqipërinë.

LEXONI EDHE:
200 VIP-at e 2025-s; Ekonomia që nuk po krijon as vlerë, as punësim
Industria hyn në cikël të gjatë rënës
Industria e veshjeve e këpucëve po kalon krizën më të thellë në historinë e tranzicionit
Industria e përpunimit të qumështit po përpiqet të krijojë ekonominë e shkallës



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.