A po pajtohen Athina dhe Shkupi?
Athina dhe Shkupi kanë hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve dypalëshe, boshti i së cilës, sipas ministrit të jashtëm grek, Nikos Kotzias, dhe zv.kryeministrit maqedonas, Fatmir Besimi, do të jetë një klimë besimi dhe mirëkuptimi.
Dy zyrtarët e lartë u takuan në Athinë, ku evidentuan faktin se vendet e tyre kanë qasje të njëjta për një sërë çështjesh të karakterit rajonal, ndaj dhe do të përqendrohen tanimë në rritjen e besimit reciprok, në bashkëpunimin dypalësh dhe zgjidhjen e ngërçeve që krijojnë ndasi mes tyre.
Sipas ministrit të Jashtëm grek, janë dhënë direktivat për përpilimin e një liste me çështje që do t’u jepet prioritet, ku përmenden projektet e përbashkëta, sidomos ato ndërkufitare.
Nikos Kotzias tha: “Me zotin Besimi folëm për pritshmëritë dhe vizionin tonë të përbashkët për rajonin e Ballkanit. Dëshirojmë që në rajon të ketë edhe më shumë siguri dhe stabilitet. Diskutuam gjithashtu edhe mbi çështjen e emrit. Mendoj se mes dy vendeve tona duhet të shtohet mirëkuptimi, ndaj dhe kemi rënë dakord për një listë masash të besimit reciprok. Brenda këtij muaji do të kem mundësinë të zhvilloj një tur ballkanik, ku padyshim do të shkoj edhe në Shkup për të diskutuar një sërë çështjesh të karakterit dypalësh dhe rajonal”.
Për zv.kryeministrin e Maqedonisë, Fatmir Besimi, është nisja e një faze të re bashkëpunimi me mjaft rëndësi. “Të dy vendet tona janë të shqetësuara për paqen dhe stabilitetin në rajon. Është e rëndësishme që mes nesh të ketë komunikim. Jemi fqinj dhe partnerë, dhe si të tillë, është e rëndësishme të diskutojmë me njëri-tjetrin. Natyrisht, është e rëndësishme që rajoni të integrohet në mekanizmat euroatlantikë. Ndajmë ide të njëjta për çështjet e integrimit e të lëvizjes së lirë. Jemi partnerë dhe si të tillë duhet të ecim përpara”, ka thënë Besimi.
Zyrtarët i mëshuan në mënyrë të vazhduar faktit që marrëdhëniet duhet të bazohen në besim, sinqeritet dhe bashkëpunim, e kjo, sipas tyre, do të jetë rruga drejt zgjidhjes së çështjeve që ngrenë barriera mes tyre.