Katër herë rresht Partia Demokratike ka humbur zgjedhjet për Kuvendin Popullor. Nga minus 37000 vota që pati në vitin 2021, në 11 maj 2025 hendeku u thellua shumë më tepër dhe arriti në minus 327000. Jemi 8 muaj pas asaj humbjeje dramatike dhe ajo parti akoma nuk ka analizuar shkaqet e disfatës për të vënë gishtin te ai ose ata që janë përgjegjës për gjendjen e rëndë të partisë. Kryetari ose më saktë pronari i saj prej 35 vitesh, zoti Sali Berisha, si gjithmonë edhe kësaj radhe nuk e njohu humbjen poshtëruese, duke thënë se narkoshteti dhe Ramaduro i vodhi zgjedhjet. Nuk ishin zgjedhje po farsë dhe mashtrim elektoral, ndërkohë që Evropa i njohu ato. Kishte edhe vërejtje, po jo për vjedhje masive, si pretendon Berisha. Ky ka qenë refreni iPD-së pas të gjitha humbjeve seriale të më shumë se një dekade. Me këtë lloj gënjeshtre kryetari Berisha përherë ka anashkaluar analizat e humbjeve për të mbetur përherë kryetar, kur, sipas statutit, ai duhet të dorëhiqet menjëharë pas humbjes. ” Po, po, po të ishin zgjedhje dhe jo farsë elektorale…” Deri tani me këtë gënjeshtër ai e pati kaluar paq mbajtjen në duart e tij të frenave të PD-së. Sivjet, nga që demokratët e ndershëm e kuptuan dhe janë bindur se ai gënjen për të mos lënë drejtimin, në masë kanë filluar vetëm të shprehin me njeri tjetrin pakënaqësi për gjendjen mjerane të partisë. Nuk janë të pakët dhe demokratët ose të djathtët pa parti që në heshtje gishtin e vënë vetëm te Sali Berisha. Edhe kohët e fundit ” kryengritësit” Salianji, Alimehmeti dhe disa të tjerë u mblodhën në Durrës në një tip foltoreje dhe ngritën zërin e tyre për reformimin e PD-së. Ngulën këmbë te reformimi
dhe rinovimi i partisë, te dëgjimi i zërit të demokratëve. Edhe pse direkt ata nuk patën guximin të kërkonin që Berisha të hapi krahun për brezin e ri, përsëri ajo lëvizje kryetarit të PD-së nuk i pëlqeu atij dhe e quajti si axhendë personale të Salianjit me shokë. Vetë zoti Alimehmeti sqaroi se lëvizja e Salianjit nuk ka për qëllim pozicionin e kryetarit të PD-së, edhe pse ajo është e përgjumur dhe ka nevojë të organizohet. Ndërkohë që Berisha po organizon foltoret e tij për rinovimin e partisë, edhe Salianji vazhdon foltoret për reformimin e PD-së, për analizën e humbjeve të 11
Majit 2025, po pa vënë gishtin te Berisha. Duket hapur mungesa e guximit për të analizuar ndershmërisht shkaqet që e kanë çuar PD-në, dikur shpresa e Shqipërisë, në një parti inferiore ndaj PS-së që ka katër legjislatura që bën ligjin, sepse e ka votuar populli, i ka besuar populli. Demokratët ngurojnë t’i thonë kryetarit ose pronarit të tyre se ai ishte dhe mbeti një komunist i përbetuar që u vu në krye të lëvizjes anti PPSH, sepse këtë detyrë i ngarkoi Ramiz Alia.
Kur vjen puna për një analizë të thelluar të një degradimi të parreshtur detyrimisht duhet t’i kujtohen kryetarit të partisë gabimet që ndër vite ai ka bërë. Heqja e dhjetoristëve. Nga 1990 ka mbetur Berisha dhe Tritan Shehu, në mos gaboj. Të tjerët ai i anatemoi. Ndihmoi Milosheviçin duke i çuar naftë, që transportohej kontrabadë nëpër Shqipëri. Përkrahu firmat piramidale. Krijoi situatën konfliktuale në 1997 duke dashur të niste luftën Veri-Jug. Udha urdhër dy pilotëve të qëllonin popullin. Ata për të mos u bërë bashkëfajtorë në krim, e mbajtën frymën në Itali. Gjatë qeverisjes së tij korrupsioni mori përmasa të llahtarshme. Ai nuk dënoi as dhe një hajdut. Berisha kishte pushtet absolut si kryeministër, si kreu i drejtësisë, si kryetar i partisë që kishte dhe Presidentin. Ai nuk diti të qeveriste. Nuk kishte horizont dhe kapacitet poliedrik. Ishte një hakmarrës i egër. Nisën vrasjet e djemve në Tropojë. U dha urdhri për të vrarë në 21 janar. Mbështeti aferën e Gërdecit ( për të cilën ishte i interesuar direkt djali i tij) ku u vranë 26 njerëz të pafajshëm. Shkurt, ai nuk diti të qeveriste. Drejtimi i tij ishte një kolazh komunisto-bajraktaro-gjoja demokratik. Për të gjitha këto populli nuk e votoi më., Për të gjitha gabimet e tij ai na ka lënë mbi kurriz Partinë Socialiste të Edi Ramës për një çerek shekulli. Po të jetë ende Berisha kryetar, socialistët, edhe pse jo pa të meta , sidomos për korrupsionin e disa kuadrove të larta të saj, ka të ngjarë që populli t’i votojë përsëri. Si ka mundësi të ndodhë kjo? Po, mund të ndodhë. Përballë Ramës me vizion të gjerë dhe Socialistëve, po të jetë sërish plaku 80 vjeçar e kusur Sali Berisha ,i padëshiruar për SHBA-të dhe Anglinë për korrupsionin e tij dhe të familjes së tij si dhe për minimin e demokracisë dhe zënien për gryke të drejtësisë, doemos populli ka për të votuar për Partinë Socialiste. Populli po përkrah përpjekjet e ethshme të tyre për t’u futur në BE. Rama, krejt ndryshe nga Berisha, po i lë dorë të lirë drejtësisë të hetojë dhe dënojë çdo të korruptuar. Nuk ka për të qenë mirë për Shqipërinë që për 20 vjet rresht të drejtojë e njëjta parti. Ishim dikur në PPSH, tani jemi në PS. Ama ndryshimi është i madh. Tani jemi në Pluralizëm. Pushtetet janë të ndara. Athere diktatorin e zgjidhte partia. Sot kryeministrin e voton populli. E dua, nuk e dua unë, populli Ramën e ka votuar 4 herë. Socialistët nuk drejtojnë drejtësinë. Është e drejta e tyre të drejtojnë qeverinë si mendojnë ata që është më mirë për popullin, për ekonominë dhe turizmin në rritje. Për pagën që ka ardhur duke u rritur, për tunelet dhe rrugët, për marrëdhëniet ndërkombëtare konstante, për ligjet që të jenë si i ka Evropa…Ndërsa shkruaj këto radhë në përfytyrim më del Berisha duke gënjyer e mashtruar, duke shpifur e anatemuar kundërshtarët e tij. Po më kujtohen dhe fjalët e Eduard Selamit i cili, shumë kohë më parë, në një intervistë te Zëri i Amerikës ,tha se BERISHA ËSHTË FATKEQËSIA E SHQIPËRISË. A ka njeri të ndershëm dhe të aftë që e do Shqipërinë që me dorën e tij të votojë për një njeri i cili cilësohet nga vetë figurat e PD-së si Fatkeqësi për Shqipërinë? Këtë nuk kanë guximin ta thonë hapur edhe Salianji me eksponentët e tjerë kokulur dhe burracakë të forumeve të PD-së. Heshtja e tyre ndaj shkaktarit të rrënimit të PD-së, po i shkakton një dëm të jashtëzakonshëm Shqipërisë . Deri kur do të presim që
demokratët të hedhin frikën pas krahëve dhe të kërkojnë që partia të çlirohet nga kthetrat e një njeriu i cili e ka zënë keqas për fyti?!