ABU DABI – Negociatat Ukrainë-Rusi pa marrëveshje paqeje, por me dakordësi për shkëmbimin e të burgosurve
– Negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë, të zhvilluara me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Abu Dabi, përfunduan pa një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, por me një rezultat konkret, palët ranë dakord në parim, për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve të luftës, sipas “Reuters”.
Takimet dyditore, të zhvilluara më 10 dhe 11 nëntor, ishin negociatat e para të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas pas nëntë muajsh.
Megjithëse të dyja palët raportuan përparim në disa çështje, dallimet për territorin dhe garancitë e sigurisë, mbeten pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, konfirmoi se Moska dhe Kievi kishin arritur mirëkuptim për disa çështje, ndërsa për të tjera qëndrimet vijonin të ishin të ndryshme.
Ai bëri të ditur se palët kishin rënë dakord në parim, për një shkëmbim të ri dhe të gjerë të të burgosurve, detajet e të cilit do të bëhen publike në vijim.
Edhe përfaqësuesi ukrainas, David Arakhamia e cilësoi marrëveshjen për shkëmbimin, si një nga rezultatet konkrete të takimeve, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm në procesin e negociatave.
I dërguari amerikan, Jared Kushner tha se diskutimet kishin qenë të vështira, por përfaqësonin një hap përpara.
Ai theksoi se mungesa e besimit mes dy vendeve, mbetet një problem serioz dhe se çështja territoriale do të jetë më e vështira për t’u zgjidhur.
Çështja territoriale mbetet pengesa kryesore
Një nga mosmarrëveshjet më të mëdha lidhet me rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës.
Rusia kërkon që Kievi të dorëzojë edhe territoret e këtij rajoni, që vazhdon të kontrollojë, ndërsa autoritetet ukrainase kanë kundërshtuar vazhdimisht çdo lëshim territorial.
Moska kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas dhe deri më tani nuk ka dhënë shenja, se është e gatshme të heqë dorë nga kërkesat e saj për Donbasin.
Përveç çështjes territoriale, negociatorët diskutuan edhe garancitë e sigurisë për periudhën pas përfundimit të luftës, rindërtimin e Ukrainës dhe mundësinë e krijimit të një kuadri të ri të sigurisë europiane.
Kushner tha se ishte shënuar përparim në diskutimet për garancitë e sigurisë, por nuk dha hollësi mbi propozimet konkrete.
Përfshirja e Evropës në negociata
Një tjetër çështje e diskutuar ishte roli i vendeve evropiane në procesin e paqes.
Ukraina kërkon që negociatat e ardhshme të mos kufizohen vetëm në formatin tripalësh mes Kievit, Moskës dhe Uashingtonit, por të përfshijnë edhe përfaqësuesit europianë.
Arakhamia deklaroi se takimet e ardhshme duhet të zhvillohen në një format shumëpalësh, me pjesëmarrjen e Europës.
Nga ana tjetër, Medinsky shprehu rezerva për përfshirjen e vendeve evropiane, duke pretenduar se Rusia nuk kishte marrë prej tyre propozime konkrete për paqen.
Kushner bëri të ditur se ai dhe i dërguari tjetër amerikan, Steve Witkoff, pritet të udhëtojnë drejt Moskës për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, ku do të diskutojnë rezultatet e takimeve dhe mundësinë e zgjerimit të procesit negociator me partnerët evropianë.
Më pas, të dërguarit amerikanë planifikojnë të takohen edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Irlandë.
Ndërkohë, pavarësisht zhvillimit të negociatave, sulmet ushtarake vijuan.
Autoritetet ukrainase raportuan për goditje ruse ndaj infrastrukturës energjetike, ndërsa një sulm ndaj një tregu në rajonin e Odesës shkaktoi tre viktima.
Edhe autoritetet ruse raportuan një viktimë nga një sulm ukrainas me dronë në rajonin e Belgorodit.
Negociatat në Abu Dabi rezultuan me një marrëveshje në parim, për shkëmbimin e të burgosurve dhe disa përparime në diskutimet për sigurinë, por nuk sollën një kompromis për çështjet territoriale dhe përfundimin e luftës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.