Afron “fundi” i Draghit – Flitet se Franca do të marrë postin kryesor të BQE
Një nga pyetjet më të mëdha për të ardhmen e Eurozonës këtë vit është se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Bankës Qendrore Europiane.
Presidenti italian Mario Draghi përfundon mandatin 8-vjecar në muajin Tetor dhe lojtarët e tregjeve po presin me padurim drejtimin që banka qendrore do të marrë pas largimit të tij.
Sipas zyrtarëve europianë, një kandidat francez do të ishte i përshtatshëm për postin kryesor, por kjo do të varet nga zgjedhjet e ardhshme në Europë dhe shpërndarja e roleve në të gjithë Bashkimin Europian.
Sipas zyrtarëve europianë, Franca ka më shumë se 1 kandidat të mundshëm dhe Gjermania mund të anojë më shumë te presidenca e Komisionit Europian, vend që do të lirohet përsëri këtë vit.
Disa emra francez qarkullojnë në Europë: Benoit Coeure, ekonomisti francez që është anëtar i bordit ekzekutiv të BQE dhe Francois Villeroy de Galhau, që është guvernatori i bankës së Francës.
Sipas Bloomberg, të dy këta kanë thënë se janë entuziast për të zëvendësuar Draghin. Vendet europiane do të zgjedhin nga një person për të zënë postin e BQE.
Kandidatët do të diskutohen mes ministrave të financave të Eurozonës si dhe Parlamenti Europian. Megjithatë, vendimi final i takon krerëve të shteteve të Eurozonës, e për rrjedhojë, është jashtë fuqisë së Bankës Qendrore Europiane.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të konsiderohen zgjedhjet e ardhshme europiane. Ky votim do të hapë disa poste të tjera europiane, përfshirë presidentin e ri të Komisionit, Parlamentit dhe madje edhe Këshillit Europian.
Draghi do të kujtohet gjithnjë për fjalimin e tij kur nisi kriza e borxhit në Eurozonë, që do të shpëtojë ekonominë e rajonit me “çdo kusht”. Vetëm nëpërmjet fjalimit, tregjet fituan sigurinë që i mungonte.