Agjencia e Ushqimit asgjëson në Kosovë mbi 21 mijë kilogramë produkte mishi të mykura
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka asgjësuar 21 mijë 226 kilogramë produkte mishi.
Sipas njoftimit të AUV-së asgjësimi është bërë në kuadër të zbatim të një urdhërese të Inspektoratit Veterinar të Agjencisë.
Në njoftim thuhet se bazuar në këtë urdhëresë operatori ekonomik ELKOS SH.P.K. ka vazhduar procesin e gjurmueshmërisë dhe tërheqjes së produkteve ushqimore.
“Si rezultat, operatori ka tërhequr edhe 21,226 kg produkte ushqimore, të cilat janë asgjësuar më 30 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së”, thuhet në njoftim.
Sipas evidencës së operatorit, produktet e evidentuara përfshijnë mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish të grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera të mishit, si dhe produkte të tjera ushqimore.
Këto masa thuhet se pasojnë urdhrin fillestar të AUV-së për ndalimin e shitjes, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3,130 kg kofshë pule të ngrira, pas konstatimit të pranisë së mykut.
“Procesi i gjurmueshmërisë dhe grumbullimit të sasive të tjera po vazhdon, veçanërisht për produktet tek të cilat janë konstatuar ndryshime të cilësive organoleptike, përfshirë praninë e mykut. Produktet e identifikuara si të papërshtatshme për konsum do t’u nënshtrohen masave përkatëse të ndalimit të shitjes, tërheqjes dhe asgjësimit”, thuhet në njoftim.
Të premten AUV-i ka ndaluar shitjen dhe e ka urdhëruar tërheqjen e mishit të ngrirë të pulës të importuar nga Brazili nga kompania “Apetit”, pasi në të ka konstatuar bakterin “Salmonella Minnesota”.
Në një njoftim të AUV-së është bërë e ditur se janë ndaluar dhe është vendosur për tërheqjen e dy lotëve.
Gjatë diitës së djeshme Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar edhe 5.56 tonë misër me origjinë nga Serbia për shkak të përmbajtjes së Aflatoksinës B1 mbi kufijtë e lejuar.
Masat janë ndërmarrë ndaj tri subjekteve ekonomike, Agro Com Sh.P.K. në Fushë Kosovë, ku janë asgjësuar 3,270 kg misër, Thermo-1 Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës, ku janë asgjësuar 1,040 kg, si dhe NTP “Te Hysi” në Shtime, ku janë asgjësuar 1,250 kg, njoftoi AUV.
Aflatoksina B1 (AFB1) është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit. Përmes ushqimit të kontaminuar për kafshë, ajo mund të shndërrohet në Aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.
AUV-i u ka bërë thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ushqimit për kafshë që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, të zbatojnë kushtet e duhura të ruajtjes dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër për të cilin është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të Aflatoksinës B1.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.