Politika

Agron Duka ikën nga PR, emërohet kryetari i Partisë Agrare

Deputeti i Partisë Republikane Agron Duka largohet nga partia e drejtuar nga Fatmir Mediu. Pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Agrare Ambientaliste, u pranua kërkesa e dorëheqjes së kryetarit Lufter Xhuveli.

Asambleja vendosi që drejtimin e Partisë Agrare Ambientaliste ta marrë Agron Duka, deputeti Partisë Republikane, ish- ministër i Bujqësisë.

Gjithashtu në vendimet e saj PAA theksoi se do të ketë një proces riorganizimi të partisë duke rigjeneruar strukturat në çdo bashki të vendit.

Gjashtë ditë më parë, DITA paralajmëroi se kjo lëvizje e Dukës vjen si rrjedhojë e pakënaqësive që ka me Mediun, të nisura që nga zgjedhjet e 21 qershorit 2015.

Asokohe Agron Duka kërkonte kandidimin për Bashkinë e Durrësit nën siglën e Partisë Demokratike, por kjo u refuzua nga Lulzim Basha. Për këtë refuzim, Mediu nuk bëri përpjekje për të plotësuar ambicien e Dukës dhe kjo shkaktoi fërkimin e parë mes tyre. Një tjetër përplasje mes Dukës dhe Mediut ishin edhe zgjedhjet brenda Partisë Republikane. Duka kërkoi të merrte postin e kryetarit nëpërmjet zgjedhjeve, por kjo nuk u pranua nga Mediu.

Deputeti i zonës së Shijakut synon të drejtojë një parti për zgjedhjet e 2017-s duke refuzuar për të qenë pjesë e ofertave për t’iu bashkuar PD, PS apo LSI. Aktualisht PAA e Lefter Xhuvelit është në opozitë dhe nuk dihet nëse në drejtimin e ri të Agron Dukës do të mbajë ose jo të njëjtën linjë politike.

Xhuveli prej kohësh ka kërkuar të largohet nga politika për shkak edhe të moshës së tij, ndërkohë që ka miqësi të vjetër me Dukën që në kohën e qeverisë “Nano”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button