☀️
Tiranë 33°C · Kthjellët 07 September 2026
S&P 500 7,719 ▼0.38%
DOW 53,414 ▼0.51%
NASDAQ 26,507 ▼0.29%
NAFTA 91.48 ▲0%
ARI 4,477 ▲0%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063 EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063
₿ CRYPTO
BTC $79,062 ▼ -0.66% ETH $2,482 ▲ +0.14% XRP $1.3957 ▼ -0.87% SOL $104.3200 ▼ -1.52%
S&P 500 7,719 ▼0.38 % DOW 53,414 ▼0.51 % NASDAQ 26,507 ▼0.29 % NAFTA 91.48 ▲0 % ARI 4,477 ▲0 % S&P 500 7,719 ▼0.38 % DOW 53,414 ▼0.51 % NASDAQ 26,507 ▼0.29 % NAFTA 91.48 ▲0 % ARI 4,477 ▲0 %
EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063 EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063
07 Sep 2026
Breaking
Politika

“Ah, sikur ta kisha shkruar vetë!”- Rama ndan reflektimin për manipulimin dhe urrejtjen në hapësirën publike: L

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një tekst të gjatë, për të cilin sqaron se nuk është shkruar prej tij, por se është një nga ato shkrime që do të dëshironte t’i kishte shkruar vetë.

Rama e shoqëron postimin me një koment ironik, duke u bërë thirrje ndjekësve ta lexojnë, ndërsa teksti ngre akuza të forta.

Në tekst kritikohet ashpër ajo që përshkruhet si një “industri llumi”, e ngritur mbi shtrembërimin e fakteve, panikun, zemërimin dhe përdorimin e titujve apo videove të manipuluara për të nxitur reagime dhe për të gjeneruar klikime.

Postimi i Edi Ramës:

“RRESHTAT MË POSHTË NUK I KAM SHKRUAR UNË, PO ËSHTË NJË NGA ATO RASTE KUR NJERIU THOTË: AH, SIKUR T’I KISHA SHKRUAR VETË…

Lexojini se do të gjeni shumë fytyra, zëra dhe mashtrime e dyfytyrësira nga jeta e përditshme para pasqyrave teknologjike

Hapësira publike është kthyer në një sistem kanalesh të ujërave të zeza dhe kutërbimi nuk është nën këmbët tona, por po ngrihet nga foltoret, nga titujt dhe nga goja e njerëzve që e dinë se po jashtënxjerrin plehra, në emër të “guximit”.

Kjo është një industri llumi, e ngritur mbi shtrembërimin, poshtërimin, panikun dhe tërbimin, ku njerëzit bosh kanë mësuar se, nëse arrijnë t’i bëjnë qytetarët të urrejnë, askush nuk do ta vërë re se ata vetë nuk kanë asgjë të dobishme për të ofruar. Nuk u duhen zgjidhje kur mund të prodhojnë armiq, as u duhet karakter kur turma është e etur për mizori ndaj shënjestrës njerëzore të radhës.

Ky kanibalizim funksionon sepse shumë njerëz janë përshtatur e rehatur duke jetuar në vorbullën e tij. Ata e dinë se fragmenti i videos është prerë për të mashtruar, se titulli është fabrikuar si armë, se akuza është fryrë, se zemërimi është inskenuar dhe se njeriu që po tërhiqet zvarritet nëpër baltë është një qenie njerëzore e katandisur në një leckë për klikime dhe reagime. E dinë se faktet po spërdridhen për të nxjerrë një ulërimë therëse dhe fundja e dinë fare mirë, se gënjeshtra është gënjeshtër. Ama u pëlqen, thjesht u shijon tërë spektakli që prodhon gënjeshtra.

Një mospajtim nuk lejohet më të mbetet thjesht një mospajtim. Dikush duhet patjetër të jetë i korruptuar, i paaftë, mashtrues, i kapur ose pjesë e ndonjë konspiracioni të hatashëm. Njerëzit marrin një copëz informacioni, i ngjisin përfundimin që u përshtatet bindjeve të tyre, e hedhin në vorbullën e internetit dhe ja ashtu, si me magji, diçka që nuk ka ndodhur kurrë pranohet si fakt.

Zyrtarët dhe nëpunësit publikë trajtohen në mënyra që do të ishin të papranueshme pothuajse kudo e kurdoherë tjetër, a thua se thjesht zgjedhja për t’i shërbyer publikut nënkupton pranimin e një abuzimi pa kufi. Kjo është ajo që duhet t’i neveritë njerëzit. Jo mospajtimi, por oreksi për të parë dikë të keqtrajtohet dhe prapëseprapë për ta shpërndarë gënjeshtrën për të. Oreksi për të parë një fqinj të shndërrohet në armik, sepse kjo të kënaq më shumë sesa të pranosh që bota është ca më e ndërlikuar se sa duket. Dhe më e keqja, lejimi i një frikacaku me kamerë, mikrofon, titull në dorë apo platformë në zotërim, që të fusë dorën në kraharorin tonë, t’u drejtohet instinkteve tona më të këqija dhe të na bindë se ato janë parime.

Shumë njerëz nuk kanë më bindje politike, po kanë vetëm një varësi toksike. U duhet zemërimi i radhës, zuzari i radhës, videoja e radhës dhe justifikimi i radhës për t’u ndjerë më të mirë se të tjerët, pa qenë aspak njerëz më të mirë dhe ndaj ia kanë dorëzuar zhurmës krejt ndërgjegjen e tyre!

Shërbimi publik nuk duhej të kthehej kurrë në një material për thertoren e besimit, në një skenë për ego të papërmbushura apo në karburant për një makineri që i shndërron njerëzit në armiq imagjinarë për disa klikime. Një nënë që lufton të mos i fiken dritat nuk ka nevojë për tërbim teatral. Një veteran që pret kujdesin që i takon nuk ka nevojë për një video të manipuluar. Një mësues që blen me paratë e veta mjetet e shkollës nuk ka nevojë për panik të fabrikuar. Njerëzit që po përpëliten nga kostoja e rritur e jetesës nuk kanë nevojë për frikacakë të radhës që ua shesin urrejtjen si aftësi udhëheqëse.

Dhe ju lutem, ma kurseni predikimin e kujtdo që noton gjithë javën në kanalizimet e qelbura dhe pastaj shfaqet duke kutërbuar nga ambicia personale. Ma kurseni drejtësinë e rreme të njerëzve që i bëjnë qytetarët më të zemëruar, më pak të ndjeshëm e më pak të ndershëm, po edhe më të manipulueshëm, teksa për vete hiqen sikur po i shërbejnë diçkaje më të madhe se uria e tyre e pangijshme për vëmendje.

Nëse politika e tyre ka nevojë për gënjeshtra që të marrë frymë, ajo meriton të mbytet. Nëse lëvizja e tyre ka nevojë t’i zhveshë njerëzit nga njerëzorja për të mbijetuar, ajo e ka vendin në kanalin e ujërave të zeza. Nëse ndikimi i tyre varet nga helmimi i njerëzve kundër njëri-tjetrit, ata nuk janë udhëheqës po vetëm pjesë qorre të këtij sistemi ujërash të zeza.

Në bisht fare, pyetja që mbetet është kjo: Çfarë je i gatshëm të bëhesh për të mposhtur njerëzit që të kanë thënë se duhet t’i urresh?

Nëse je gati të bëhesh gënjeshtar, frikacak, manipulues apo njeri që kënaqet duke parë njerëz të panjohur të zhvishen nga dinjiteti i tyre njerëzor, atëherë nuk e ke mundur kalbëzimin që thua se po lufton. Thjesht, je bërë pjesë e tij.

Brooks Williams, Administrator i Qytetit Ferris, TEXAS, SHBA”.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.