Rama emëron si këshilltare një stratege për median, vjen nga Maqedonia e Veriut
Kryeministri Edi Rama ia ka besuar këshillimin për çështjet e media një zonjë e cila në profilin e saj në Linkedin e përshkruan veten si “stratege për çështjet e medias.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, duke iu referuar burimeve qeveritare raporton se ajo është Vlerë Gjakova, e cila ka qenë aktive në të shkuarën për komentet e zhvillimeve politike si në Kosovë dhe në Shqipëri.
Ajo ka është lindur në Maqedoninë e Veriut dhe ka shpenzuar një kohë të gjatë në Kosovë, ku 8 vite më parë iu bashkua “Vetëvendosjes” së Albin Kurtit dhe në zgjedhjet e 2019 ishte kandidate për deputete nën siglën e kësaj force politike, fakt i publikuar prej saj në rrjetet sociale.
Vlerë Gjakova po ashtu ka qenë pjesë e “Rrethit Katror” një rubrikë në emision “E Diell” në Top Channel, nën moderimin e Edi Manushit.
Të njëjtat burime treguan se Vlera Gjakova e ka marrë zyrtarisht këtë detyrë dy javë më parë.
Top Channel ka parë një e-mail dërguar nga Vilma Guri, sekretare e përgjithshme në kryeministri, dërguar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, ku njoftohen për rolin e zonjës Gjakova.
Vilma Guri përmes këtij e-mail kërkon zhvillimin e takimeve nga këshilltarët e medias të çdo ministrie me Vlerë Gjakovën për t’i paraqitur strategjitë e komunikimit.
Në profilin e saj në Linkedin, zonja Gjakova e përshkruan veten e saj si stratege në fushën e komunikimit, eksperte për energjinë e rinovueshme dhe publiciste me një eksperiencë 18-vjeçare për strategjitë e medias dhe marrëdhëniet me publikun.
Sipas burimeve të hapura online Vlerë Gjakova ka një master për Filozofi dhe Psikanalizë, Qendra Kërkimore për Filozofinë Greke.
Një tjetër master për Metafizikë, Epistemologji, Filozofi Morale dhe Politike, Universiteti Aristotel i Selanikut (Greqi).
Ndërkohë studimet Bachelor i ka kryer për Komunikim dhe Gazetari, Instituti Maqedonas për Media (MIM) përfshi studimet për Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare.
Në të shkuarën Vlerë Gjakova ka punuar si strategjiste e komunikimit dhe eksperte e energjisë së rinovueshme, me fokus në fusha të tilla si qytetet e zgjuara dhe të gjelbra, si dhe ekosistemet digjitale.
Ka shërbyer më parë si zëdhënëse dhe përfaqësuese e marrëdhënieve me publikun (PR) për EVN Maqedoni.
Përvoja e saj përfshin punën me Komunën e Çairit, OJQ-në VEPRO! (ACT), Coca-Cola Ltd Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN).
Është aktive si aktiviste për të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, feministe dhe publiciste.
Gjithashtu është angazhuar në media dhe ka shkruar për platforma si Observatori Evropian i Gazetarisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.