Ahmeti: Nuk do të marrim pjesë në takimin e liderëve të ftuar nga Ivanov
Ngjarjet e dhunshme në Parlamentin e Maqedonisë i ka dënuar dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti.
Ai nga Tetova ka apeluar për gjakftohtësi dhe njëhërësh ka kërkuar që problemi të mos shndërrohet në problem ndëretnik.
“Me këtë rast, apeloj tek të gjithë qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë, urtësinë dhe në veçanti tek shqiptarët që ky problem nga intra-etnik mos të shndërrohet në problem ndër-etnik. Por, siç ka filluar si problem politik, me mjete politike të zgjidhet dhe të marrë drejtimin e duhur drejt konstituimit të institucioneve të shtetit”, ka theksuar lideri i Bashkimit për Integrim Ali Ahmeti.
Ahmeti eshte shprehur i prerë se partia që drejton nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve të thirrur nga presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov, ngase siç është shprehur, tanimë Ivanovi nuk paraqet pjesë të zgjidhjes së problemit sepse ai është pjesë e problemit.
“Mendojmë që Ivanovi është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit dhe nuk mendoj që vendimi në kryesi do të jetë që ne t’i përgjigjemi thirrjes së Ivanovit. Duhet përdorur mekanizma tjerë për t’i ulur palët, për t’i ulur gjakrat në fillim dhe tani të shihet se cilat masa duhet marrë për veprimet e ardhshme”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti konfirmon se është në koordinim edhe me forcat tjera politike për të gjetur një zgjidhje të situatës.
Ai ka theksuar se në vazhdimësi janë duke rrjedhë veprimet drejt konstituimit të institucioneve.
“Mendoj se çdo deklaratë që nxit është e dëmshme në këto momente, që të gjithë duhet të apelojmë për ulje të tensioneve dhe vënie në funksion të institucioneve sepse në rrugë institucionale mund të kanalizohen gjërat dhe të hyjnë në binarë për zgjidhje përfundimtare dhe me thirrje dhe apele për revanshizëm mendoj që na çon në rrugë të pakrye dhe në rrugë të rrezikshme për vetë Maqedoninë”, ka theksuar Ahmeti Ahmeti.