Aksident i rëndë në Korçë-Maliq, 18-vjeçari përplaset nga makina
Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në aksin rrugor Korçë-Maliq, ku një 18-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të fshatit Bulgarec, pak kilometra larg Korçës.
Nga informacionet e para të siguruara nga vendi i ngjarjes dyshohet se i riu ka tentuar të kalojë nga njëri krah i rrugës nacionale në krahun tjetër, kur është përplasur nga një automjet që lëvizte nga Korça në drejtim të Maliqit.
Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda të riut, i cili mësohet se ndodhet në sallën e reanimacionit në Spitalin e Korçës.
Policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e automjetit, ndërsa ekspertët e qarkullimit rrugor po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit dhe dinamikës së përplasjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.