Akuzat e Doshit, Meta: Nuk habitem, deputeti na tha se atentati ishte porositur nga kunati i Berishës
Kryeparlamentari Ilir Meta i qëndroi deklaratës së bërë një ditë më parë nga kreu i komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, lidhur me pretendimet e deputetit Tom Doshi për atentatin që ishte përgatitur ndaj tij dhe deputetit Mhill Fufi.
Në një deklaratë për mediat, Meta tha se muaj më parë vetë deputeti Doshi e kishte njoftuar për atentatin, që sipas tij ishte porositur nga kunati i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kryetari i LSI-së theksoi se nuk habitet aspak nga akuzat e djeshme të deputetit Doshi në drejtim të tij, ndërsa përshëndeti vendimin e PS-së për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.
“Nuk jam habitur aspak nga akuzat e djeshme të deputetit Doshi, pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PS. Veprim që e përshëndes plotësisht për arsye sepse është një veprim sipas vlerësimit tim mjaft i qartë për të ndarë njëherë e mirë politikën nga shantazhi dhe për t’i dhënë fund praktikave të presionit mbi qeverisjen e vendit. Lidhur me versionin e djeshëm, nuk habitem për të sidomos pas vendimit të grupit të PS për përjashtimin e tij. Unë pjesën serioze e kam konsumuar prej muajsh. Shqetësimin e deputetit në fjalë sipas versionit të parë, i ditur prej tij jo vetëm për mua por edhe për shumë persona të tjerë të përgjegjshëm dhe me përgjegjësi institucionale se ndaj tij po përgatitej një atentat, ku porositësi dhe paguesi kryesor ishte kunati i ish-kryeministrit Berisha, zoti Agim Rama, i cili do të paguante sipas versionit të tij të atëhershëm, 500 mijë euro për eliminimin e tij dhe deputetit Fufi, për të krijuar destabilizim politik, me qëllimin se ishte përfshirë kryetari i kuvendit.”- deklaroi Meta.