Kryeartikull

Alibia e Berishës, kërcënim për demokracinë!

Nga Raimond Cimbi

I dorëhequr si kryetar në 2013, shpartallohet po si kryetar në 2023!

Humbja e 2023 është më e rëndë se ajo e 2013, jo vetëm nga përmasat, por edhe nga disa elementë që as nuk mund t`i shkonin në mend 10 vjet më parë: i ndëshkuar “non grata” nga ShBA dhe Britania e Madhe, pa parti (logo, vulë, …), i strehuar zyrtarisht tek partia e Ilir Metës (ish kundërshtar i egër politik). Në 2013 u ndëshkua nga shqiptarët si i korruptuar, në 2023 i duhet të mendojë për dosjet që presin të hapen në SPAK, jo vetëm ato të “korrupsionit madhor”, por edhe i denoncuar për vrasje.

Humbja katastrofike e 2023 tregoi se shqiptarët i kanë mbyllur përfundimisht llogaritë me Sali Berishën!

Alibia e Berishës dhe e idhtarëve të tij se votat i vodhi Edi Rama është mjaft e rrezikshme për demokracinë. Është fshehja nga realiteti, e qëllimshme dhe e përdorur për interesat personale të klanit Berisha. Sado që Edi Rama të ketë përdorur makinerinë shtetërore (praktikë e përdorur me mjaft zell nga Berisha gjatë sundimit të tij), humbja ka vetëm një shpjegim real: Sali Berisha u refuzua masivisht nga shqiptarët! Mjafton të lexosh gjakftohtë shifrat post votime: elektorati i PS është pothuaj konstant, besnik si gjithmonë, ai që ka lëvizur është elektorati “gri” dhe pjesa e demokratëve jo fanatikë berishianë. Është pikërisht mungesa e këtyre që solli uljen e pjesëmarrësve në votime dhe automatikisht humbjen e thellë.

Alibia e Berishës është e rrezikshme për demokracinë pasi nëpërmjet saj ai mban peng opozitën, duke e ekzekutuar atë. Harta elektorale ngjyrë pink tregon se “de facto” në Shqipëri nuk ka më opozitë. Ajo është peng i Sali Berishës (nuk po përmend këtu Ilir Metën se edhe ai është peng berishian) për t`u përdorur si kamardare për të mos u mbytur në ujrat që rrezikon të përpihet.

Partia Demokratike, alias “Foltorja”, dhe lideri i saj Berisha, e kanë kryer misionin historik të tyre. Pas 3 dekadash, nën një konsum jo normal dhe inatçor (sipas frymës së udhëheqësit suprem), kjo parti duhet të mos jetë më pjesë e skakierës politike shqiptare. Shikoni kush e përbën kupolën e saj. Për etikë nuk dua të përmend emra, po cili prej tyre përçon vizion? Kush prej tyre simbolizon të ardhmen? Ata janë aty si ekip shpëtimi për liderin e tyre. Ky është tashmë misioni i tyre i vetëm.

Po t`i referohemi historisë botërore dhe europiane, lindja dhe shkrirja e partive, është një proçes normal, i kushtëzuar dhe diktuar nga zhvillimet relevante kohore.

Në Itali, një parti mjaft e rëndësishme për jetën politike të këtij vendi, duke bërë madje historinë e tij, ishte partia Demokristiane. Parti antikomuniste, konservatore dhe europianiste, ajo pati kurbën e saj, që nga lindja në vitin 1943 deri në shkrirjen në vitin 1994, pas gërryerjes prej pushtetit dhe konsumit nga korrupsionit galopant.

Shoqëria shqiptare, centristë, të djathtë, konservatorë, intelektualë, patriotë, duhet të angazhohen në themelimin e një opozite reale dhe të vërtetë, me vizion dhe objektiva të qarta, e lirë dhe jo peng i të shkuarës, në funksion të qëllimit madhor që çdo opozitë normale ka: përballjen me pushtetin në mbrojtjen e standarteve demokratike të një shoqërie.

Dhe kjo duhet të ndodhë shpejt, madje shumë shpejt. Pas 2 vjetësh janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Nëpërmjet alibisë së tij, Berisha kërkon të arrijë dhe të jetë pjesëmarrës edhe në këto zgjedhje.

Dhe sigurisht rezultati do të jetë edhe më i keq për të gjithë demokratët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button