Ambasada e SHBA-së: Presim me padurim bashkëpunimin me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për paqe e stabilitet rajonal
Ambasada amerikane në Prishtinë doli me një porosi mbështetëse për institucionet e reja të Kosovës, në të njëjtën ditë kur u mblodh për herë të parë Kryesia e legjislaturës së re të Kuvendit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë doli të premten me një porosi mbështetëse për institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit, pikërisht në të njëjtën ditë kur u mblodh për herë të parë Kryesia e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Mesazhi u përcoll përmes një njoftimi të shkurtër në Facebook: “Ambasada e Shteteve të Bashkuara pret me padurim bashkëpunimin me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës në avancimin e prioriteteve të përbashkëta, ndër të cilat paqja dhe stabiliteti rajonal, si dhe prosperiteti i ndërsjellë”.
Njoftimi vjen vetëm dy ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 shtatorit, e cila konstatoi se Kuvendi u konstituua pas afatit 30-ditor, por pa antikushtetutshmëri, dhe se zgjedhja e Qeverisë nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Ndërkohë, afati për zgjedhjen e presidentit të ri skadon më 6 tetor, ndërsa institucionet e reja synojnë konsolidimin e punës së legjislaturës.
Ambasada amerikane ka qenë ndër partneret kryesore të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke mbështetur vazhdimisht proceset demokratike, forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Burimi: KosovaPress



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.