Politika

Ambasada e SHBA-ve për raportin e DASH

Raporti për Trafikun e personave, ambasada “vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”. Rasti duket se i përket deputetit socialist Arben Ndoka. Reagime nga PD dhe Ministria e Brendshme

arben_ndoka
Deputeti Socialist Arben Ndoka

Përfshirja në raportin e departamentit amerikan të shtetit mbi Trafikun e Personave e faktit se një deputet i tanishëm i parlamentit ka qenë dënuar më parë për krime që lidhen me trafikimin, ka rikthyer edhe një herë cështjen e pranisë në politikë të personave me një të kaluar problematike. Ambasada amerikane në Tiranë, e cila përmes ambasadorit Donald Lu ka qenë e angazhuar direkt në përpjekjet për të parandaluar përfshirjen e personave të tillë vecanërisht në listat e kandidatëve për zgjedhjet e pushtetit vendor, u shpreh sot se se e “vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”.

Deklarata vazhdon më tej duke nënvizuar se “shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë”, ndërsa shton se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”.

Rasti i përmendur në raportin e departamentit amerikan të shtetit duket se i referohet deputetit socialist Arben Ndoka, i cili rezulton të jetë dënuar në Itali për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana të rënduara”. Vitin e kaluar ishte opozita e cila denoncoi këtë rast duke publikuar dhe dokumenta sipas të cilave Ndoka është dënuar ne fund të viteve ’90 me mbi 7 vjet burgim, dhe e ka shlyer një pjesë të dënimit në burgjet shqiptare.

Ndoka, i cili ka folur për një ngjarje aksidentale, rezulton të jetë liruar në vitin 2005 dhe më pas ai është angazhuar dhe në funksione drejtuese në administratën publike, deri dhe në Gardën e Republikës apo policinë e shtetit, sic ka pohuar ai vetë. Ndërsa deri para se të përfshihej në listat e socialistëve në zgjedhjet e 2013, ka qenë në postin e drejtorit në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, në administratën e drejtuar nga demokratët.

Për raportin e departamentit amerikan të Shtetit reagoi sot dhe drejtuesi I opozitës Lulzim Basha sipas të cilit “Shqipëria është rasti unikal kur trafikantët e qenieve njerëzore, tutorë të vajzave shqiptare të shndërruara në skllave të prostitucionit, emërohen deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë dhe shefa të rëndësishëm në poste kyçe”, ndërsa e ciësoi raportin si një shtysë për procesin e dekriminalizmit.

Nga ana e saj ministria e Brendshme, përmes zëvendës ministres Elona Gjebrea, u shpreh se “gjetjet e raportit janë më të mirat për Shqipërinë, që kur DASH ka filluar të hartojë raporte të tilla”, duke kujtuar se në vitin 2013 Shqipëria gjendej një grup më poshtë mes vendeve në vëzhgim, dhe se që prej vitit të shkuar ka dalë nga kjo listë.

Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar, ndërsa theksohet se “Qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson krejtësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, megjithatë po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim”. Në deklaratën e saj të sotme, ambasada amerikane, në vijim të interesimit të mediave vendase lidhur me raportin e Departamentit të Shtetit, thekson se “ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve”, saktëson deklarata.

ndoka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button