Ambasadori Cutillo: Sfidë të re, modernizimi i sistemit ekonomik për ta përshtatur me legjislacionin europian
I pranishëm në Forumin e Biznesit Itali-Shqipëri që po mbahet sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e 200 delegatëve dhe rreth 350 sipërmarrje italiane, diplomati italian shprehu mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE brenda këtij viti.
Ai u shpreh se ndërmarrjet italiane do të mbështesin ato shqiptare në tregjet europiane duke shtuar se “Shqipëria do të arrijë që të fitojë falë bashkëpunimit me Italinë në të gjithë nivelet”.
“ Italia mendon se përpjekjet që Shqipëria ka bërë në këto vite meritojnë njohjen më konkrete, ose më mirë hapjen negociatave në këtë vit për anëtarësimin. Nëse do të ndodhë kjo, Shqipëria do të ketë përpara një sfidë të re, modernizimin e sistemit ekonomik për ta përshtatur atë me legjislacionin europian dhe ta vënë në kushte për të nxjerrë përfitime nga ky integrim. Jam i bindur se ndërmarrjet italiane janë partneri natyror për mbështetur ato shqiptare në këto sfida, për tu rritur së bashku, të përballojmë këto sfida në tregjet ndërkombëtare dhe europiane. Janë sfida të forta, të rëndësishme, që duan një angazhim shumë të madh dhe konstant dhe Shqipëria do të arrijë ti fitojë edhe falë bashkëpunimit me Italinë në të gjitha nivelet”, deklaroi ambasadori.
Cutillo tha më tej se “prania sot e një numri kaq të madh përfaqësuesish, ndërmarrjesh, entesh, shoqatash italiane vërteton faktin se nuk është vetëm sistemi italian që ka besim tek Shqipëria por janë sipërmarrësit italianë”.
Më tej, diplomati italian u ndal edhe te reforma në drejtësi, duke shtuar se Italia e mbështet atë pa rezerva. “Vetëm me një drejtësi të ndershme mund të jemi të efektshëm në luftën kundër korrupsionit. Këto reforma ndihmojnë përmirësimin e klimës së biznesit që ende është e karakterizuar nga fenomene informaliteti, të cilat janë pengesa të vërteta për futjen e sipërmarrësve në Shqipëri. Duke konsoliduar edhe praninë e atyre që tashmë kanë zgjedhur të jenë në Shqipëri. Një tjetër reformë kyçe për të tërhequr më shumë investues me një kuadër ligjor të qëndrueshëm dhe reformën e administratës publike.E gjitha kjo falë qeverisë suaj Kryeministër”, u shpreh ai.
Ambasadori italian vlerësoi se Shqipëria ka të gjitha mundësitë të bëhet porta hyrëse në Ballkan. “Shqipëria mund të bëhet porta hyrëse për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Asgjë nuk e simbolizon më mirë këtë se projekti i TAP në të cilin Shqipëria do të futet në një netëork botëror për furnizimin me energji. Për ndërmarrjet italiane, ky zhvillim rajonal hap mundësi të reja të paeksploruara investimi që mund të sjellin në Shqipëri veprimtari të delokalizuara nga vendet më të largëta duke krijuar një distrikt prodhues, një zonë industriale të vërtetë të Ballkanit”, deklaroi ai.