Dolovac urdhëron prokurorët të ndalin shkatërrimin e dosjeve, Prokuroria e Parë në Beograd formon lëndë
Prokuroria e Parë Themelore në Beograd ka formuar lëndë pas raportimeve për shkatërrim të dokumenteve zyrtare në institucione shtetërore dhe ndërmarrje publike, ndërsa kryeprokurorja supreme Zagorka Dolovac u ka urdhëruar të gjithë kryeprokurorëve të kërkojnë urgjentisht nga policia parandalimin e shkatërrimit të dosjeve.
Kryeprokurorja supreme e Serbisë, Zagorka Dolovac, ka lëshuar një udhëzim të përgjithshëm të detyrueshëm për të gjithë kryeprokurorët, pasi në publik u shfaqën njoftime se në institucione shtetërore po shkatërrohen dosje dhe dokumente zyrtare, njofton N1, siç transmeton portali snm.rs.
Paralelisht, Prokuroria e Parë Themelore Publike në Beograd njoftoi se ka formuar lëndë lidhur me publikimet për shkatërrimin e dokumenteve dhe dosjeve zyrtare në ambientet e organeve shtetërore dhe të ndërmarrjeve publike. Prokuroria sqaroi se, “për mbrojtjen e interesave të procedurës”, nuk mund të tregojë se për cilat institucione dhe ndërmarrje bëhet fjalë.
Sipas raportimit të N1-it, që e citon snm.rs, prokuroria ka urdhëruar kryerjen urgjente të këqyrjes dhe mbledhjen e provave materiale, detyrë që i është ngarkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Policisë, Administratës së Policisë për qytetin e Beogradit dhe Departamentit të Parë të Policisë Kriminale.
Në udhëzimin e saj, siç e citon portali izlaz.com nga njoftimi i Prokurorisë Supreme, Dolovac u ka urdhëruar kryeprokurorëve dhe ushtruesve të detyrës që t’i kërkojnë urgjentisht policisë të ndërmarrë veprimet e nevojshme për parandalimin e shkatërrimit të dosjeve dhe ta njoftojnë pa vonesë prokurorinë kompetente nëse ka elemente të veprës penale të heqjes ose shkatërrimit të vulës dhe të dosjes zyrtare, sipas nenit 328 të Kodit Penal. Në udhëzim thuhet se dosjet pretendohet se po shkatërrohen në institucione shtetërore, banka, në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), në Agjencinë e Sigurisë Ushtarake (VBA) dhe në institucione të tjera të rëndësishme për sigurinë ekonomike, financiare dhe juridike të Serbisë, ndërsa mosbatimi i udhëzimit përbën kundërvajtje disiplinore.
Reagimi i prokurorisë vjen pasi studentët njoftuan gjatë ditës se sinjalizues nga ndërmarrje të ndryshme shtetërore po i kontaktojnë për raste të ngjashme. Një ditë më parë, Dolovac kishte lëshuar edhe një udhëzim tjetër të detyrueshëm, me të cilin të gjitha prokuroritë obligohen t’i mundësojnë komisionit të Prokurorisë Supreme qasje në çdo lëndë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.