Ambasadori i ardhshëm i Shqipërisë në Kosovë mbron ndryshimet për Specialen: Kosova ka të drejtë t’i ndryshojë ligjet e veta
Denion Meidani, i nominuari i Shqipërisë për ambasador në Kosovë, mbrojti të premten para ligjvënësve në Tiranë ndryshimet e miratuara këtë javë nga Kuvendi i Kosovës në ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë, siç njofton agjencia Associated Press.
Meidani, i cili aktualisht mban postin e ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, u tha deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme se Kosova ka të drejtë t’i ndryshojë vetë ligjet e saj, duke shtuar se Shqipëria do të vazhdojë të punojë me partnerët ndërkombëtarë.
Kuvendi i Kosovës miratoi këtë javë ndryshimet që kufizojnë kompetencat e gjykatës me seli në Hagë, pasi kjo e fundit dënoi muajin e kaluar katër ish-krerët e UÇK-së — Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin — me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte të kryera gjatë konfliktit me Serbinë. Katër të dënuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar apelim.
Bashkimi Evropian ka kundërshtuar ndryshimet, duke thënë se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, dhe ka paralajmëruar se pavarësia e gjykatës duhet të mbrohet. Edhe Ambasada gjermane në Prishtinë u shpreh “thellësisht e shqetësuar” pas votimit në Kuvend.
Meidani, djali i ish-presidentit të Shqipërisë Rexhep Meidani, u nominua nga ministri i Jashtëm Ferit Hoxha në kuadër të një rokade ambasadorësh: ai do të zëvendësojë në Prishtinë Petrit Malajn, i cili kalon në Shkup. Dëgjesat në komisionin parlamentar u mbajtën sot, më 9 tetor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.