Ambasadori rus Andrey Karlov vritet sot pasdite në Turqi
Ambasadori rus në Turqi, Andrey Karlov është qëlluar për vdekje me armë zjarri gjatë një ekspozite arti pamor në kryeqytetin turk, Ankara.
“Karlov është qëlluar me armë zjarri në momentin kur po mbante fjalim”, deklaroi ambasada ruse në Turqi, duke shtuar se beson se pas sulmit fshihen radikalët islamikë.
Lajmi i vdekjes së ambasadorit është konfirmuar zyrtarisht nga Moska.
Fakti që akti u ndërmor gjatë një aktiviteti publik, bëri që në internet të përhapën me shpejtësi pamjet e sulmit. Në njërën prej videove që po qarkullojnë, autori dëgjohet të thotë fill pas të shtënave: “Ne vdesim në Aleppo, ju vdisni këtu!”.
Gjatë sulmit mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë, që u shoqëruan në një spital, ndërkohë që autori është vrarë nga forcat e sigurisë.
Hasim Kiliç, gazetar i Hurriyet ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin kur u dëgjuan krismat. Ai thotë se agresori ka qëlluar fillimisht në ajër për të trembur njerëzit dhe më pas ka vënë në shënjestër ambasadorin rus.
Kiliç thotë se ka dëgjuar slogane radikale islamike prej agresorit.
Në vendngjarje mbërriti edhe vetë ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu.