Ambasadorja e BE-së paralajmëron Shqipërinë para konferencës në Luksemburg: Kemi ende “detyra shtëpie” për të përm
Në prag të Konferencës së 10-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri, që do të mbahet këtë të martë pasdite në Luksemburg, ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, shprehet se autoritetet shqiptare kanë ende “detyra shtëpie” për të përmbushur përpara se vendi të arrijë anëtarësimin e plotë në familjen evropiane.
“Ne po punojmë ngushtë me autoritetet shqiptare. Unë, së bashku me ekipin tim, jemi plotësisht të angazhuar në këtë proces. Mbeten ende disa kapituj për të mbyllur. Kemi përpara një afat kohor ambicioz, të propozuar nga pala shqiptare. Përmbushja e këtij afati kërkon punë intensive në disa fusha.”
De Sousa përmend si detyrime kryesore vijimin e punës për shtetin ligjor dhe çështjet e mjedisit.
“Përpjekjet duhet të vazhdojnë sa i përket shtetit të së drejtës dhe çështjeve mjedisore; ka shumë fusha ku puna duhet të vijojë. Ata gjithashtu mund të marrin shembull nga vendi im, Portugalia, e cila është pjesë e BE-së prej 40 vitesh.”
Konferenca e ardhshme ndërqeveritare do të shënojë mbylljen e Kapitullit 20 – Politika e Ndërmarrjeve dhe ajo Industriale.
Seria e konferencave ndërqeveritare me shtetet kandidate nis të hënën me Malin e Zi, i cili pritet të mbyllë dy kapituj shtesë: Kapitullin 18 (Statistikat) dhe Kapitullin 19 (Politika Sociale dhe Punësimi).
Deri më tani, Mali i Zi ka hapur të gjithë 33 kapitujt e negociatave, nga të cilët 18 janë mbyllur. Ukraina dhe Moldavia pritet që të mërkurën të hapin përkatësisht edhe dy grupe kapitujsh të tjerë.
Komisioni Evropian pritet të prezantojë më 28 tetor një udhërrëfyes zyrtar me afate kohore për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të tre shteteve të tjera që kryesojnë procesin e zgjerimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.