Amnistia për të burgosurit, shteti kursen 369 mijë euro në muaj
Me miratimin e amnistisë nga qeveria do të lirohen rreth një mijë të burgosur si dhe do të përfitojnë ulje dënimi rreth tre mijë të tjerë.
Me amnistinë, përveç se krijohet pak frymëmarrje për burgjet e mbipopulluara, por edhe i kursehen buxhetit të shtetit shumë para.
Mbipopullimi i burgjeve dhe kushtet e tyre kanë bërë që buxheti për burgjet të rritet në vitin 2016, në 4.3 miliardë lekë nga 3.7 miliardë lekë që ishte në vitin 2015 dhe po me këtë trend rritës do të vazhdojë edhe për 2017-ën.
Duke ju referuar një raporti të hartuar nga prezenca e OSBE dhe drejtoria e burgjeve, një i burgosur i kushton shtetit shqiptar nga 369 euro deri në 1380 euro në muaj sipas kategorive.
Një i paraburgosur ka kosto në shifra ditore në 14.63 euro, një i burgosur që vuan dënimin i kushton shtetit 12.3 euro në ditë dhe një i dënuar, por i sëmurë, i kushton shtetit 46.23 euro në ditë, sipas raportit të hartuar.
Sipas këtyre të dhënave, i bie që shteti shqiptarë të kursejë nga buxheti 369 mijë deri në 1.3 milionë euro mesatarisht në muaj nga lirimi i një mijë të burgosurve.
Kjo duke ju referuar edhe ndarjes në kategori të të burgosurve, në bazë të të cilave janë llogaritur shpenzimet mujore të tyre.