Analistët, Izraeli mund ta ndryshojë taktikën e fushatës ushtarake gjatë javëve në vazhdim
Jake Sullivan, Këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare i ka kërkuar Izraelit që të zvogëlojë operacionet ushtarake me intensitet të lartë dhe t’i zëvendësojë ato me operacione që vënë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit. Ndërkaq, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, ushtria izraelite e ka pranuar se ka vrarë aksidentalisht tre pengje ndërsa luftonin në pjesën veriore të Gazës. Videoja e mëposhtme përmban pamje të rënda që mund të jenë shqetësuese për disa shikues.
Ushtria izraelite tha se kishte vrarë gabimisht tre pengje izraelite të cilët mund të ishin braktisur ose po përpiqeshin të largoheshin nga militantët e Hamasit që i mbanin peng. Të shtënat ndodhën gjatë një operacioni ushtarak të premten.
Më shumë se 130 pengje mbahen ende në Gazë nga grupi militant palestinez që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.
Gjithashtu të premten, kameramani i televizionit ‘Al Jazeera’, Samer Abudaqa u vra gjatë një sulm izraelit në Khan Younis, në pjesën jugore të Gazës. Të dhënat nga zona tregojnë se forcat izraelite i penguan ekipet mjekësore të arrinin menjëherë në vendngjarje.
Ndërsa lufta vazhdon të ketë pasoja të mëdha për civilët palestinezë, Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Izraelit që të ndryshojë operacionin e tij ushtarak.
A Palestinian reacts after an Israeli strike on residential buildings in Rafah, Gaza Strip, on Dec. 15, 2023.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan diskutoi me zyrtarët izraelitë mbi përparimin e luftës.
“Ai foli për një kalim të mundshëm nga ato që ne i cilësojmë si operacione me intensitet të lartë, ato që po shohim të ndodhin tani, në operacione me intensitet më të ulët, në të ardhmen e afërt. Megjithatë nuk dua të vendos afat kohor për këtë ndryshim”, tha zoti Kirby.
Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se beson se kërkesa amerikane për Izraelin, për të uljen e ritmit të luftimeve në Gaza do të ketë ndikim.
“Mendoj se izraelitët, në mes ose në fund të janarit, do të bëjnë atë që po kërkojnë Shtetet e Bashkuara”, thotë hulumtuesi Aaron David Miller me organizatën jo qeveritare ‘Carnegie Endowment for International Peace’.
Me këtë qëndrim u pajtua edhe një ekspert tjetër.
“Izraelitët duhet të kuptojnë, siç e thotë Presidenti Biden, se nuk mund të vazhdojë vdekja e mijëra civilëve palestinezë. Se ajo që dikur ishte një mbështetje parezerva për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Sigurisht, do të duhet të ketë disa ndryshime, por mendoj se e gjitha ka të bëjë me aftësinë për të bërë dy gjëra njëherazi”, thotë Bruce Hoffman, ekspert për terrorizmin dhe sigurinë kombëtare pranë Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.
Protestat kundër fushatës së bombardimeve të Izraelit vazhdojnë në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Të enjten, aktivistë që kërkonin një armëpushim bllokuan trafikun në një autostradë kryesore në Filadelfia.