ANALIZË – Një samit Xi-Trump-Putin me shije Jalte?
PARIS, 12 nëntor /ATSH-AFP/ – Mundësia e një samiti të paprecedentë midis udhëheqësve kinezë, amerikanë dhe rusë po ngjall frikën e një Jalte të re, ku udhëheqësit e tre fuqive do të kërkojnë përsëri të ndajnë botën midis tyre, pa marrë parasysh Ukrainën, Evropën apo Tajvanin.
Megjithatë, përveç një mundësie historike për fotografim, takimi midis presidentëve Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin, nëse vërtet zhvillohet në një samit të APEC-ut javën e ardhshme në Shenzhen të Kinës, nuk ka gjasa të japë shumë rezultate, parashikojnë ekspertët.
Në konferencën historike të shkurtit 1945, amerikani Franklin D. Roosevelt, britaniku Winston Churchill dhe sovjetiku Joseph Stalin, udhëheqës të fuqive të mëdha në luftë me Gjermaninë, u takuan në një pallat pranë Jaltës, një vendpushim bregdetar në Krime, atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Rusia aneksoi gadishullin ukrainas në vitin 2014.
Imazhet bardh e zi nga ajo kohë kapin momentin vendimtar që hodhi themelet për dominimin sovjetik të Evropës Lindore dhe krijoi vijat e frontit të ardhshëm të Luftës së Ftohtë.
Për javë të tëra, është diskutuar mundësia e një samiti Xi-Trump-Putin në Shenzhen.
Kremlini ka njoftuar përgatitjet, Pekini ka konfirmuar se është në kontakt me Uashingtonin dhe Moskën për këtë çështje, dhe Donald Trump ka pohuar se do të mbulojë “shumë gjëra”, duke përfshirë denuklearizimin dhe luftën në Iran.
Rendi i ditës për një takim të tillë mbetet i paqartë.
Por, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nxitoi të shprehte shqetësimin e tij kur tha se “ne me të vërtetë nuk duam që kjo të shndërrohet në Jaltë 2, 3, 4, me një rishpërndarje të sferave të ndikimit”.
Rusia ka kërkuar prej kohësh një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Shtetet e Bashkuara mbi arkitekturën e sigurisë në Evropë dhe një ndalim të zgjerimit të NATO-s.
Vërejtjet e fundit nga Trump që parashikojnë një marrëveshje “shumë të madhe” me Rusinë për Ukrainën që “mund të përfshijë të gjithë Evropën” ka të ngjarë të shtojnë shqetësimet e Ukrainës dhe Evropës.
– Çështja e formatit –
Rusët dhe ukrainasit zhvilluan bisedimet e tyre të para të drejtpërdrejta në më shumë se tetë muaj këtë javë në Abu Dabi.
Sipas kreut të delegacionit rus, historianit nacionalist Vladimir Medinsky, objektivi kryesor i negociatave ishte krijimi i një “sistemi sigurie” në Evropë që do të ishte një “Jaltë dhe Potsdam” i ri, konferenca e vitit 1945 që përgatiti epokën e pasluftës.
Tajvani gjithashtu do ta ndjekë nga afër samitin e Shenzhenit.
Ishulli, i pretenduar nga Kina dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, gjithashtu ka frikë se mund të jetë viktimë e luftës për pushtet.
“Nëse administrata Trump është e hapur për të braktisur një partner (Ukrainën) për lehtësi, ajo mund të braktisë një tjetër”, thotë Wen-Ti Sung, një shkencëtare politike në Universitetin Kombëtar Australian.
”Ajo që është shqetësuese në lidhje me një samit Xi-Trump-Putin është ideja që disa fuqi të mëdha vendosin për sigurinë dhe të ardhmen e vendeve të tjera pa u konsultuar me to”, vëren Tsiporah Fried, një studiuese në Institutin Hudson.
”Vetë formati tregon qartë se kush ka rëndësi dhe interesat e kujt janë të negociueshme”, theksoi ajo.
Përtej simbolikës, agjendat divergjente të partive të ndryshme e bëjnë të pamundur shfaqjen e një rendi të ri botëror në Shenzhen.
”Kinezët, amerikanët dhe rusët kanë kërkesa rrënjësisht të ndryshme”, vëren Wang Wen, dekan i Institutit Chongyang për Studime Financiare në Universitetin Renmin në Pekin.
“Ka shumë të ngjarë që diskutimet të përfundojnë pa ndonjë përparim të madh”, shton ai.
– Irritimi i Xi-së –
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier raportoi se, gjatë vizitës së tij të fundit në Kinë, homologu i tij kinez kishte shprehur “irritim” për idenë e bisedimeve trepalëshe mbi Ukrainën.
“Ai theksoi në mënyrë të qartë se ky është një konflikt evropian, në të cilin evropianët duhet të jenë të pranishëm në tryezën e negociatave”, i tha ai transmetuesit gjerman ARD.
Lidhur me çarmatimin bërthamor, Kina ka kërkuar prej kohësh që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të zvogëlojnë arsenalet e tyre përpara se të bien dakord të diskutojnë të vetat.
“Këto tre fuqi të mëdha nuk kanë një armik të përbashkët, siç pati Gjermania naziste me Rooseveltin, Churchillin dhe Stalinin. Prandaj, duhet të presim negociata rast pas rasti, në vend të një marrëveshjeje të madhe dhe gjithëpërfshirëse”, vërejti shkencëtari politik Wen-Ti Sung.
”Një samit Xi-Trump-Putin ka më shumë të ngjarë të rezultojë në krijimin e linjave të drejtpërdrejta të komunikimit në rast të një krize, ose bashkëpunim ad hoc për çështje të tilla si antiterrorizmi ose shëndeti publik”, argumenton Wang Wen.
”Kina e kundërshtoi qasjen ndaj Jaltës që nga fillimi”, vëren ai.
Ai thotë se kjo mund të zhdukë frikën e një Jalte të re duke përsëritur mantrën e saj të sovranitetit dhe mbështetjes për organizatat shumëpalëshe në Shenzhen.
Ai madje parashikon që Pekini të përdorë një samit të tillë për të “hapur një kanal të ri komunikimi midis Kinës dhe Evropës”./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.