Anëtarët e opozitës: KQZ, në shërbim të mazhorancës
Tre anëtarët e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), informojnë opinionin publik se deklaratat e KQZ të ditëve të fundit nuk përfaqësojnë asnjë vendimarrje të KQZ.
Sipas Klement Zgurit, Hysen Osmanajt dhe Vera Shtjefnit, ato janë qëndrime personale në kundërshtim më misionin e KQZ-së, si organi më i lartë shtetëror, i ngarkuar nga ligji zgjedhor për administrimin e zgjedhjeve, si edhe janë tejkalim flagrant i kompetencave të kryetarit të këtij organi.
“Fatkeqësisht, në deklaratën e datës 29 Prill 2017, jashtë mbledhjes së KQZ dhe në tejkalim të çdo kompetence ligjore, në emër të KQZ, është bërë një interpretim subjektiv i nenit 67 të Kodit Zgjedhor, duke vendosur që “afati i regjistrimit të listave shumemërore të kandidatëve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 18 qershor 2017 […] korrespondon me datën 29 prill 2017”, pavarsisht se në çdo perllogaritje kjo datë duhej të ishte 28 prill 2017, në mesnatë. Rrjedhimisht, çdo rregjistrim për lista të paraqitura nga subjektet tej këtij afati është nul, i paligjshëm dhe i pavlefshëm.
Në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, përmes një deklaratë të dytë (dt 30.4.2017), kryetari i KQZ shpik norma të reja ligjore duke vendosur një afat tjetër ligjor për regjistrimin e subjekteve zgjedhore/listave të kandidatëve, datën 3 maj 2017, kur dihet që ky afat ka mbaruar prej më shumë se 20 ditësh”, lexohet në deklaratë.
“KQZ nuk mund të krijojë apo ndryshojë afatet ligjore zgjedhore që i ka caktuar Kodi Zgjedhor përmes deklaratave, por duhet vetëm t’i zbatojë ato. Shprehim shqetësim të thellë që këto qëndrime të përsëritura po kompromentojnë misionin e KQZ duke i dhënë KQZ, një pozicion partizan, të anshëm, në shërbim të mazhorancës politike aktuale. Nëse vazhdohet me këto qëndrime KQZ rrezikon të dëmtojë rëndë procesin zgjedhor”, shton më tej deklarata.