Ankimi në GJK, Salianji akuzon trupën gjykuese: Zvarritën çështjen dy vjet, do të ndjek rrugën në Strasburg
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar publikisht përpara shpalljes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me ankimimin e dënimit të tij, duke e cilësuar procesin si një përpjekje të ndikuar politikisht për ta mbajtur larg garave elektorale dhe zgjedhjeve vendore.
Përmes një deklarate zyrtare, Salianji pretendoi se vendimi i trupës gjykuese është paracaktuar dhe se shqyrtimi i dosjes së tij u zvarrit artificialisht për thuajse dy vite me qëllim që të vonohej ankimimi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ai theksoi se vendimi negativ i pritshëm nga Gjykata Kushtetuese nuk e mbyll betejën e tij ligjore, por përkundrazi i hap rrugën ndjekjes së çështjes në shkallët e drejtësisë ndërkombëtare.
“Gjykata Kushtetuese nuk ngjitet dot në nivelin kushtetues. Nuk bëj dot teatër si shumë të tjerë, vendimet merren shumë përpara se të mblidhen formalisht. Gjyqtarë të kësaj gjykate e kanë mbajtur peng prej thuajse dy vitesh këtë çështje për të zvarritur ankimin në Strasburg. Unë nuk jam dënuar si kriminel, por si kundërshtar i regjimit, si denoncues i grupeve më të fuqishme kriminale dhe për të më shmangur nga betejat elektorale. Gjyqi i caktuar sot është po me këtë qëllim, të më mbajë larg zgjedhjeve lokale,” deklaroi Salianji.
Ish-deputeti u shpreh se nuk ka kërkuar trajtim të veçantë apo privilegje, por vetëm një proces të drejtë ligjor, ndërsa artikuloi akuza të fortë ndaj anëtarëve të trupës gjykuese për cenim të pavarësisë nën presionin e pushtetit politik.
“Sot nuk mbyllet beteja, sot hapet rruga për betejën në Strasburg. Atje do të çojmë të vërtetën e kësaj çështjeje dhe të gjithë atë që ka ndodhur. Nuk kam frikë dhe asnjë emocion personal nga vendimi. Nuk më tremb një tjetër goditje nga një sistem që prej kohësh ka treguar se sa larg është gati të shkojë për të goditur kundërshtarët. Do të vazhdoj të luftoj për një Shqipëri ku bandat nuk bëjnë ligjin dhe pushteti nuk është mbi ligjin,” përfundoi reagimin e tij Salianji.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.