Anne Hathaway bëhet nënë për herë të tretë

Anne Hathaway ka sjellë në jetë fëmijën e saj të tretë me bashkëshortin Adam Shulman. Lajmi është bërë publik pasi aktorja e “The Devil Wears Prada” është fotografuar në New York, duke shëtitur me të porsalindurin.
Ky është fëmija i tretë për çiftin, të cilët janë tashmë prindër të dy djemve, Jonathan, i lindur në vitin 2016, dhe Jack, i cili erdhi në jetë në vitin 2019.
Deri më tani, Anne Hathaway dhe bashkëshorti i saj nuk kanë zbuluar emrin apo gjininë e foshnjës. Gjithashtu, nuk është bërë publike data e saktë e lindjes.
Aktorja kishte konfirmuar shtatzëninë e saj të tretë në qershor, përmes një postimi në Instagram, ku publikoi një video të shkurtër duke zbuluar barkun e rrumbullakosur. “Baby, I’m yours” ishte mesazhi që shoqëronte videon, duke iu referuar këngës me të njëjtin titull të këngëtares Barbara Lewis.
Gjatë muajve të shtatzënisë, Hathaway nuk e fshehu pritjen e ëmbël. Ajo u shfaq me barkun e rrumbullakosur edhe gjatë pushimeve në Saint-Tropez, si dhe në daljet publike gjatë promovimit të projekteve të saj kinematografike.
Në një intervistë në emisionin “Late Night with Seth Meyers”, në muajin korrik, aktorja foli me entuziazëm për shtatzëninë, duke e cilësuar ardhjen e fëmijës së tretë si një surprizë të bukur.
Ajo tregoi se, megjithëse bashkë me bashkëshortin kishin vendosur të provonin për një tjetër fëmijë, mbetën të habitur kur mësuan se pritja e tyre ishte realizuar. Me humor, Hathaway e përshkroi shtatzëninë si një “buzzer beater”.
Në një tjetër intervistë për “Access Hollywood”, aktorja pranoi se pritshmëritë e çiftit për të pasur një fëmijë tjetër kishin qenë të ulëta. Ajo shpjegoi se, me kalimin e moshës, shanset i konsideronin të kufizuara, por kishin vendosur të linin gjithçka në dorë të jetës.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur, sepse nga përvoja personale e dimë që jo të gjithë e kanë këtë mundësi dhe jo gjithmonë në momentin kur e dëshirojnë”, ishte mesazhi i saj, duke folur për rrugëtimin drejt zgjerimit të familjes.
Hathaway ka qenë e hapur edhe për vështirësitë që ka përjetuar në rrugëtimin drejt mëmësisë. Në të kaluarën, ajo ka folur për abortin spontan që përjetoi në vitin 2015, si dhe për sfidat emocionale që shoqërojnë problemet me fertilitetin.
Në vitin 2019, përmes një postimi në Instagram, aktorja iu drejtua grave që po kalonin vështirësi për të mbetur shtatzënë, duke theksuar se rrugëtimi drejt mëmësisë nuk kishte qenë i lehtë dhe i drejtpërdrejtë as për të.
Ajo e ka përshkruar familjen e saj në rritje si një bekim që nuk e merr kurrë si të mirëqenë.
Anne Hathaway dhe Adam Shulman u martuan në shtator të vitit 2012 dhe prej vitesh kanë ndërtuar një jetë familjare larg ekspozimit të tepruar mediatik. Aktorja ka qenë gjithmonë e kujdesshme për të mbrojtur privatësinë e fëmijëve të saj, duke zgjedhur të ndajë me publikun vetëm momente të veçanta nga jeta familjare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.