Apeli vërteton dënimin me 12 vjet burg të Edon Bujupit, i akuzuar për vrasjen e vjehrrit
Gjykata e Apeli e ka vërtetuar dënimin me 12 vjet burgim të Edon Bujupit, i akuzuar për vrasjen e vjehrrit të tij më 2023.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda dhe e mbrojtësit të akuzuarit Edon Bujupi av. Skender Musa, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, {…} i datës 24.10.2025, Vërtetohet.” – thuhet në vendimin e Apelit.
Edon Bujupi nga Prokuroria e Prishtinës po akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje që e kishte pasur me vëllanë dhe babanë e bashkëshortes së tij pas një përleshjeje, e kishte goditur vjehrrin e tij A.K. me thikë në regjionin e majtë të kraharorit. Si pasojë e plagëve të shkaktuara A.K. kishte vdekur në SHSKUK.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 29.09.2025 e kishte dënuar me 12 vjet burgim Edon Bujupin për këtë rast.
Në shpallje të aktgjykimit, Gjykata kishte bërë rikualifikimin e veprës penale nga vepra penale – vrasja në veprën penale – vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
Lidhur me aktgjykimin e Themelores, ankesat e tyre pranë Gjykatës së Apelit i kishin paraqitur palët në procedurë.
Gjykata e Apelit pas shqyrtimimit të pretendimeve ankimore të Prokurorisë dhe mbrojtjes ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat do të kushtëzonin anulimin e aktgjykimit.
Kolegji i Gjykatës së Apelit ka konstatuar se dispozitivi i Themelores është i qartë, i saktë dhe i hartuar në mënyrë konkrete, duke përshkruar në mënyrë të plotë e të argumentuar faktet që kanë qenë objekt i shqyrtimit gjyqësor.
Sipas Apelit, këto fakte përmbajnë elementet përbërëse të veprës penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor dhe është gjykuar.
Gjykata e Apelit ka thënë se arsyetimi i aktgjykimit e ka një rrjedhë logjike, është i qartë dhe i mbështetur në provat e shqyrtuara gjatë gjykimit, të cilat lidhen ngushtë me faktet dhe gjetjet e konstatuara në dispozitivin e tij.
“Gykata e shkallës së parë ka pasqyruar në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i konsideron si të vërtetuara, nuk ka lënë asnjë mëdyshje apo ndonjë kundërthënie në konstatimin e fakteve të vërtetuara, veçanërisht me rastin e gjetjes së elementin subjektivi të veprës penale apo dashjen e të akuzuarit në rastin konkret, vërtetimin e ekzistimit të veprës penale, si dhe përgjegjësin penale të të akuzuarit.” – thuhet në vendim.
Kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se Gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike kur të akuzuarin e ka shpallur fajtor për veprën penale – vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
“Rrjedhimisht, Kolegji i Gjykatës së Apelit, duke shqyrtuar aktgjykimin e ankimuar dhe shkresat e lëndës, konstaton se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë e ka vërtetuar gjendjen faktike si në dispozitivi të aktgjykimit. Kjo për arsye se, pas administrimit të provave personale dhe materiale gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke i vlerësuar ato në mënyrë të veçantë dhe në ndërlidhje reciproke me njëra-tjetrën, ka nxjerrë përfundim të drejtë lidhur me faktet vendimtare të kësaj çështjeje penale” – thuhet në vendim të Gjykatës së Apelit.
Kolegji gjykues i Apelit ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Edon Bujupi nga ana e Gjykatës së shkallës se parë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale të kryer dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë nga kolegii gjykues i përbërë nga Xhevdet Abazi (kryetar i kolegjit), Kadrije Goga-Lubishtani dhe Mentor Hajraj (anëtarë).
Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit mban datën 17.03.2026.
Vendimi në shkallën e parë ishte marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Fatime Dërmaku (kryetare e trupit gjykues), dhe dy anëtarët Ertan Sejfulla edhe Alltëne Murseli.
Në Gjykatë lidhur me këtë rast në cilësi të dëshmitares ishte paraqitur Aysel Kosova, e cila është vajza e të ndjerit A.K. dhe e cila në kohën kur kishte ndodhur e gjithë ngjarja kishte qenë në bashkësi jashtëmartesore me të akuzuarin Bujupi.
Prokuroria e Prishtinës më 21.10.2024 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Edon Bujupi.
KALLXO ka arritur të sigurojë dosjen e Prokurorisë ndaj të akuzuarit Edon Bujupi.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Edon Bujupi më 29.11.2023 rreth orës 21:15, në banesën e tij, kishte pasur një mosmarrëveshje me babanë dhe vëllanë e bashkëshortes së tij.
Në aktakuzë thuhet se kishin filluar një përleshje mes vete dhe gjatë përleshjes fizike mes tyre, me dashje që ta privojë nga jeta, i akuzuari Bujupi e kishte goditur vjehrrin e tij me armë të ftohtë – thikë.
I pandehuri, sipas aktakuzës, e kishte goditur në regjionin e majtë të kraharorit tani të ndjerin A.K., i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara kishte ndërruar jetë në SHSKUK.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.