Pse po ikin të rinjtë dhe pse gratë po e braktisin tregun e punës? Brikena Berisha në “Rrugëtimi”
Tregu i punës, pozita e grave, rritja e kostos së jetesës, emigrimi dhe nevoja për reforma në sistemin e mbrojtjes sociale ishin disa prej temave kryesore të episodit të tetë të podcastit “Rrugëtimi” me redaktoren Jehona Hulaj, ku e ftuar ishte Brikena Berisha projekt menaxhere në Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe anëtare e Forumit Ekonomik të Gruas.
Berisha, foli për problemet me të cilat përballen punëtorët në Kosovë dhe veçanërisht gratë gjatë hyrjes dhe qëndrimit në tregun e punës.
Sipas saj, Kosova ka një situatë interesante: vajzat kanë pjesëmarrje të lartë në arsimin e lartë, por ky raport ndryshon kur ato duhet të hyjnë në tregun e punës.
Berisha tha se në Kosovë janë rreth 184 mijë gra të punësuara kundrejt rreth 230 mijë burrave, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e punës që kryhet nga gratë në kujdes dhe mirëmbajtje mbetet e paformalizuar.
Një prej problemeve që ajo veçoi është largimi i grave nga tregu i punës pas krijimit të familjes. Duke iu referuar statistikave për lehonat, Berisha solli një shembull ilustrues.
“Nëse i shihni dhjetë gra me karroca, sot tu ecë nëpër Kosovë, veç dy prej tyre janë që janë në leje të lehonisë, dhe tetë janë të papuna”, tha ajo.
Brikena Berisha gjatë podcastit “Rrugëtimi”Foto: Ridvan Slivova
Sipas Berishës, kujdesi ndaj fëmijëve nuk duhet të trajtohet vetëm si përgjegjësi e familjes.
“Kujdesi ndaj fëmijës definitivisht nuk është përgjegjësi vetëm e familjes, por duhet të jetë edhe e shtetit”, tha ajo.
Ajo e lidhi këtë problem me numrin dhe koston e kopshteve, mënyrën se si rregullohet leja e lehonisë dhe barrën financiare që aktualisht bie mbi punëdhënësit në sektorin privat.
Sipas saj, kjo mund të ndikojë edhe në vendimet e punëdhënësve gjatë rekrutimit.
“Në gjasat reale ka me vendos mos me punësu vajza të reja, për shkak të mundësisë së formimit të familjes, e që është një penalizim shumë i madh”, deklaroi Berisha.
– YouTube www.youtube.com
Në podcast u diskutua gjithashtu për koston e jetesës.
Berisha tha se konsumi nuk duhet të barazohet automatikisht me mirëqenien, duke iu referuar të dhënave sipas të cilave një pjesë e madhe e buxhetit të familjeve kosovare shpenzohet për ushqim.
“Një familje në Kosovë pesëdhjetë e pesë për qind buxhetit, e bile deri gjashtëdhjetë e pesë për qind buxhetit te familjet më të varfra, ju shkon në ushqim”, tha ajo.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte emigrimi. Sipas Berishës, të rinjtë nuk po e lënë Kosovën vetëm për shkak të pagave.
“Nuk është paga arsyeja e largimit. Janë qëto probleme sistemike: shëndetësia, shkollimi, mbrojtja sociale dhe për shkak të këtyre arsyeve zgjedhin për me e lanë Kosovën”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë që një pjesë e qytetarëve largohen, Berisha tha se në Kosovë po vërehet ardhja e punëtorëve nga jashtë, veçanërisht në sektorë si ndërtimtaria, shpërndarja e ushqimit dhe kujdesi.
Ajo argumentoi se Kosovës i duhet një analizë më e qartë e profesioneve deficitare dhe suficitare, në mënyrë që politikat e punësimit dhe lejimi i fuqisë punëtore nga jashtë të lidhen me nevojat reale të tregut.
Një nga propozimet kryesore të Berishës është krijimi i një Fondi të Sigurimeve Shoqërore.
Sipas saj, përmes një mekanizmi të tillë mund të trajtoheshin çështje si leja e lehonisë, papunësia, lëndimet në vendin e punës dhe pushimet e zgjatura shëndetësore, duke zvogëluar barrën që aktualisht bie mbi punëtorin dhe punëdhënësin.
Berisha kërkoi gjithashtu ndërhyrje në Ligjin e Punës, duke argumentuar se legjislacioni aktual nuk është përshtatur me ndryshimet që kanë ndodhur në tregun e punës. Në fund, ajo theksoi se zgjidhjet nuk duhet të jenë vetëm masa të përkohshme, por ndërhyrje sistemike që përfshijnë arsimin, tregun e punës, sektorin privat dhe mbrojtjen sociale.
“Nuk mund të flasim për mirëqenie kur të detyrohesh me vazhdu se nuk ke zgjidhje tjetër”, përfundoi Berisha në një prej pjesëve të diskutimit. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.