Apple pritet të prezantojë produkte të reja për shtëpinë inteligjente me Siri-n e përmirësuar me inteligjencë artificiale
Pajisja e re, e ngjashme me një iPad për mur ose tavolinë, synon kontrollin e zileve, termostateve dhe bravave inteligjente, në një treg ku Apple garon me Amazon-in dhe Google-in
Sipas raportimit të Reuters, Apple pritet të prezantojë të martën një seri të re produktesh për shtëpinë inteligjente, në qendër të të cilave do të jetë asistenti zanor Siri, i përmirësuar me inteligjencë artificiale.
Pajisja kryesore pritet të jetë një ekran i ngjashëm me iPad-in, që mund të varet në mur ose të qëndrojë mbi tavolinë, përmes të cilit përdoruesit kontrollojnë zilet e derës, termostatet dhe bravat inteligjente. Sipas analistëve, prezantimi mund të përfshijë edhe përditësime të altoparlantit HomePod dhe të pajisjeve Apple TV.
Lëvizja vjen ndërsa, siç njofton Reuters, Apple kërkon terren në një treg ku ka eksperimentuar prej një dekade pa sukses të madh, përballë rivalëve tradicionalë si Amazon me altoparlantët Echo dhe zilet Ring, si dhe përballë kompanive të reja të inteligjencës artificiale që kanë ambicie edhe për pajisje fizike. Investitorët, ndërkohë, po i kushtojnë më shumë vëmendje shitjeve të pajisjeve, teksa të ardhurat nga shërbimet janë nën presion rregullator.
Apple e lançoi aplikacionin Home për kontrollin e pajisjeve inteligjente në vitin 2016, ndërsa altoparlantët HomePod dolën në vitin 2018, në garë me Google Home të Alphabet-it dhe linjën Echo të Amazon-it. Analistët kanë veçuar dy pengesa historike: vështirësinë e lidhjes me pajisje të prodhuesve të tjerë dhe aftësinë e kufizuar të Siri-t për përgjigje të dobishme. Kompania i përmirësoi aftësitë e Siri-t këtë verë me ndihmën e Google-it, por analistët thonë se pyetjet vendimtare mbeten thjeshtësia e instalimit dhe gatishmëria e Apple-it për të punuar përtej ekosistemit të saj të mbyllur.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.