Arkivat ofrojnë qasje të lirë në dokumentet arkivore për profesorët dhe studentët e Prishtinës
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Departamenti i Historisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës (UP) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për nxitjen e kërkimit shkencor në fushën e studimeve albanologjike, nëpërmjet qasjes së lirë në fondet arkivore dhe botimeve të përbashkëta.
Marrëveshja parashikon qasje të lirë në dokumentet arkivore për profesorët dhe studentët e Departamentit të Historisë, përfshirë edhe mbështetjen e tyre me dokumente në format digjital pa pagesë, deri në 20 mijë imazhe në vit.
Marrëveshja u nënshkrua, në Prishtinë, nga krerët e dy institucioneve, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj dhe dekani i Fakultetit të Filozofisë, prof. dr. Bekim Baliqi, të cilët u angazhuan për publikimin e botimeve cilësore dhe pasurimit reciprok të bibliotekave.
Në kuadër të bashkëpunimit, studentëve të niveleve BA, MA dhe PhD do t’u mundësohet kryerja e praktikës profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në Tiranë, ndërsa palët do të bashkëpunojnë edhe për organizimin e seminareve, trajnimeve, kurseve dhe projekteve të përbashkëta.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.