Armand Duka i thotë të gjitha pas promovimit: suksesi i Kosovës më gëzon, por nuk i dua në të njëjtin grup me Shqipërinë
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, thotë se Shqipëria dhe Kosova duhet të kualifikohen në Euro 2028 dhe se çdo sukses i Dardanëve i gëzon të gjithë shqiptarët, por preferon të mos jenë në të njëjtin grup kualifikues.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ka folur hapur për suksesin e fundit të Shqipërisë, objektivat për të ardhmen dhe raportin e veçantë me Kosovën, duke theksuar se çdo arritje e Dardanëve është arsye gëzimi për të gjithë shqiptarët.
Shqipëria u rikthye zyrtarisht në Ligën B, pasi e fitoi Ligën C me 15 pikë, në një grup me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon. Me këtë paraqitje, kuqezinjtë kanë siguruar edhe një vend në play-off-in e Euro 2028, një tjetër hap i rëndësishëm në rrugëtimin e kombëtares.
Duka u shpreh i kënaqur me vendin e parë dhe me objektivin e arritur, duke përgëzuar futbollistët dhe stafin për punën e bërë. Megjithatë, ai shtoi se do të kishte dashur më shumë hapësirë për futbollistët e rinj, për t’i përgatitur ata më mirë për të ardhmen e kombëtares.
Për play-off-in, kreu i FSHF-së u shpreh i qartë: Shqipëria e ka vendin në Ligën B dhe duhet të synojë Ligën A, si dhe kualifikimin në Euro 2028 përmes eliminatoreve, pa e ndërtuar objektivin rreth play-off-it. Skuadra shqiptare ndodhet në vazon e tretë për shortin e ardhshëm.
Një nga pjesët më të ndjera të intervistës ishte ajo për shortin dhe mundësinë e një përballjeje me Kosovën. “Ne jemi një komb dhe dëshira ime është që të dyja kombëtaret të kenë sukses. Do të preferoja të mos ishim në të njëjtin grup, që të mos ia vështirësonim njëra-tjetrës rrugën drejt Evropianit. Do të ishte një gëzim i madh për të gjithë shqiptarët t’i shihnin të dyja në fazën finale”, tha Duka. Ai shtoi se, nëse shorti i vendos përballë, secila skuadër do të bëjë më të mirën me respekt të plotë ndaj tjetrës, ndërsa se cila është më e mirë “e tregon fusha”. Sipas tij, “më gëzon çdo sukses i Kosovës”.
Duka u pyet edhe për kalimet e futbollistëve mes dy kombëtareve, përfshirë rastin e Enis Rexhepit, dhe tha se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar. Ai theksoi se mbështetja për futbollin e Kosovës është dëshmuar me punë konkrete, përfshirë lobimin për pranimin e Kosovës në futbollin ndërkombëtar. Sipas Dukës, futbollistët shqiptarë, kudo që jetojnë, duhet t’i kenë dyert e hapura, ndërsa mesazhi i tij për Yll Gashin ka qenë: “Nëse jo te Shqipëria, shko te Kosova” — dhe anasjelltas qëndrimi mbetet i njëjtë. Si president i FSHF-së, ai dëshiron që më të mirët të zgjedhin Shqipërinë, por vendimi i çdo futbollisti duhet respektuar, ndërsa mes dy federatave duhet të ketë komunikim, korrektësi dhe respekt.
Në fund, Duka konfirmoi se raportet mes dy federatave janë fantastike, duke e cilësuar bashkëpunimin si një shembull të mirë për të ardhmen e futbollit shqiptar në të dyja anët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.