Politika

Arrihet marrëvëshja për “drejtësinë”, ekspertë të huaj do zbatojnë “Venecian”

Pas negociatave të realizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontradiktat lidhur me ecurinë e procesit të reformës në drejtësi tashmë kanë marrë nje zgjidhje.

E ndërsa Partia Demokratike thoshte që negociatat do ishin politike dhe Partia Socialiste se do të ishin ekspertët, duket se ndërkombëtarët gjetën një kompromis duke ofruar ndërmjetësimin e ekspertëve të huaj për aplikimin e amendamenteve të çështjeve teknike të Komisionit të Venecias në këtë reformë. Ndërsa çështjet politike, për të cilat Venecia është shprehur se duhet t’i zgjidhë ligjvënësi shqiptar, do të jenë çështje që do të trajtohen nga palët politike.

Marrëveshja u arrit të premten në drekë pas bisedimeve që kanë zgjatur tre orë. Palët në negociata kanë qenë ambasadori Donald Lu, si dhe drejtuesit e komisionit për reformën, socialisti Fatmir Xhafaj dhe demokrati Eduard Halimi.

Burime zyrtare konfirmuan për Top Channel se palët kanë rënë dakord që dialogu politik, i kërkuar prej opozitës që të zhvillohet në nivelin e komisionit për reformën.

Ky dialog nis të mërkurën në orën 10, në kryesinë e Kuvendit dhe do të zgjasë dy ditë. Gjatë kësaj kohe, palët do të përpiqen të arrijnë kompromis për çështjet që ka lënë të hapura Opinioni Final i Komisionit të Venecias.

Pas kësaj, palët kanë rënë dakord që çështjet e mbetura pezull të marrin zgjidhje nga propozimet e ekspertëve. Ata do të jenë përfaqësues europianë dhe amerikanë, përkatesisht nga zyrat e drejtësisë të misioneve EURALIUS dhe OPDAT.

Ky proces pritet të zgjasë pak ditë dhe çështjet të ridërgohen për shqyrtim nen për nen, si një paketë e tërë në komisionin e reformës në drejtësi. Nëse gjithçka shkon mirë, paketa e ndryshimeve kushtetuese mund të miratohet e plotë brenda muajit mars.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button