Arsenali kampion pas 22 vitesh, një kryevepër e ndërtuar rreth trajnerit Mikel Arteta
Sido që të dalë finalja e Champions-it kundër PSG-së, londinezët kanë hapur një cikël falë trajnerit spanjoll, për të cilin insistuan në 2019-ën. Mbrojtje e hekurt dhe talente, kështu “Gunners” kanë baza solide për të ardhmen.
Mikel Arteta po merr fjalën në “Emirates Stadium” në festë dhe ndalet një moment, sheh përreth. Populli i Arsenalit është një lumë plot emocione, me koret që përsëriten si një litany fetare, nga “North London Forever” që të ngjeth mishin tek “We’re top of the league”, kënduar për 556 ditë në 4 vitet e fundit.
Në atë moment, menjëherë pas ndeshjes me Burnley, që krijoi kushtet për fitimin e Premier League, Arteta kupton atë që ka bërë: i ka kthyer popullit të Arsenalit besimin. Titulli i fituar nga divani, duke parë Manchester City që nuk fitonte ndaj Bournemouth, është vetëm shtysa e fundit. Tani ka fituar, i ka dhënë fund agjerimit që zgjaste që nga viti 2004, Arsenali është gati të hapë një cikël.
Nuk ka rëndësi si do të përfundojë finalja e Champions-it me PSG-në: “Gunners” janë më në fund skuadra më e fortë e Anglisë, janë ulur në fron tashmë. Dhe kanë gjithçka që duhet, nga struktura te kampionët, në mënyrë që mbretëria e tyre të zgjasë.
Ishte e komplikuar kjo arritje dhe Arsenali, për t’ia dalë, zgjodhi një strategji ndryshe në futbollin e sotëmm. Besoi te një trajner, në një projekt dhe e çoi përpara derisa solli rezultat. E rregulloi gjatë garës, por gjithmonë duke ecur me idenë se Arteta është qendra e gravitetit, rreth të cilit vendosen pjesët e tjera.
Kanë besuar aq shumë, sa që përveç trajnerit, e transformuan edhe në menaxher. Jo me fuqi absolute si Wenger, por pjesë të procesit të vendimeve. Arsenali besoi në dhjetor të 2019-ës, kur kuptoi se koha e Unai Emery kishte përfunduar. E duartrokitën kur në fund të sezonit traumatik të Covid-it fitoi FA Cup dhe i dhanë kohën të rritet, ashtu si lojtarëve të rinj që ai zgjodhi.
Tek Arsenali kanë meritën se ditën të durojnë, të presin që trajneri i zgjedhur pa pasur asnjë eksperiencë si numri 1, të përçonte në fushë idetë e mësuara nga maestrot kur ishte lojtar dhe nga Pep Guardiola në vitet e Manchester City-t.
Era Arteta në “Emirates” nuk ka qenë gjithmonë një sukses, por ka qenë një progres konstant: dy herë vendi i 8-të, një herë vendi i 5-të me rikthimin në Champions që iku në momentin e fundit dhe tre vende të 2-ta radhazi. Eksperienca që duhet për të fituar.
“Vazhdimësia është thelbësore, identiteti mes atyre që shkojnë në fushë dhe atyre që ulën në tavolinë”, – ka thënë së fundi Guardiola, duke shpjeguar pse në 10 vjet me City-n ka fituar 20 trofe. Arsenali ka marrë një faqe të të njëjtit manual: besoi tek Arteta dhe me të, përreth tij, evoluoi derisa u rikthye të fitojë.
Ky titull, i rikthyer pas 22 vitesh, nuk është një pikë mbërritjeje, por një pikë nisjeje. Arsenali tani është skuadra më e fortë e Anglisë dhe një nga më të fortat e Europës. Nuk është perfekte dhe në merkato do të kërkojë njerëzit e duhur për t’u rritur.
Arsenalit të viteve të fundit i mungonte vetëm një gjë për të qenë vërtet elitar: bindja për t’ia dalë, për të fituar. Titulli kampion ishte trofeu që duhej, që tifozët ëndërronin, që klubi kishte vënë në shënjestër, sepse mungesa prej dy dekadash ishte kthyer në një barrë.
“Gunners” këtë vit fituan, sepse ishin skuadra më e thellë se të tjerat, sepse përballuan mungesën e lojtarëve kyç, si Martin Odegaard dhe Bukayo Saka, sespe kishin lojtarë me peshë në çdo repart. Askush në Premier nuk ka mbrojtje të fortë si ajo me Raya në portë dhe Saliba-Gabriel në qendër. Askush nuk ka një mesfushor si Declan Rice.
Arsenal synon të ecë përpara me projektin Arteta. Të hapë një cikël, duke e bërë në mënyrën që kjo skuadër, këta njerëz, të shndërrohen epikë, si “të pathyeshmit”. Arsenal nuk ka pse të ndalet.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.