FOKUS – Bursa e Koresë së Jugut pëson rënie rekord, KOSPI humbet 9%
SEUL, 6 nëntor /ATSH-DPA/- Aksionet në bursën e Koresë së Jugut pësuan rënie të fortë, në kushtet e shitjeve masive të aksioneve të kompanive të teknologjisë në tregjet botërore.
Indeksi kryesor i bursës së Seulit, KOSPI, ra me gati 9% në orët e para të mëngjesit, duke zbritur nën nivelin e 5,000 pikëve për herë të parë që nga shkurti.
Më pas, indeksi arriti të ngushtojë disi humbjet, por vijoi të ishte në rënie me 6%, në nivelin e 5,060 pikëve.
Megjithatë, që nga fillimi i këtij viti, ai ka shënuar ende një rritje prej rreth 20%.
Ndërkohë, krahasuar me rekordin prej afro 9,400 pikësh të arritur në qershor, indeksi ka humbur pothuajse gjysmën e vlerës.
Edhe aksionet e prodhuesve të çipave të memories, “SK Hynix” dhe “Samsung Electronics”, pësuan rënie të fortë, përkatësisht me 11% dhe 8%.
Humbjet e mëdha detyruan bursën e Seulit të ndërpriste tregtimin për 20 minuta.
Kjo masë, e njohur si mekanizmi i ndërprerjes automatike të tregtimit, synon të parandalojë që shitjet e nxitura nga paniku të shkaktojnë destabilizim të mëtejshëm të tregut.
Ndërkohë, qeveria thirri një mbledhje urgjente me autoritetet rregullatore financiare dhe bankën qendrore.
Pas takimit, ministri i Financave, Lee Hyoung Il, deklaroi se bazat e ekonomisë së vendit mbeten të qëndrueshme.
Ai shtoi se autoritetet janë të gatshme të marrin masa të tjera nëse luhatjet në tregje bëhen edhe më të forta.
Investitorët duket se po reagojnë ndaj humbjeve në bursën e “Wall Street”-it, ku shqetësimet për të ardhmen e investimeve në inteligjencën artificiale kanë ndikuar negativisht në çmimet e aksioneve.
Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, ka shtuar frikën se zgjerimi i qendrave të të dhënave mund të ngadalësohet.
Planet për ndërtimin e objekteve të reja të këtij lloji, po përballen me kundërshtime gjithnjë e më të mëdha në SHBA, për shkak të kostove të larta të financimit dhe ndikimit të mundshëm në mjedis.
Agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut, “Yonhap”, përmendi gjithashtu rrezikun e rritjes së çmimeve të naftës, si një tjetër faktor që ndikoi në rënien e bursës.
Kjo, pasi Irani deklaroi se disa anije të tjera cisternë me nafte, ishin dëmtuar në Ngushticën e Hormuzit.
Si një vend i industrializuar me burime të kufizuara energjetike, Koreja e Jugut varet shumë nga importet e naftës nga Lindja e Mesme.
Bursa e vendit, është gjithashtu veçanërisht e ndjeshme ndaj luhatjeve në sektorin e inteligjencës artificiale, pasi kompanitë e prodhimit të gjysmëpërçuesve, zënë një peshë të madhe në indeksin kryesor të saj.
Edhe në pjesën tjetër të Azisë, bursat shënuan rënie. Në Japoni, indeksi kryesor “Nikkei 225” ra me rreth 6,5% në orët e para të tregtimit.
Indeksi “Hang Seng” i Hong Kongut ishte në rënie me rreth 1,3%, pak pas hapjes së bursës, ndërsa indeksi kinez “CSI 300”, që përfshin 300 kompanitë më të mëdha të listuara në bursat e Kinës kontinentale, humbi rreth 1,7%. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.