Arta Arifi: Një dramë ndërgjegjësuese për femrat
“Gruaja në dritare” këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar. Pjesa e shkruar nga Arta Arifi do të ngjitet në skenë nën regjinë e Rovena Lules
Ajo është një grua jo e lumtur, e cila e ka fshehur për 25 vjet rresht trishtimin e saj, përballë burrit me të cilin ndante jetën. Por një ditë ata i pranojnë farsën në të cilën kishin jetuar, njëri-tjetrit. “Gruaja në dritare” quhet vepra, e cila do të ngjitet premierë sot në skenën e Teatrit Kombëtar, për të vazhduar sërish dhe të dielën. Një vepër që rikthen pas kaq kohësh dramën shqipe. E shkruar prej dramaturges së re nga Kosova, Arta Arifi, pjesa do të ngjitet në skenë nga regjisorja Rovena Lule, me një kast të zgjedhur aktorësh, si: Karafil Shena, Yllka Mujo, Olta Daku, Dritan Boriçi, Neritan Liçaj dhe Gert Ferra. Prej javësh regjisorja Lule ka realizuar provat në skenën e Teatrit Kombëtar për të ardhur dje në provën gjenerale, para premierës së sotme. Historia e Dianës (Yllka Mujo) dhe Gjinit (Karafil Shena), merr një kontekst më të gjerë, ndërsa e sheh në skenën e një teatri. Një histori që vjen nga Kosova, por që duket sikur është shkruar për realitetin me të cilin përballemi çdo ditë. Ajo çfarë ndodh sot me familjen dhe shoqërinë është një shqetësim që e përfshin publikun dhe dramaturgia Arifi e ka trajtuar me kujdes. Përtej historisë plot të papritura, filozofia e kësaj vepre është tepër aktuale. Dramaturgia Arifi kërkon të ndërgjegjësojë gruan, për rolin e saj të rëndësishëm në edukimin dhe emancipimin e shoqërisë. Krejt ndryshe nga mënyra sesi femra është parë në teatër, Arifi është dhe kritike ndaj qasjes që gruaja ka shpesh ndaj vetes, duke u bërë urë për situata që sjellin tensione në shoqëri. Në vepër ajo vendos pranë njëri-tjetrit një grua ëndërrimtare dhe një burrë koprrac dhe të papunë, që “me dashje” shkakton vdekjen e paralajmëruar, një tjetër antagoniste e fuqishme që me ngulm ruan tokat e vëllait të zhdukur, një koleksionist kujtimesh, një nxitës dinak dhe një avokat gjerman, të gjithë vijnë së bashku në rrethana të jashtëzakonshme, të cilët përmes kujtimeve, intrigave, gënjeshtrave, shkatërrojnë përfundimisht raportin perfekt të shtirjes që mban të fshehur sekretet e fëmijërisë dhe jetës së tyre. Drama ngre pyetje në po shkatërrohet një familje për shkak të natyrës luftarake të një gruaje të vetmuar që mbron tokat e vëllait të zhdukur apo me dashjen e një vëllai tjetër koprrac, që për të fshehur të vërtetën bën çdo gjë, qoftë ai edhe lejimi i një krimi brenda familjes?
Vepra është e mbushur me histori. Aktorja Olta Daku interpreton rolin e Marës, e cila niset në fshat për të kuptuar të vërtetën rreth ardhjes së një gjermani të pasur dhe blerës tokash. Pas saj shkon dhe Agroni, që interpretohet nga Gert Ferra, vardisës i saj, të cilin Mara mundohet ta largojë. Hans Berger, që interpretohet nga Dritan Boriçi, kërkon me ngulm të blejë pronat e familjes Bardhi dhe kështu detyron avokatin e tij Johan Shfarc (Neritan Liçaj) të bëjë një marrëveshje me këtë familje. Por cila është historia që fshihet pas Hans Berger dhe pse ai kërkon me ngulm të blejë tokat e kësaj familjeje. Për regjisoren Lula drama është e mbushur me të papritura, ashtu siç është dhe realiteti jashtë skenës. Publiku nga momenti në moment njihet me një rrjedhë tjetër të historisë që sheh, është e trishtueshme por që është ndërtuar mbi të vërtetat që na rrethojnë. Vepra “Gruaja në dritare” ishte pjesë e dramave që u lexuan në “Netët e leximit të dramës shqipe”. Ajo u përzgjodh për mënyrën e mprehtë sesi e shndërron realitetin në teatër dhe thellësinë që u jep situatave. Personazhet e Arifit janë të veshura me histori, që zbulohen gjatë rrugëtimit të tyre në skenë. Për dramaturgen nga Kosova, kur shkruan ka parasysh njerëzit dhe atmosferën në të cilën jeton. “Drama ka për bazë dashurinë false të një familjeje në shthurje e sipër”. Arifi prek çështjet e ndjeshme të një shoqërie, tjetërsimi, identiteti personal, fati i gruas dhe përcaktimi seksual. Ajo sapo ka përfunduar një master për teatër dhe shkrimi i dramës shqipe është një sfidë për të mbajtur gjallë jo vetëm identitetin kulturor, por dhe një pasion të vjetër që e lidh me leximin e dramave. “Ne merremi shumë pak me dramaturgjinë kombëtare. Gjithnjë mendoj se përpara se të na njohin të tjerët, ne duhet të njohim veten. Kjo dramë vjen si protestë ndaj rolit që ka femra në përgjithësi, pasi në këtë dramë, femra s’mund ta pranojë rolin e dytë dhe me ngulm do t’i marrë vendimet vetë. Dhe pikërisht kjo natyrë luftarake e saj na çon në një tragjedi familjare, gjithmonë me fajin e një burri”, thotë Arifi. E tërhequr gjithnjë nga mënyra sesi është trajtuar gjinia femërore, jo vetëm në libra, Arifi kërkon të eksplorojë psikikën e gjinisë së cilës i përket. “Nëse bëjmë një llogaritje të jetëve të këtyre femrave, historive të tyre apo fatit të tyre, shumë pak të shkruar në letër, atëherë mund të them se është e lehtë. Ne kemi shumë histori për të shkruar, na duhet vetëm imagjinata dhe dëshira, e nëse bashkohen këto të dyja është tepër e lehtë”, thotë Arifi, e cila shpreson që kjo dramë të ndërgjegjësojë gruan për rolin që duhet të ketë në shoqëri. “Në veprat e mia, gruaja e gjen veten në çdo formë”, thotë ajo. Për Arifin prezantimi i kësaj vepre në Tiranë është një mundësi e mirë komunikimi i dy dramaturgjive, të cilat duhet ta njohin më mirë njëra-tjetrën.