Athina, thirrje BE-së për “mëshirë”
Pas ngërçit të ri të krijuar midis palës greke dhe specialistëve të huadhënësve që sollën ndërprerjen e negociatave në Bruksel dhe rritën ankthin dhe klimën negative në tregje, kryeministri grek u ka bërë thirrje partnerëve të bëhen më realistë.
Aleksis Tsipras ka refuzuar përsëri kërkesat për një reformë reduktimi të pensioneve me vlerë prej 2 miliardë euro që parashtruan orët e fundit kreditorët, si kusht për marrjen e ndihmës financiare, duke theksuar se “ne nuk kemi të drejtë që të varrosim demokracinë europiane në vendin ku ka lindur. Pas largimit të negociatorëve grekë nga Brukseli të dielën në mbrëmje, Presidenti francez Francois Hollande ka paralajmëruar Athinën se nuk ka më kohë për të humbur.
“Ndodhemi në një moment kohor që mund të jetë i trazuar, nëse ne nuk do të arrijmë një marrëveshje. Ky mesazh është për Greqinë, sepse Greqia nuk duhet të presë, ajo duhet të vijë përsëri për të diskutuar me institucionet”, tha Hollande.
Nuk jemi në udhëkryq dhe marrëveshja do të arrihet, – ka thënë zëdhënësi i qeverisë greke, – i cili ka shtuar se, Greqia u ka paraqitur huadhënësve reforma me vlerë prej 3.6 miliardë për këtë vit dhe 5.9 miliardë për vitin e ardhshëm, por ata kërkojnë ende më shumë masa shtrënguese.
Nga ana e tij, kreu i PE-së, Martin Schulz, ka deklaruar se është ende e mundur një marrëveshje me Greqinë në mënyrë që të shmanget dalja e saj nga zona e euros: “Mendoj se ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të shmangur nje Grexit. Nëse kjo dalje e Greqisë nga Eurozona nuk mund të shmanget, grekët do të paguajnë një çmim të lartë, sepse vendi do të bjerë në varfëri brenda vetëm disa javësh, një varfëri shumë më dramatike se ajo që ata po përjetojnë sot. Por, edhe dëmet për ekonominë europiane janë të pallogaritshme”.
Samiti i ministrave të Financave të Eurozonës ditën e enjte konsiderohet si një nga shanset e fundit për Greqinë, në mënyrë që të arrijë një marrëveshje me partnerët për financimin e saj. Por, pikërisht në këtë ditë Tsipras shkon në Moskë për bisedime me Vladimir Putin, i ftuar në Forumin Ekonomik të vendeve të BRICS-it, të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, një lëvizje që shihet me sy armiqësor nga udhëheqësit europianë.
Në këtë klimë negative, për të dytën ditë, indeksi i Bursës së Athinës ka filluar me një rënie mbi 6.5%, ndërsa kanë humbur shumë në vlerën e tyre aksionet e katër bankave kryesore greke.