Auditimi për Trepçën gjen mbi 42 milionë euro pasuri pa dokumentacion dhe 3.700 kg argjend të paregjistruar
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi raportin e auditimit për ndërmarrjen "Trepça" Sh.A., ku u evidentuan parregullsi milionëshe me pasuritë dhe stoqet, borxhe të paregjistruara dhe pasqyra financiare që nuk janë përgatitur sipas standardeve ndërkombëtare.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar raportin e auditimit për ndërmarrjen “Trepça” Sh.A., i cili nxjerr në pah parregullsi milionëshe në pasuri dhe stoqe, siç njofton KosovaPress.
Sipas raportit të auditimit, pasuri me vlerë mbi 42 milionë euro rezulton pa dokumentacion të mjaftueshëm, ndërsa vlerësimi i pasurive dhe i stoqeve shoqërohet me pasiguri. Pasqyrat financiare për vitin 2023 nuk janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), ndaj nuk japin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, kurse pasqyrat financiare për vitin 2024 nuk janë përgatitur fare.
Auditimi ka gjetur edhe 3.700 kilogramë argjend, me vlerë mbi 2 milionë euro, që nuk është regjistruar si pasuri fizike dhe nuk dihet ku ndodhet. Vetëm për vitin 2023, rreth 15 milionë euro pasuri nuk janë regjistruar në bilanc, 4,3 milionë euro borxhe nuk janë regjistruar dhe nuk janë bërë deklarime tatimore.
Ndërmarrja i detyrohet buxhetit të Kosovës mbi 15 milionë euro dhe ka mbi 3 milionë euro detyrime të tjera. Parregullsi me vlerë mbi 1,1 milionë euro janë gjetur në investime të bëra në një periudhë kur nuk kishte investime, ndërsa parregullsi janë konstatuar edhe në trajtimin e mbi 10 milionë eurove investime në stoqe.
Gjatë diskutimit në komision, Besian Mustafa tha se nuk është çudi që nuk janë paraqitur pasqyrat financiare të vitit 2024, sepse Trepça është ende në fazën e ristrukturimit dhe nuk është në gjendje të bëjë investime apo të paguajë borxhet, duke theksuar se ndërmarrja është publike, e detyruar të funksionojë në përputhje me ligjin, dhe se duhen ndryshime në ligjin për Trepçën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.