Austria hap kuotë punësimi sezonal për Ballkanin Perëndimor, përfiton edhe Kosova
Rregullorja e re austriake hyn në fuqi më 1 dhjetor dhe parasheh 2.000 vende pune sezonale në turizëm për shtetasit e pesë vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën.
Nga 1 dhjetori 2026 hyn në fuqi rregullorja e re austriake, e cila parasheh një kuotë të posaçme për punësimin sezonal të shtetasve nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, njofton KosovaPress, duke iu referuar albinfo-s.
Rregullorja parasheh gjithsej 2.000 vende pune për shtetasit e vendeve përfituese, dhe punëtorët nga Kosova do të përfshihen në mundësitë e reja të punësimit sezonal pas vendimit të autoriteteve austriake për ndarjen e kësaj kuote në sektorin e turizmit.
Kuota synon të mundësojë angazhimin e punëtorëve nga rajoni në aktivitetet sezonale të industrisë turistike austriake, një sektor ku kërkesa për fuqi punëtore rritet veçanërisht gjatë periudhave me fluks të shtuar të vizitorëve.
Përmes këtij vendimi, Austria krijon një mundësi të veçantë punësimi për qytetarët e vendeve të përfshira në skemë, duke i dhënë Kosovës një hapësirë shtesë për qasje në tregun austriak të punës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.