Arte

Një qendër e vogël arti brenda Kryeministrisë

Kati i parë i Kryeministrisë do t’i ngjasojë një hapësire ku gjenerohet art. Bibliotekë, arkiv dixhital, vepra arti do të japin grishjen e një shije estetike pikërisht në ndërtesën më të rëndësishme të shtetit. Prej 20 ditësh kjo hapësirë është përfshirë në një rikonstruksion total për ta bërë gati për publikun në fillim të korrikut. E gjithë hapësira, dritaret e së cilës shohin nga bulevardi kryesor, është konceptuar e ndarë në tri pjesë multifunksionale për publikun e hapur nga ora nëntë e mëngjesit deri në nëntë të darkës gjatë shtatë ditëve të javës. Një aspekt i punimeve është kthimi në identitet, që do të thotë se projekti ruan gjurmën historike, nga mermeri origjinal, te format e përdorura nga arkitektët italianë. “Vihet në shërbim të artistëve shqiptarë, nga Ballkani dhe të huaj për t’i dhënë publikut një hapësirë më tepër për t’u gjetur me artin, por veçanërisht me artin dhe mendimin kritik. Holli protokollar do ta ruajë edhe funksionin e vet për të pritur delegacionet. Në këtë holl priten kryeministra edhe presidentë, të cilët kalojnë nëpërmjet hollit për të takuar Kryeministrin shqiptar dhe bëhen ceremonitë shtetërore të nivelit më të lartë”, është shprehur për “Top Channel”, Falma Fshazi, drejtore e njësisë së hulumtimit dhe komunikimit. Një kënd të hapësirës do të zërë dhe arkivi dixhital i Kryeministrisë. “Arkivi i Kryeministrisë po dixhitalizohet dhe po vihet online. Do të jetë i hapur për publikun e interesuar, për këdo që do të shohë se çfarë ka arkivi i Kryeministrisë, ku janë dokumente që nga viti 1914. Janë gjithashtu foto të ATSH-së me qindra mijë, të cilat po dixhitalizohen dhe do të jenë të hapura për publikun gjithashtu në shërbim të studiuesve”, është shprehur Fshazi. Vizitorët e kësaj hapësire do të kenë mundësi të shohin bibliotekën e Kryeministrisë, e cila është e specializuar në shërbim të nëpunësve civilë, të punonjësve të, por do të jetë e hapur edhe për studiuesit. Ndërtimi i kësaj hapësire të re po bëhet pa asnjë kosto, pasi po financohet nga sponsorë që përfshijnë institucione ndërkombëtare dhe kompani private. Hapja e kësaj hapësire për publikun do të shoqërohet me praninë e artistëve shumë të njohur të artit bashkëkohorë, të cilët edhe do t’i dhurojnë Shqipërisë vepra të posaçme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button